Ndërlidhjet

“Sejdiu e Thaçi kushtëzojnë bisedimet me Serbinë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Pas intervistimit të kandidatëve që kanë konkurruar në konkursin e katërt për Avokat të Popullit, procedurë e përfunduar në javën e fundit të vitit 2008 nga paneli intervistues, procedura e mëtejme deri në dorëzimin e raportit për Kryesinë e Kuvendit nga Komisioni për Legjislacion dhe Kushtetutë, është lënë në pushim të përkohshëm. Ndonëse paneli intervistues ka mbaruar punë dhe ka hartuar një raport, sipas të cilit janë propozuar tre kandidatët që duhet të votohen nga Kuvendi, Hilmi Jashari, Diana Toska dhe Veton Vula, raporti me këta emra ende nuk është pranuar zyrtarisht nga Komisioni për Legjislacion dhe Kushtetutë, i cili duhet ta thotë fjalën e vet, pasi ta shqyrtojë në detaje punën e bërë prej panelit intervistues. Kjo vonesë bën që procedurat të jenë ende larg nga fillimi i shqyrtimit të ri të dosjes së punës. Krejt kjo vonesë, sipas Bahri Hysenit, kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Kushtetutë, vjen ngase komisionet,pas pushimeve të fundvitit të kaluar, ende nuk janë riaktivizuar me agjendat e reja të punës për vitin 2009...

LAJM
Ka sinjale pozitive nga vendet e ndryshme të botës, sidomos nga vendet e Ligës Arabe dhe Konferenca Islamike, për të njohur shtetin e Kosovës. Kështu tha të mërkurën në një konferencë ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. “Njohjet e mëtejme të shtetit të Kosovës gjatë këtij viti janë prioritet mbi prioritetet për të gjitha institucionet e Republikës. Kemi sinjale pozitive dhe jemi të sigurt që do të kemi njohje të shumta, edhe pse ato nuk mund të specifikohen saktësisht se kur do të ndodhin. Jemi dëshmitarë të zhvillimeve të ndryshme ndërkombëtare, që ndonjëherë kanë ndonjë ndikim afatshkurtër në shpejtësinë e trajtimit të njohjes së Kosovës”, tha ministri Hyseni. Duke folur për angazhimin në këtë drejtim të ministrisë që e udhëheq, ai tha se ka plane të hollësishme për të lobuar në shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës...

EXPRESS
Ka 20 vjet që Kosova është shkëputur zyrtarisht nga regjimi komunist në ish-Jugosllavi. Megjithatë, ish-zyrtarë të asaj kohe, ende mbajnë poste vendimmarrëse në Kosovë. Viktimat, analistë dhe disa parti politike vlerësojnë se lustracioni do ta ndihmonte Kosovën që të ndahet edhe ideologjikisht nga komunizmi. Por, besohet se kjo mund të ndodhë vetëm nëse bëhet hapja e dosjeve të asaj periudhe. Debatit rreth hapjes së dosjeve të komunistëve, të filluar ditë më parë nga Expressi, i janë bashkangjitur edhe liderët e partive politike të vendit si dhe analistë të ndryshëm politikë. Zërat që vijnë nga partitë kryesore të vendit në lidhje me lustracionin, janë të ndryshëm. LDD-ja është për hapjen e menjëhershme, LDK-ja dhe AAK-ja preferojnë të gjendet një kohë e përshtatshme, ndërsa ORA bën thirrje që komunistët mos të linçohen. Pro hapjes së dosjeve është edhe Ramush Tahiri, analist politik dhe njohës i mirë i periudhës së ish-Jugosllavisë. Ai është i pajtimit që menjëherë të hapen dosjet, derisa personat që kanë qenë të përfshirë në postet dhe shërbimet e asaj kohe duhet të penalizohen...

BOTA SOT
Të martën u arrestuan gjashtë shqiptarë me arsyetimin se përbënin një rrjet të krimit të organizuar, që vepronte në veri, tre nga të cilët ishin nga jugu i Mitrovicës dhe tre të tjerë nga Vushtrria... Deri më tani, asnjë pjesëtar i strukturave qoftë paralele apo të organizuara, nuk ka rënë në prangat e policisë së Kosovës. Zyrtarët e policisë thonë se shumë shpejt aksionet e policisë do të shtrihen edhe në atë pjesë dhe do të ketë arrestime. “Është e vërtetë që në ne nuk kemi arrestuar serbë në lidhje me kontrabandimin dhe krimin e organizuar, mirëpo ne e kemi rastin e djegieve të pikave kufitare, ku kemi kallëzim penal për 21 persona që ende nuk janë arrestuar, por nuk do të thotë që ata nuk do të arrestohen”, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani. Sipas tij, Policia e Kosovës, edhe pse nuk ka mundur të ndërhyjë në atë pjesë dhe të arrestojë plëngprishësit e shtetit, nuk do të thotë se nuk ka vepruar në pjesën tjetër...

ZËRI
Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon, është përpjekur t’i zhveshë nga konteksti politik zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, duke u dhënë atyre motive të pastra kontrabande. Një ditë pasi një granatë dore është hedhur në shtëpinë e një shqiptari në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, kreu i misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë ka thënë se ende është herët për të folur për përgjegjësit e sulmit të mbrëmshëm dhe të sulmeve të tjera që kanë ndodhur në këtë vendbanim me shqiptarë në veri. “Policia është duke i bërë hetimet, por mund të them se këto incidente më shumë janë të lidhura më një lloj biznesi apo kontrabande, në të cilin, siç e dini, janë të përfshirë shumë njerëz në veriun e Kosovës dhe në të cilin duhet thënë se ekziston një aktivitet shumetnik, pra në kontrabandë”, ka thënë shefi i EULEX-it...

KOHA DITORE

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është sqaruar të mërkurën para autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës rreth iniciaticvës së tij për të mundësuar gjatë janarit një takim midis autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë. Në “diskutimet gjenerale” që kanë pasur me shefin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë kushtëzuar takimin me paraqitjen e Kosovës si palë e barabartë me Serbinë në këto negociata, kanë bërë të ditur burime të besueshme brenda Qeverisë. “Ka qenë qëndrim i kryeministrit, por edhe i presidentit, që këto bisedime mund të zhvillohen vetëm në një situatë të tillë kur Kosova dhe Serbia konsiderohen palë të barabarta”, ka thënë një zyrtar i Qeverisë me kusht anonimitetit...
XS
SM
MD
LG