Ndërlidhjet

Rreth 25 milionë euro humbje


Pika kufitare në Jarinë
Pika kufitare në Jarinë

Nga mosfunksionimi i pikave doganore 1 dhe 31 në veri të vendit, Doganat e Kosovës konsiderojnë se kanë pësuar humbje shumë të mëdha. Zyrtarë të Doganave thonë se situata e brishtë politike dhe e sigurise mban pezull kthimin e doganierëve kosovarë në këto pika.


Përfaqësuesit e Doganave të Kosovës thonë se mungesa e sigurisë dhe zhvillimet politike po bëjnë që doganierët kosovarë të mos jenë të pranishëm në pikat doganore 1 dhe 31 në Jarinë dhe Zubin Potok në kufi me Serbinë.

Humbjet që i shkatohen Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës, sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës Adriatik Stavilecit, konsiderohen të jenë shumë të mëdha.

“Sipas vlerësimeve tona ne kemi konsideruar që kemi humbur rreth 25 milionë euro. Prapëseprapë kjo kontrabandë është arritur të mbahet nën kontroll me angazhimin e doganës dhe të policisë. Por, gjithsesi edhe në rast që ato dy pika hapen përsëri atje nuk do të ketë zhdoganime. Zhdoganimi gjithmonë është berë në terminalin doganor në Mitrovicë, atje bëhet evidentimi i hyrjeve”, tha Stavileci.

Adriatik Stavileci, thotë se aktualisht është duke u përgatitur infrastruktura e nevojshme për fillimin e funksionimit normal të atyre pikave doganore.

“Dogana e Kosovës nuk mund të thotë datë të sigurt se kur mund të ndodh ky kthim. Kjo është për arsye se as ne vetë nuk jemi në dijeni se kur do të mund të kthehemi. Por, ajo cka mund t’ju them është se njësitë mobile të EULEX-it kanë filluar të qëndrojnë 24 orë në këto dy pika. Dhe ajo që po ndodhë tash, është se po përgatitet e gjithë infrastruktura e nevojshme për funksionimin e këtyre dy pikave, por datë të saktë nuk ka”, tha Stavileci.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e Qeverise së Kosovës, thonë se po punohet bashkërisht në të gjitha instancat që sa me parë doganierët kosovarë të kthehen në pikat doganore.

Pikat doganore 1 dhe 31 qenë djegur nga ana e serbëve lokalë, në vitin e kaluar, në shenjë proteste ndaj shpalljes së pavarësisë.

Memli Krasniqi zëdhënës i qeverisë konsideron janë duke u bërë përgatitjet teknike, që sa me parë ato dogana të mbikëqyren nga vendorët.

“Pjesëtarët e EULEX-it kanë shkuar atje, por sic e dini ju pas djegies se këtyre dy pikave ka kaluar një kohë dhe nuk janë bërë as riparimet e nevojshme. Tash është një asepkt teknik për të mundësuar punën ashtu siç duhet dhe punën normale dhe funksionimit normal të doganave dhe kontrollimin e nevojshme atje. Këto janë në përfundim e sipër dhe ne besojmë që shumë shpejt jo vetëm patrullimet, që janë duke vazhduar nga ana e doganierëve kosovarë, por edhe qëndrimi statik do të fillojë shumë shpejt”, tha Krasniqi.

Krasniqi shpreh optimizmin e tij se situata politike dhe ajo e sigurisë në veri të Mitrovices me praninë e EULEX-it do të ndryshojnë shpejt.

“Ne besojmë që me praninë e Eulexit edhe të komponentës doganore dhe policore tashmë situata do të marrë një kahje më pozitive dhe ne besojmë që do të tejkalohet situata e sigurisë për të filluar funksionimi normal i doganave dhe me doganierët tanë,” tha Krasniqi.

Në veri të Kosovës, sipas zyrtarëve të Doganave, edhe më tej mbeten disa patrulla lëvizëse doganore, por edhe statike. Ndryshe, të hyrat e doganave janë ndër burimet kryesore me të cilat mbushet Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.


XS
SM
MD
LG