Ndërlidhjet

“UNMIK-u preferon bisedime direkte”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Udhëheqësit institucionalë të Kosovës dhe të Serbisë kanë shprehur pajtueshmëri për të zhvilluar bisedime rreth çështjeve teknike, ndërkohë që zyrtarët e UNMIK-ut kanë pohuar se ky mision do të preferonte takime direkte mes përfaqësuesve të shqiptarëve dhe të serbëve. Ndonëse ende ka paqartësi rreth ndërmjetësimit, modaliteteve dhe kornizës kohore për zhvillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, janë shtuar zërat se fundi i këtij muaji mund t’i gjejë zyrtarët e të dyja vendeve në procesin e bisedimeve. Disa nga këto dilema pritet të qartësohen në takimin e caktuar për të enjten mes shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, me drejtuesit e institucioneve, presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi...

KOSOVA SOT
Qeveria e Serbisë vazhdon të mos u japë asnjë llogari autoriteteve të Kosovës lidhur me derdhjen e mjeteve të destinuara për pakicën serbe në Kosovë. Çdo hyrje e mjeteve, siç parashihet me planin e Ahtisaarit, duhet të kalojë nëpërmjet institucioneve të Kosovës, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Qeveria e Serbisë vazhdon të financojë në enklavat me shumicë serbe, por pa i kaluar mjetet nëpërmjet autoritetit të Thesarit kosovar. Me ligj parashikohet që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të japë pëlqim paraprakisht që ato mjete të shfrytëzohen në fushat ku komunat janë kompetente. Vetë ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, beson se Qeveria e Serbisë do të detyrohet t’i respektojë ligjet e Kosovës. Ai ka pohuar se komunat në pjesën veriore nuk raportojnë. “Ende nuk ka një bashkëpunim në komunat në pjesën veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan...”.

ZËRI
Shumica e parlamentarëve evropianë kanë mbështetur një rezolutë për Kosovën, e cila u është paraqitur nga deputeti raportues, Jost Lagendijk. Gjatë një debati për Kosovën mbi bazën e këtij dokumenti, europarlamentarët kanë përshëndetur zhvillimet në Kosovë gjatë vitit të fundit dhe kanë sugjeruar angazhim më të madh të Brukselit në adresimin e problemeve në Kosovë, por i kanë përsëritur edhe autoritetet e Prishtinës që të angazhohen në implementimin e obligimeve që kanë marrë. Debati për rezolutën është zhvilluar dje pasdite, ndërsa votimi do të mbahet gjatë ditës së sotme. Në raste të veçanta, debati është përshkuar edhe me kritika ndaj draft-raportit, i cili përshëndet shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Më të zëshmit kundër dispozitave të rezolutës kanë qenë deputetët rumunë, të cilët në një rast kanë kërkuar edhe ringjalljen e bisedimeve për statusin e Kosovës përmes një konference ndërkombëtare...

EPOKA E RE
Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulzim Zeneli, nuk di nëse para zgjedhjeve të 2007-ës subjektet politike apo Grupi i Unitetit kanë arritur një marrëveshje, që në zgjedhje të hyjnë për mandat të plotë. Në një intervistë për “Epoka e re”, Zeneli ka thënë se debati i 12 shkurtit në Kuvend do të duhej të sqaronte, njëherë e mirë, nëse ka pasur apo jo një marrëveshje të tillë për zgjedhjet. Nëse kjo marrëveshje është vërë, sipas Zenelit, është treguesi i qartë që ata që janë marrë vesh atëherë, janë të interesuar vetëm për pozicionet e tyre politike. “Duhet të sqarohet se a ka pasur marrëveshje apo nuk ka pasur, dhe nëse ka pasur diçka të tillë, atëherë kjo e konfirmon atë që, kur bëhet fjalë për ruajtjen e pozicioneve politike, individët që sot udhëheqin institucionet e vendit janë në gjendje të shkelin edhe mbi parimet bazë të demokracisë”, ka theksuar Zeneli, duke shtuar se LDD-ja kundërshton fuqishëm format e punës “underground”...

LAJM
Kaosi i krijuar nëpër ministri, ku shumica prej tyre funksionojnë me u.d. sekretarë permanentë të emëruar nga ministrat, e ka shtyrë kryeministrin Hashim Thaçi që të rimarrë vendim të përkohshëm për ta rifunksionalizuar Komisionin për Emërime të Larta Publike (KELP). Thaçi, më 4 nëntor të viti 2008, kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që me procedurë të shpejtë t’ia jepte lejen për ekzekutim, por kryeparlamentari Jakup Krasniqi i ktheu përgjigje negative, me arsyetimin se kjo çështje duhet të rregullohet me ligj. Tani kryeministri ka marrë vendim të modifikuar, duke e anashkaluar Kuvendin dhe këtë çështje ka vendosur që ta zgjidhë me presidentin e Republikës. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, tha se çështja e funksionalizimit të KELP-it është emergjente, meqenëse duke u bazuar në kontekstin e ri kushtetues dhe ligjor të Kosovës, nuk mund të aplikohen rregullat e mëhershme të UNMIK-ut për sa i përket KELP-it...

EXPRESS
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, të mërkurën pasdite, i dhanë fund debatit të nisur shtatë muaj më parë për drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Më në fund, ata nxorën emrin e shefit të Inteligjencës. Ai është Bashkim Smakaj, një nënkolonel i Policisë së Kosovës. Presidenti dhe kryeministri, në një konferencë për media, thanë se kanë bërë përzgjedhjen e duhur për këtë pozitë – kyçe për sigurinë e shtetit të ri. Presidenti Sejdiu tha se vendimi u mor pas analizave dhe bisedimeve të shumanshme.... Kryeministri Thaçi u shpreh krenar që, bashkë me presidentin, kanë marrë këtë vendim. “Mbi të gjitha ndjehem shumë mirë që kemi arritur të emërojmë njeriun me përgjegjësi të lartë shtetërore, një njeri të përgatitur mirë, një njeri me përgatitje të lartë akademike, të përkushtuar në punë dhe të gatshëm për t’i shërbyer vendit me devotshmëri”, tha kryeministri...

INFOPRESS
Të lërë rehat Kosovën, të mos e pengojë progresin e saj, të heqë padinë nga GJND-ja, ta pranojë si shtet të ri dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike me të – janë këto kërkesat që i parashtrohen Serbisë nga ana e ndërkombëtarëve... Nga ana tjetër, me anë të një rezolute, Parlamenti Evropian pritet të vlerësojë progresin e arritur në Kosovë. Eurodeputetja Doris Pack ka thënë se rezoluta e përgatitur muaj më parë, bazohet në zhvillimin e proceseve në Kosovë dhe ndërlidhet me punën e EULEX-it, situatën e përgjithshme në Kosovë, raportet midis Beogradit dhe Prishtinës. Të gjitha këto çështje kanë një rol në këtë rezolutë, thotë ajo. Por, Pack nuk harron të përmendë edhe vërejtjet që ka për Serbinë dhe apelet që po i bëhen këtij vendi fqinj. “Kemi apeluar te Beogradi të mos pengojë zhvillimin e këtij shteti të Kosovës dhe të mos përkrahë strukturat paralele. Kemi kërkuar që puna e EULEX-it të përkrahet në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Pack...

BOTA SOT
Asnjë çështje që ka të bëjë me statusin e Kosovës dhe sovranitetin e vendit nuk mund të kthehet në tavolinën e bisedimeve, ka rikonfirmuar të mërkurën qëndrimin e institucioneve , presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu. Presidenti tha prerazi se nuk ka kurrfarë ndërmjetësimi dhe se janë të gatshëm të bisedojnë vetëm për çështje që i interesojnë dy shteteve... I pari i vendit, Fatmir Sejdiu, tha se Kosova është e gatshme të bisedojë me përfaqësues edhe të vendeve të tjera, por gjithmonë si shtet sovran, dhe për ato çështje që janë në të mirë të qytetarëve të vendit, por kurrsesi për diçka që e prek statusin, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës... Edhe kryeministri Hashim Thaçi ka përforcuar qëndrimin e Sejdiut... Mirëpo, opozita, si duket, në çështjet e bisedimeve teknike është lënë anash, sepse ata nuk e dinë se për çfarë do të bisedohet në këto bisedime, nuk kanë asnjë informacion dhe nuk kanë pasur asnjë konsultim...
XS
SM
MD
LG