Ndërlidhjet

“Feronikeli afër mbylljes”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
”Feronikeli”, ndërmarrje kjo e privatizuar me spin-off special, e cila ka realizuar më së shumti investime nga kompanitë e privatizuara, është prekur rëndë nga kriza globale dhe, nëse nuk ndërmerren hapa lehtësues nga Qeveria, ajo edhe mund të mbyllet. “Feronikeli” ka të punësuar mbi 1000 punëtorë, kryesisht të rajonit të Drenicës, ndërsa edhe qindra punëtorë të tjerë janë duke punuar në kompanitë e kontraktuara nga ky gjigant. Zyrtarët e kësaj kompanie theksojnë se nëse situata në tregjet ndërkombëtare vazhdon të jetë e njëjtë, kjo kompani mund të mbyllet. Në bazë të disa studimeve të kryera, për fatin e nikelit gjatë 2009-ës dhe 2010-ës, del që kërkesa për nikel nuk do të ketë ngritje gjatë këtij viti, kur çmimi nuk pritet të ketë ngritje as gjatë 2010-ës. Zyrtarët e “Feronikelit” shpjegojnë se vetëm nëse Qeveria e Kosovës e liron nga disa taksa këtë kompani, në kohën kur punohet pa profit, ajo mund të mbijetojë, përndryshe do të detyrohet ta ndalë punën deri në përmirësimin e situatës në tregjet ndërkombëtare...

LAJM
Është bërë gati një muaj që agjencia reklamuese izraelite “Saatchi&Saatchi” e ka fituar tenderin 5.7 milionë eurosh për ta promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare, por puna e saj në këtë drejtim mbetet enigmë. Edhe përpjekjet për ta marrë qoftë edhe më të voglin informacion zyrtar se çfarë po bën aktualisht kjo agjenci për reklamimin dhe ndreqjen e imazhit të Republikës së Kosovës nëpër botë, kanë qenë të kota. Ministria e Punëve të Jashtme nuk di gjë për aktivitetin e deritanishëm të kësaj agjencie për Kosovën, sepse, siç thonë, zyrtarët, kjo ministri nuk ka qenë farë e përfshirë në këtë çështje, pasi vendimi është marrë ekskluzivisht nga Qeveria. “Kjo çështje nuk ka kaluar nëpërmjet kësaj ministrie, pyetni Qeverinë”, tha të mërkurën zëdhënësja Albana Beqiri. Njësoj u përgjigj edhe zëvendësministrja Vlora Çitaku, duke orientuar për më shumë informacion te zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi...

ZËRI
Ndërkohë që lideri i të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq, u ka bërë ftesë serbëve që t’i djegin sërish pikat doganore 1 dhe 31 në kufirin Kosovë-Serbi, ashtu sikur i kishin djegur më 19 shkurt të vitit 2008, në shenjë hakmarrjeje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por edhe të EULEX-it, në anën tjetër, vlerësojnë se që prej vendosjes së doganierëve të EULEX-it në këto dy pika doganore (dhjetor 2008), gjërat janë vënë më shumë nën kontroll dhe angazhimet janë që ky kontroll të rritet. Sado që kthimi i doganierëve kosovarë drejtpërdrejt në pikat 1 dhe 31 nuk është bërë ende, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, thonë se zhvillimet janë premtuese dhe se vetë situata atje që prej vendosjes së doganierëve dhe policëve të EULEX-it, ka reflektuar me një stabilitet më të madh, përkundër asaj se Millan Ivanoviq u bën ftesë të hapur serbëve që në njëvjetorin e pavarësisë së Kosovës, pikat kufitare të digjen sërish...

BOTA SOT

Kryeministri Hashim Thaçi, i cili edhe kryeson Këshillin e Sigurisë të Kosovës, e quajti të rëndësisë së madhe krijimin e këtij mekanizmi, duke thënë se Kosova po e përmbyll funksionalizimin e të gjitha institucioneve shtetërore. “Këshilli i Sigurisë së Kosovës është një mekanizëm i rëndësishëm dhe jetik për sigurinë e vendit, një këshill ky, i cili do të punojë në përputhshmëri me Ligjin dhe me Rregulloren”, tha kryeministri Thaçi, sipas të cilit, me formimin e këtij Këshilli, kurorëzohen angazhimet e përbashkëta për komplet8imin e strukturave bashkëkohore demokratike në fushën e sigurisë njerëzore, publike dhe shtetërore. Thaçi është zotuar se Qeveria e Kosovës, së bashku me presidentin dhe Kuvendin, do t’u ofrojnë tërë mbështetjen e nevojshme strukturave të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Kosovë, Policisë së Kosovës, FSK-së, AKI-së, Doganave të Kosovës...

EPOKA E RE
Ministri i deleguar për Punë të Jashtme dhe Emigracion i Luksemburgut, Nicolas Schmit, ka thënë të mërkurën në Prishtinë se nuk mund të imagjinohet pranimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, përderisa nuk krijon raporte të mirë fqinjësore. “Nuk mund të imagjinohet që një shtet të jetë anëtar i BE-së, në të njëjtën kohë t’i injorojë anëtarët e këtij unioni. Kjo është e paimagjinueshme. Duhet të jetë e qartë se ekziston një proces i fqinjësisë së mirë, i cili është një nga parimet e integrimit në BE. Jam i sigurt se secili do ta pranojë realitetin, e realiteti është e tashmja dhe e ardhmja, dhe jo e kaluara”, ka thënë Schmit. Ai është shprehur i kënaqur me njohjet që ka arritur Kosova, por e ka quajtur fat të keq mosnjohjen e shtetit më të ri në botë edhe nga disa vende anëtare të BE-së...

KOHA DITORE
Duke folur në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të BE-së në Kosovë, Pieter Feith, ka thënë të mërkurën në Parlamentin Evropian se klima e sigurisë në Kosovë është e kënaqshme, porse reagimi i Prishtinës ndaj planit prej gjashtë pikave dhe protestat e serbëve në Mitrovicë, dëshmojë se situata mbetet e ndjeshme. Ai ka folur para Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, vetëm një javë pasi Parlamenti kishte miratuar rezolutën për Kosovën. Pieter Feith ka përmendur arritjet e Kosovës, përfshirë edhe miratimin e ligjeve dhe Kushtetutës, por më së shumti në paraqitjen e tij është përqendruar në reformat dhe procesin e pajtimit ndëretnik. Duke folur edhe për vendosjen e EULEX-it, ai ka thënë se puna e këtij misioni është vendimtare...

EXPRESS
Një delegacion i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) po qëndron për një vizitë njëjavore në vendin tonë, për të parë nga afër përgatitjet që po bën Kosova në prag të anëtarësimit në këtë institucion. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në takim me anëtarët e këtij delegacioni ka shprehur besimin se anëtarësimi në FMN dhe në Bankën Botërore do të jetë hap i madh për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë takim janë vlerësuar zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në Kosovë, si dhe është diskutuar për hapat e mëtejmë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Kryeministri Thaçi ritheksoi angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zbatuar prioritetet strategjike të qeverisë në shërbim të mirëqenies së gjithë qytetarëve të vendit. Gjatë vizitës njëjavore, delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të ketë takime edhe me përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës si dhe atyre ndërkombëtare...

INFOPRESS
Ligjvënësit serbë në Parlamentin republikan kanë vlerësuar të mërkurën se thirrja e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar Beogradit, që në Kosovë të hapë ambasadën e Serbisë, është “e papranueshme, absurde, e madje edhe e rrezikshme”. Madje, shumica syresh nuk kanë ngurruar të përdorin vokabularin e thurur në aktakuzat kundër shqiptarëve nga prokuroritë e Millosheviqit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike të presidentit Boris Tadiq, Jelena Trivan, ka vlerësuar se atë që e ka thënë të martën Thaçi është diç që “ai vazhdimisht e thotë dhe që është në harmoni me politikën që e përfaqëso, kështu që nuk dua t’i komentoj deklaratat absurde mbi mundësinë e hapjes së ambasadës së Serbisë në Kosovë...”
XS
SM
MD
LG