Ndërlidhjet

Thaçi: Beogradi vazhdon mentalitetin e kremtimit të humbjeve


KHashim Thaçi

KHashim Thaçi

"Beogradi ende ka mbetur në mentalitetin e kremtimeve të humbjeve që pëson vazhdimisht", tha kryeministri Hashim Thaçi, duke iu referuar paralajmërimeve se deputetët e Serbisë mund të vijnë nesër në Zveçan, për të marrë pjesë në një seancë të parlamentit paralel serb të Kosovës.


Institucionet e Kosovës, në të dyja nivelet, janë përqendruar në tërësi për kremtimin e njëvjetorit të parë të pavarësisë së Kosovës. Liderët kosovarë, ndërsa urojnë qytetarët për festën, i ftojnë ata që të kremtojnë në mënyrë dinjitoze, duke respektuar agjendën e programit zyrtar që është hartuar.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka ftuar sot sërish të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, që t'i bashkohen festës dhe njëkohësisht të përmbahen nga çdo provokim, sidomos nga ato që vijnë nga Beogradi. Kryeministri Thaçi tha se ky është një vit i suksesit historik të Kosovës, që përkon me interesat dhe mbështetjen e fuqishme perëndimore.

“Unë edhe sot i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, që të festojnë me dinjitet e krenari. Është viti i suksesit historik të Kosovës. Viti i kremtimit të madh të këtij përvjetori të suksesit të popullit dhe institucioneve të Kosovës dhe mbështetjes gjithë-ndërkombëtare, nga Uashingtoni, nga Brukseli nga NATO-ja. Kosova ka të ardhme të sigurt, prandaj duhet të festojmë me dinjitet, me krenari”, tha Thaçi.

Ndërsa autoritetet serbe po përgatiten që në pjesën veriore të dëshmojnë se nuk funksionon shteti i Kosovës, duke paralajmëruar edhe vizita të deputetëve të Parlamentit të Serbisë në veri, Thaçi tha se ndiente keqardhje që Beogradi nuk po mund të shkëputet nga politika e vjetër.

Kosova e ka agjendën e vet dhe askush nuk do të mund ta ndryshojë agjendën e saj të kremtimit. Ndërsa, më vjen keq që Beogradi ende ka mbetur në mentalitetin e kremtimeve të humbjeve që pëson vazhdimisht”, theksoi Thaçi.

Strukturat serbe të Kosovës në veri i kanë ftuar deputetët e Parlamentit të Serbisë që të marrin pjesë nesër në një seancë të Parlamentit serb, që për Prishtinën paraqet një strukturë paralele dhe të paligjshme. Kjo seancë është paralajmëruar se do të mbahet në Zveçan, si pjesë e politikës kundërshtuese dhe injoruese të Serbisë ndaj Kosovës së pavarur.

Sekretari i Qeverisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë se Kosova e shpalli pavarësinë dhe tash e një vit gjithë energjinë e ka përqendruar në njohjet ndërkombëtare, duke mos e kuptuar se nga pavarësia nuk jetohet. Ivanoviq parasheh shumë probleme në Kosovë.

“Kosovën e kanë njohur 54 vende, çka nuk është pak dhe është më shumë sesa që kam pritur, por në çdo rast nuk është e mjaftueshme. Nuk ka projekte madhore për punësimin e njerëzve dhe, herët a vonë, të rinjtë do të dalin në rrugë dhe Qeveria e Kosovës nuk do të mund ta fajësojë për këto probleme në vazhdimësi Serbinë”, thotë Ivanoviq.

Për dallim nga përfaqësuesi i Qeverisë serbe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se pret që viti i dytë i pavarësisë t'i sjellë Kosovës njohje të reja, anëtarësim në organizma ndërkombëtarë dhe perspektivë ekonomike.

“Kosovën e shoh pjesë të FMN-së, të Bankës Botërore, me më tepër njohje, me më tepër zhvillim ekonomik, me rritje të mirëqenies sociale, me më tepër progres dhe më afër NATO-s e Bashkimit Evropian, më tepër demokratike dhe natyrisht edhe avancim të ambientit të shoqërisë multi-etnike. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve me të drejta të barabarta për të gjithë”, deklaroi Thaçi.

Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë parashikuar një agjendë festive për nesër në mbarë komunat, përjashtuar ato në veri, të dominuara nga shumica serbe, ku qeverisja vendore nuk ka arritur të shtrijë pushtetin edhe në njëvjetorin e pavarësisë. Andaj, krahas festës, liderët kosovarë në vazhdimësi kanë qenë të preokupuar dhe me mënyrën e menaxhimit të situatës politike në veri.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG