Ndërlidhjet

A do ndalohen vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë?


Pika kufitare Jarinë
Pika kufitare Jarinë

Qeveria e Kosovës zotohet se do të urdhërojë arrestimin e të gjithë atyre personave, të cilët, me përcjellje të armatosur, tentojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, pa lejen paraprake nga ekzekutivi kosovar.



Zyrtarët shtetërorë të Serbisë, të cilët në të ardhmën tentojnë të hyjnë në territorin e Kosovës pa marrë lejen paraprake nga Qeveria e Kosovës, do të trajtohen sikurse qytetarët e rëndomtë.

Kështu shprehen përfaqësues të institucioneve kosovare, të cilët thonë se zyrtarëve serbë nuk do t'u garantohet eskorta përcjellëse po qe se ata tentojnë të hyjnë në Kosovë me persona të armatosur.

Ndonëse, deri më tani, delegacionet ndërkombëtare, përgjatë qëndrimit të trye në Republikë, janë përcjellë nga Policia e Kosovës, zyrtarët e institucioneve të Kosovës thonë se një gjë e tillë nuk do të vlejë dhe për përfaqësuesit e shtetit serb, nëse këta të fundit nuk kanë lejen e Qeverisë kosovare.

Të premten, ekzekutivi kosovar ia kishte ndaluar minsitrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, të hyjë në Kosovë për të vizituar Mitrovicën. Kjo gjë, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka ndodhur për shkak se përcjellësit e ministri serb, Bogdanoviq, ishtin të armatosur. Ai thotë se edhe në të ardhmen do të veprohet njësoj.

"Çdo person i armatosur që tenton të hyjë në Kosovë pa lejen e organeve tona, do të trajtohet në përputhje me ligjin", tha ministri Pajaziti.

Qeveria serbe, ndërkaq, këmbëngul se për vizitat e ardhshme të udhëheqësve politikë të Serbisë në Kosovë nuk do të pyetet Qeveria e Kosovës, e cila, sipas zyrtarëve serbë, nuk është autoritet përgjegjës për këtë gjë.

Sekretari shtetëror në Minsitrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë se vizitat e ardhshme vetëm do të paralajmërohen dhe se do të kërkohet një përcjellje për eskortat diplomatike serbe vetëm nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, apo ai i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit.

"Ne kurrë nuk do të kërkojmë leje nga Qeveria e Kosovës për një gjë të tillë. Zakonisht, ministrat, zëvendësministrat, eventualisht presidenti apo kryeministri, kur duan të vizitojnë Kosovën, e paralajmërojnë një gjë të tillë te autoritetet përgjegjëse. Ne konsiderojmë se autoritet përgjegjës është vetëm UNMIK-u dhe ndoshta në të ardhmen dhe EULEX-i. Por, ne kurrë nuk do të kërkojmë lejen a autoriteteve kosovare", tha Ivanoviq.

Policia e Kosovës, ndërkohë, zotohet të arrestojë të gjithë personat që tentojnë të shkelin tokën e Kosovës në formë të armatosur dhe pa pëlqimin e autoriteteve kosovare. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, thotë se institucioni që ai udhëheq, nuk do të lejojë të ndodhin shkelje të tilla të ligjit.

"Në rastin konkret ka pasur dy persona të armatosur. Ata nuk mund të hyjnë pa lejen paraprake dhe pa pëlqimin e Qeverisë së vendit. Çdo ndërhyrje e personave të armatosur është në kundërshtim me ligjin dhe natyrisht se policia është e obliguar të veprojë konform ligjit", u shpreh Ahmeti.

Mirëpo, Ivanoviq nuk beson se vizitat e zyrtarëve të shtetit serb të jenë bërë me përcjelljen e personave të armatosur. Ai mendon se po qe se ekziston mbrojtja nga mekanizmat ndërkombëtarë të siurisë, nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

"Zakonisht nuk janë të armatosur. Nëse u ofrohet sigura nga KFOR-i, UNMIK-u apo EULEX-i, ata nuk e shohin të nevojshme të bartin armë", shtoi Ivanoviq.

Vizitat e zyrtarëve të Serbisë në Kosoovë nuk ishin të rralla përgjatë vitit të kaluar. Këto vizita, nga përfaqësues të institucioneve kosovare janë cilësuar si negative, për shkak të, siç thuhet, ndikimit manipulues mbi banorët serbë të Kosovës.
XS
SM
MD
LG