Ndërlidhjet

Në prill, aplikimi për Europol dhe Interpol


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në Interpol dhe Europol kah fundi i muajit prill. Aktualisht, i vetmi mekanizëm që mund të merret me këto organizata është UNMIK-u, përmes Zyrës Ndërlidhëse për Sundimin e Ligjit.

Kosova po përgatitet që të aplikojë për t’u anëtarësuar në organizatat policore evropiane, Europol dhe atë ndërkombëtare Interpol. Por, njohja nga vetëm 56 shtete vështirëson gjasat për anëtarësim.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, konfirmon për Radion Evropa e Lirë përgatitjet e Qeverisë.

“Besoj se brenda këtyre dy muajve ne do përgatitemi, se kërkesa duhet të shkojë në emër të qeverisë për të aplikuar dhe duhet t’i plotësojmë disa procedura për aplikim. Besoj se në fund të prillit do aplikojmë”, u shpreh Xhelili.

I vetmi mekanizëm që mund të bashkëpunojë me Interpolin, aktualisht është UNMIK-u. Për këtë edhe ka krijuar një Zyrë Ndërlidhëse për Sundimin e Ligjit, e cila do ndihmojë bashkëpunimin e Kosovës me ato shtete apo organizata, që ende nuk e njohin Kosovën shtet.

“Nuk mund të japë detaje shumë për veprimet e kësaj zyre, po për shembull, ne mund të merremi me Interpolin, meqë UNMIK-u është i vetmi organizëm që mund të bashkëpunojë aktualisht me këtë organizatë”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie.

Zyra Ndërlidhëse e UNMIK-ut për Sundimin e Ligjit pritet të luajë rolin e saj në ato raste, kur Kosova ka përballje ndërkombëtare me qeveritë që nuk e njohin Kosovën, me Interpolin, apo edhe me Tribunalin e Hagës.

Ndryshe, Fatmir Xhelili pohon se policia kosovare po shfrytëzon lidhjet përmes zyrës së UNMIK-ut për të bashkërenduar veprimet me policët ndërkombëtarë. Kosova, sipas Xhelilit, nuk do ta ketë të lehtë që të anëtarësohet në këto dy organizata policore.

”Ne si shtete do bëjmë kërkesë zyrtare për t’u njohur nga Interpol dhe Europol, mirëpo duhet plotësuar një kriter që dy të tretat e anëtareve të atyre organizatave, duhet të na pranojnë”.

“Momentalisht po punojmë përmes zyrës së UNMIK-ut. Ne produktet e asaj pune i marrim nga kjo zyrë dhe i shfrytëzojmë. Në të ardhmen e afërt, besoj se edhe do pranohemi si shtet, sigurisht pasi që të na njohin anëtaret e BE-së. Besoj se kjo do jetë kuota e rëndësishme për t’u pranuar si anëtare e këtyre organizatave”, tha Xhelili.

Zëvendësministri Xhelili pohon se edhe EULEX-i është duke u përpjekur që të krijojë një zyrë për bashkëpunim me organizatat policore, por ngjashëm priten vështirësi për pranim për shkak të procedurave të gjata për anëtarësim.

“Ka gjasa që EULEX të krijojë një lidhje të re vetë dhe të kyçet prej asaj zyre, por edhe vetë EULEX-i ka vështirësi të kyçet direkt me këto organizata”, pohoi Xhelili.

Europol, apo Zyra e Policisë Evropiane, është bërë plotësisht funksionale në vitin 1999. Ndërkaq, Interpol, apo Organizata Ndërkombëtare e Policisë, më 1923. Që të dyja këto organizata si detyrë parësore kanë lehtësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, përkatësisht evropian, të policisë në luftimin e krimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG