Ndërlidhjet

Rezerva fiskale për mbrojtje nga kriza globale


Përfaqësuesit e institucioneve në Prishtinë konsiderojnë se Kosova nuk mund t’i ikë krizës ekonomike globale. Ata pohojnë se janë marrë të gjitha masat e duhura që ndikimi i saj të jetë sa më i vogël.


Kriza ekonomike globale mund të ketë ndikim edhe në Kosovë, thonë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Mirëpo, sipas tyre, Kosova i ka marrë masat e duhura, që ai ndikim të jetë sa më i vogël. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë se si masë mbrojtëse është ngritur rezerva fiskale.

“Do të ketë një ndikim jo të drejtpërdrejtë dhe për këtë arsye, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masat adekuate, të cilat ndërlidhen me parapërgatitjet për ballafaqimin me efektet anësore që mund t’i shkaktojë kjo krizë”.

“Në këtë drejtim, ndoshta ajo më e rëndësishmja që duhet të ceket, është se ne kemi ngritur rezervën fiskale prej 50 milionë eurosh në 200 milionë euro, që është një pjesëmarrëse mjaft e madhe në bruto produktin kombëtar vendor, që mund të përdoret në rast se shihet se ekziston një nevojë për të stimuluar ekonominë apo tregun”,
tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, ekspertët për çështje ekonomike janë shprehur të sigurt se Kosova tanimë është prekur nga kriza ekonomike globale. Safet Gërxhaliu, ekspert për çështje ekonomike, vlerëson se institucionet e Kosovës tash e kanë kuptuar se Kosova është prekur nga ky fenomen. Sipas tij, pasojat do të jenë në disa drejtime.

“Do të kemi pasoja qoftë nga trustet pensionale, qoftë me remitenca, qoftë me mundësi më të vogla të investimit të huaj. Mirëpo, janë edhe faktet dhe aspektet pozitive që e karakterizojnë një krizë të tillë. Është fleksibiliteti që duhet të jetë në rend të parë. Është një analizë më dubjoze e implementimit të projekteve dhe me siguri një seriozitet më i madh nga ana e bankave se ku do të jenë ato fonde, apo projektet se ku do të financohen apo të mos financohen”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu rekomandon që Qeveria të krijojë brenda institucioneve mekanizma, që të mbrohet nga kriza ekonomike globale. Ai pohon se duhet të merren shembuj nga shtetet që janë prekur nga një krizë e tillë.

“Nëse do të kemi rritje të papunësisë, në qoftë se do të kemi largim të të punësuarve, atëherë do të bije konsumi dhe ai do të jetë një grusht i rëndë, të cilin shumë vende të ndryshme e kanë evituar”.

“Por, ajo që është më esenciale, është fakti që duhet të gjenden forma të ndryshme të përkrahjes së disa sektorëve primarë. E kemi ‘Trepçën’, e kemi ‘Feronikelin’, që janë më të goditurit në sektorin privat. Qeveria duhet të gjejë forma për një kohë të caktuar që t’i abolojë nga obligimet e ndryshme të pagimit”, u shpreh Gërxhaliu.

Si element tjetër që mund të konstatohet se Kosova është prekur nga kjo krizë ekonomike globale, sipas ekspertëve, është edhe rënia e fuqisë blerëse në tregun kosovar. Sipas tyre, që nga fillimi i këtij viti është parë se ka pasur rënie të fuqisë blerëse në treg nga 30 deri në 40 për qind.

Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, konsideron se kriza ekonomike globale që është duke përfshirë botën, nuk do ta prekë Kosovën në masë të madhe.

“Ne mendojmë që të gjitha ndërmarrjet publike do të jenë të afta për t’u ballafaquar me krizat, të cilat mund të vijnë. Nëse është e nevojshme, rezerva fiskale do të futet në përdorim për të stimuluar ekonominë aty ku ka nevojë. Edhe kjo vetëm nëse vjen te kërkesa apo te nevoja; edhe pse mundësia që Kosova të ndikohet dukshëm nga kriza globale, është shumë e vogël”, theksoi Krasniqi.

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave thonë se nga kriza nuk do të shpëtojë askush. Por, sipas tyre, fat është se sistemi bankar i Kosovës nuk është prekur.

Ndërsa, në aspektet e tjera, sipas tyre, kriza veç ka filluar të ndihet. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka thënë se deri më tash nga kriza janë prekur ndërmarrjet që kanë eksportuar metale, në këtë rast ‘Feronikeli’ dhe ‘Trepça’.
XS
SM
MD
LG