Ndërlidhjet

S’i lejohet hyrja në Kosovë delegacionit serb


Pikë kufitare Kosovë - Serbi
Pikë kufitare Kosovë - Serbi

Mosrespektimi i procedurave legale, sipas zyrtarëve kosovarë, ishte arsyeja kryesore e kthimit prapa të një delegacioni parlamentar të Serbisë, që tentoi të hynte në Kosovë për të zhvilluar takime me përfaqësues të serbëve kosovarë.

Policia e Kosovës ia ka ndaluar sot një grupi parlamentar të Serbisë hyrjen në territorin e Kosovës. Ky delegacion serb, i cili ishte nisur në Kosovë për të mbajtur një mbledhje në fshatin Ranillug të Kamenicës, për t’u takuar me, siç është thënë, strukturat qeverisëse në mjediset e banuara me serbë, në orët e mëngjesit është kthyer prapa, ngase nuk u kishte kërkuar leje për realizimin e vizitës zyrtare institucioneve kosovare.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, sqaron situatën:

“Pikërisht sot, rreth orës 10:45, në portën numër pesë te Dheu i Bardhë i është ndaluar hyrja delegacionit, i cili vinte nga Serbia. Në qoftë se kemi të bëjmë me ndonjë vizitë të delegacioneve zyrtare, atëherë duhet që të njoftohen ministritë përkatëse, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, pastaj Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Brendshme njofton policinë”, u shpreh Beka.

Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë thonë se delegacioni zyrtar serb që tentoi të vizitojë Kosovën i kishte kërkuar Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd lejen për realizimin e vizitës.

Këshilltari i ministrit të Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhepi, vlerëson se përfaqësuesit e shtetit serb nuk do të mund të injorojnë Qeverinë e Kosovës, duke vazhduar sipas, siç e quan ai, avazit të vjetër.

“Në delegacion kanë qenë disa parlamentarë serbë të Parlamentit të Serbisë, përkatësisht të një komisioni parlamentar atje. Si dhe herëve të kaluara, delegacionet zyrtare të shtetit serb kanë vazhduar me avazin e vjetër, kanë injoruar realitetin e ri të krijuar në vend, nuk kanë komunikuar me institucionet legjitime të Republikës së Kosovës, por për vizita të tilla vetëm kanë njoftuar Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Beograd”, tha Rexhepi.

Zyrtarë të këtij komisioni, ndërkohë, kanë deklaruar se mbledhja e komisionit parlamentar e paraparë të zhvillohet sot, është shtyrë për një afat të pacaktuar kohor.

Njëri nga udhëheqësit e komisionit, Lubomir Kragoviq, ka thënë se do të insistojë që sa më shumë mbledhje të këtilla të mbahen në Kosovë, në përputhje me, siç ka thënë, vendimet e këtij komisioni.

Mirëpo, këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Kosovë, Rexhepi, thekson se përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë duhet t’i respektojnë edhe në të ardhmen ligjet e Republikës së Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të respektojmë ligjin, i cili shumë qartë përcakton procedurat se si duhet të sillen delegacionet e huaja në rast se vizitojnë Kosovën. Nuk dua të paragjykoj, por delegacionet që i injorojnë dhe nuk i respektojnë këto procedura, nuk do të lejohen të hyjnë zyrtarisht në territorin e Kosovës, ndërsa privatisht atë mund ta bëjë çdokush”,
konsideroi Rexhepi.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kohë më parë, i kishin ndaluar hyrjen në Kosovë dhe ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, duke u zotuar se nuk do të lejojnë zhvillimin e vizitave të zyrtarëve serbë, e të cilat, siç thuhej, kanë për qëllim tensionimin e situatës dhe dërgimin e mesazheve politike te banorët serbë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG