Ndërlidhjet

Kërkesë për shuarjen e UNMIK-ut


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës dhe misioni i EULEX-it kanë publikuar pjesë nga përmbajtjet e raporteve që do t’i paraqesin para Këshillit të Sigurimit më 23 mars. Mes tjerash, Prishtina kërkon që misioni i UNMIK-ut të përfundojë sa më shpejt mandatin.


Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë thonë se i kanë përgatitur dhe dorëzuar raportet e tyre për zhvillimet dhe përparimet në Kosovë gjatë periudhës ndërmjet dy mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, që zakonisht mbahen çdo tre muaj. Mbledhja e radhës është thirrur për datën 23 mars.

Ndërsa administrata e UNMIK-ut, kësaj radhe nuk ka publikuar asgjë nga përmbajtja e raportit që shefi i kësaj administrate, Lamberto Zannier, do ta paraqesë në sesionin e 23 marsit, misioni i EULEX-it dhe Qeveria e Kosovës thonë se raportet e tyre përmbajnë thekse nga të arriturat në Kosovë gjatë tre muajve të fundit.

Zëdhënësi i misionit të EULEX-it, Christophe Lamfalussy, thotë se vlerësimi i EULEX-it është aneks i raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Kurse në përmbajtje, ai thotë se ky raport ka veçuar disa të arritura tashmë të dukshme në Kosovë, që nga 9 dhjetori, kur ka filluar misioni i BE-së për sundim të rendit dhe ligjit.

“Fillimi i gjykimeve në mbarë Kosovën, përfshirë edhe Mitrovicën, pastaj dy gjykimet për krimet e luftës, si dhe dërgimi i doganierëve dhe fillimi i regjistrimit të njerëzve dhe mallrave që kalojnë në pikat kufitare me Serbinë në portat 1 dhe 31, janë vetëm disa nga të arriturat që EULEX-i i raporton me shkrim te Sekretarit i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, dhe Këshilli i Sigurimit”, tha zëdhënësi Lamfalussy.

Në sesionin e 23 marsit në Këshillin e Sigurimit, Kosova pritet të përfaqësohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, i cili udhëton për në Nju Jork nesër.

Zëdhënësja e ministrit të Jashtëm, Albana Beqiri, thotë se vlerësimet e Hysenit dhe Qeverisë së Kosovës përfshijnë si përparimet, ashtu edhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova. Kurse, një kërkesë e veçantë e Kosovës në këtë sesion, pritet të jetë ajo për përmbylljen sa më të shpejtë të punës dhe të aktiviteteve të UNMIK-ut.

Në këtë mbledhje, ministri Hyseni do të flasë në lidhje me zhvillimet dhe progresin në Kosovë gjatë periudhës ndërmjet dy mbledhjeve të Këshillit të Sigurimit. Hyseni do të flasë në lidhje me sfidat që e presin vendin, zhvillimet në shtetin e pavarur të Kosovës, pastaj për rikonfigurimin e UNMIK-ut, si një proces që dëshirojmë të përfundojë sa më shpejt, si dhe për shtrirjen dhe funksionalizimin e plotë të misionit të EULEX-it”, tha Albana Beqiri.

Ndërkohë, autoritetet e administratës së UNMIK-ut nuk e kanë bërë ende publike përmbajtjen e raportit që shefi i kësaj administrate, Lamberto Zannier, do ta paraqesë për Kosovën para Këshillit të Sigurimit. Gjatë kësaj faze tremujore, Zannier qe përpjekur që të nisë një dialog teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por nuk ia arriti qëllimit.

Ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, sipas njoftimeve të deritashme, në raportin e tij, të cilin ua ka dorëzuar vendeve anëtare të KS të OKB-së, mes tjerash thekson kërkesën e Prishtinës zyrtare që UNMIK-u t’i japë fund misionit, e me këtë edhe Rezolutës 1244, për t’i lënë hapësirë funksionimit të shtetit të Kosovës.

Njëherësh, Ban i paraqet edhe shqetësimet e serbëve, të cilët nuk e pranojnë këtë shtet. Të gjitha këto sfida, ai vlerëson se po reflektohen edhe në moszbatimin e 12 44-shit nga ana e shefit të UNMIK-ut, pasi që autoritetet kosovare më nuk duan ta përfillin UNMIK-un.
XS
SM
MD
LG