Ndërlidhjet

Përfundon fushata zgjedhore


Kandidatët për president të Maqedonisë
Kandidatët për president të Maqedonisë
Kandidatët për president të Maqedonisë gjatë fushatës elektorale, e cila përfundon sonte në mesnatë, përveç çështjeve nga sfera ekonomike, sociale, që nuk janë fare në kompetencë të tyre, në tubimet me elektoratin, por edhe në tribuna e debate të ndryshme, janë përqendruar edhe në çështjet që kanë të bëjnë me integrimet euroatlantike dhe me këtë rast kanë prezantuar qëndrime të ndryshme për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, që është edhe çelësi për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, e më pas edhe në Bashkimin Evropian.

“Ne duhet patjetër të zgjidhim problemin me Greqinë, gjatë kësaj pranvere apo më së voni deri në verë. Pra, t’i intensifikojmë bisedimet që në vjeshtë të mund të anëtarësohemi në NATO. Kjo është agjenda, të cilën ne parashikojmë ta realizojmë. Pra, duhet të kthehemi në pozicionet që kishim më herët, pas propozimit të fundit të ndërmjetësit Nimic, që për fat të keq u injorua nga Qeveria aktuale”.

“Mendoj se ai propozim garantonte identitetin e gjuhës dhe kombit maqedonas, përmes miratimit të një rezolute nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe, në ndërkohë, të gjejmë një formulim për emrin e shtetit që do të ishte shumë herë më i mirë se emri i tanishëm - ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë”, ka thënë kandidati presidencial i LSDM-së, Lubomir Fërçkoski.

Ndërsa, kandidati presidencial i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, gjatë debateve publike dhe tubimeve me elektoratin, ka premtuar se nëse zgjidhet president, do të rifillojë negociata për zgjidhjen e çështjes së emrit, pasi, sipas tij, alternativë tjetër nuk ka.

“Ne kemi nevojë për arritjen e konsensusit bazë për pikat themelore në raport me kontestin rreth emrit. Kjo arrihet para së gjithash përmes debateve të hapura. Pra, mendoj se duhet të bisedohet. E di se kjo do të jetë e vështirë, por më mirë të fillohet, sesa të mos mendohet apo të mos fillohen fare”, deklaroi Ivanov.

Kandidatët shqiptarë për president janë më të drejtpërdrejtë në ofertat e tyre për zgjidhjen e kontestit rreth emrit, që do t’i hapte rrugën integrimit të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kandidati i BDI-së, Agron Buxhaku, thotë se zgjidhja do të arrihej më shpejt sikur negociatat të ndërmjetësoheshin nga SHBA-të dhe BE-ja, e jo nga Kombet e Bashkuara si deri më tani.

“Pasi interesi ynë është kyçja në këto organizata, mendoj se angazhimi i tyre ndoshta do të jepte rezultate më të shpejta apo zgjidhje më të shpejtë të problemit”, deklaroi Buxhaku.

Kandidatja e PDSH-së për presidente shteti, Mirushe Hoxha, propozon që për çështjen e identitetit të maqedonasve të debatojnë qarqet akademike dhe shkencore dhe ndërkohë të pranohet një zgjidhje për emrin.

“Duhet patjetër të gjejmë një zgjidhje kompromisi, që nuk do të hynte në identitetin e askujt, apo që nuk do të cenonte identitetin e askujt, pra zgjidhjen e kompromisin lidhur me emrin. Në të njëjtën kohë, propozoj që çështjen e emrit apo çështjen se a janë maqedonasit sllavë ose antikë, t’ia lëmë shkencës, pra jo strikt, por ta ndajmë dhe ta dallojmë nga konteksti i politikës”, ka thënë Hoxha.

Nga ana tjetër, kandidati presidencial nga Demokracia e Re, Imer Selmani, thotë se negociatat duhet të udhëhiqen nga Kombet e Bashkuara, ndërsa presidenti i ri, sipas tij, duhet të shprehë gatishmëri për t’u takuar me zyrtarët më të lartë grekë, gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.

“Mos të fshihemi nga problemi, mos të mendojmë se koha do të na e shërojë problemin. Më së paku duhet që presidenti të gjejë fajin apo të adresojë fajin se dikush para atij nuk e ka zgjidhur këtë çështje”, tha Selmani.

Të gjitha anketat e realizuara gjatë fushatës elektorale, si favorit të zgjedhjeve kanë nxjerrë kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, dhe pas tij radhitet kandidati i LSDM-së, Lubomir Fërçkoski, ndërsa i treti - kandidati i Demokracisë së Re, Imer Selmani.
XS
SM
MD
LG