Ndërlidhjet

Mirënjohje kontingjentit spanjoll


Paqeruajtës të KFOR-it
Paqeruajtës të KFOR-it

Zyrtarët kosovarë shprehin mirënjohje për kontributin e ushtarëve spanjollë në kuadër të KFOR-it. Këto komente, ata i bëjnë duke iu referuar vendimit të Qeverisë spanjolle për largimin e 630 ushtarëve spanjollë nga KFOR-i.

Autoritetet kosovare i shprehin mirënjohje kontingjentit ushtarak spanjoll për shërbimin në Kosovë për disa vite në kuadër të KFOR-it.

Ndërkaq, paralajmërimin e Madridit që kontingjenti spanjoll të largohet nga Kosova, përfaqësuesit në Prishtinë e respektojnë si një vendim të një shteti sovran dhe anëtar i NATO-s.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se kontingjenti spanjoll ka kontribuar shumë për paqen dhe stabilitetin në Kosovë në kuadër të misionit ushtarak të NATO-s.

Vlerësojmë se puna e KFOR-it spanjoll ka qenë shumë e mirë dhe ky kontingjent ka qenë i mirëpritur nga qytetarët e Kosovës, si të gjitha kontingjentet tjera të KFOR-it. Njëkohësisht, ne vlerësojmë se në Republikën e Kosovës gjendja e përgjithshme e sigurisë çdo ditë është më e mirë dhe vendi ynë ngadalë, por sigurt, po shndërrohet në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, tha Beqiri.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova do të jetë mirënjohëse për të gjitha vendet që kanë kontribuar apo kontribuojnë në kuadër të KFOR-it. Kurse, pavarësisht largimeve individuale, prezenca e kësaj force ushtarake, sipas Haradinajt, do të jetë e nevojshme për Kosovën edhe në të ardhmen.

“Në rast se ky është një vendim definitiv i Qeverisë spanjolle, ne i falënderojmë, do të thotë s’mund të kemi rolin tonë në këtë vendim. Por, ne kemi besim se vazhdimi i qëndrimit të trupave të NATO-s në Kosovë, si KFOR, është i nevojshëm për Kosovën dhe i falënderojmë vendet që kontribuojnë me ushtarët e tyre në trupën e KFOR-it”, tha Haradinaj.

Edhe Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje për kontributin që trupat spanjolle kanë dhënë gjatë shërbimit të tyre disavjeçar në kuadër të KFOR-it. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, tha se vendimi eventual për largimin e kontingjentit spanjoll i përket autoriteteve të Spanjës. Këtë largim, sipas tij, duhet shikuar edhe nga konteksti i përmirësimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë.

“Ne mund të themi se jemi mirënjohës për prezencën e trupave spanjolle dhe për kontributin e tyre për shumë vite. Ndërsa, tërheqjen eventuale, apo reduktimin e trupave të NATO-s në Kosovë duhet parë edhe nga konteksti i krijimit të një ambienti më të sigurt në Kosovë, sepse niveli i sigurisë tashmë është mjaft i lartë. Edhe reduktimi i trupave spanjolle apo ndonjë vendi tjetër, duhet të burojë nga ky kontekst”, thotë Krasniqi.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Komandës së KFOR-it në Prishtinë nuk janë prononcuar në lidhje me paralajmërimin për largimin e 630 trupave ushtarake spanjolle nga KFOR-i. Ata vetëm kanë rikujtuar se kjo çështje i përket Komandës së Aleancës Veri-atlantike dhe vendeve anëtare.

Zyrtarët e lartë të NATO-s kanë pohuar se çdo vendim i rëndësishëm për numrin apo strukturën e KFOR-it, duhet të merret brenda Aleancës, kur të krijohen kushtet e sigurisë dhe ato politike që do të lejonin mundësi të tilla për reduktim.
XS
SM
MD
LG