Ndërlidhjet

Suksesi i Kosovës në KS


Këshilli i Sigurimit i OKB-së
Këshilli i Sigurimit i OKB-së

Përfaqësues të partive politike në Prishtinë, Lidhja Demokratike e Kosovës në pozitë dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë në opozitë, seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e cilësojnë si të suksesshme për Kosovën.


Përfaqësuesit e partive politike, ata të pozitës dhe opozitës, e kanë vlerësuar si pozitive seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit, në të cilën është folur për Kosovën. Ata thonë se seanca ka shkuar në drejtim të përkrahjes së zhvillimeve politike që po ndodhin në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, konsideron se në krahasim me seancat tjera, kjo e fundit ishte në favor të Kosovës.

“Mund të them se ka pasur qasje pozitive. Ka pasur rezultat të pritur, edhe pse edhe më tutje mbetet në vazhdën e raportimeve të rregullta pa një lëvizje më të madhe, sepse ajo që ne e presim ka të bëjë me vendimin e një deklarate, që e shuan misionin e UNMIK-ut në Kosovë, dhe me këtë fakt shuhet edhe çdo tendencë e 1244-shit, që si rezolutë vazhdon nën hije të jetojë në Kosovë”, tha Haziri.

Nga ana tjetër, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli, thotë se seanca ishte pozitive për shtetin e Kosovës.

“Fryma, e cila ka dominuar, shkon në favor të zhvillimeve dhe realiteti kosovar është një realitet që po akceptohet dita-ditës edhe më shumë. Prandaj, jemi të bindur dhe besojmë në atë se ishte një ditë e mirë për Kosovën”, u shpreh Zeneli.

Skënder Hyseni

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, ka shpjeguar në Këshillin e Sigurimit se Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe ka kërkuar që t'i jepet fund mandatit të UNMIK-ut. Sipas Hazirit, kjo ishte, mes tjerash, edhe e veçanta e seancës së fundit të Këshillit të Sigurimit.


“Takimi raportues në Këshillin e Sigurimit ishte, siç u pa nga të gjithë, me një kërkesë të veçantë nga ana e palës kosovare, që misioni i UNMIK-ut të përfundojë. Dhe, përkundër faktit që Ministria e Punëve të Jashtme, zoti Hyseni, e argumentoi këtë qëndrim, pala tjetër, për shkak të problemeve dhe komplikimeve që tashmë ekzistojnë në Këshillin e Sigurimit, vazhdon me obstruksione të njëjta”,
deklaroi Haziri.

Ndërsa, sa i takon deklaratave të presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, ku u ka bërë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën të mos e bëjnë këtë, politikanët në Prishtinë thonë se deklaratat e tilla kanë qenë të pritura. Lulzim Zeneli thotë:

“Është një politikë e njohur nga ana e Serbisë, që me të gjitha format tenton t’i minojë zhvillimet që ndodhin në Kosovë. Dhe, nuk ka diçka të re në këtë plan që për herë të parë do të ishte risi për anëtarët e Këshillit të Sigurimit, qoftë edhe për opinionin e gjerë. Prandaj, konsiderojmë se politika e Beogradit karshi Kosovës, dita-ditës, po kuptohet si një politikë, e cila ka qëllim që të zvarritet procesi dhe zhvillimet në Kosovë”, tha Zeneli.

Sido që të jetë, edhe analistët politikë, në shkrimet e tyre në mediat e Kosovës, kanë thënë se seanca e 23 marsit e Këshillit të Sigurimit ishte ndryshe nga ato të mëhershmet.

Analistët shkruajnë se ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka bërë një paraqitje të duhur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe se në ballafaqim me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, ai ishte argumentues si asnjëherë tjetër.
XS
SM
MD
LG