Ndërlidhjet

Hammarberg: Shkeljet e të drejtave të njeriut - serioze


Thomas Hammarberg

Thomas Hammarberg

Komisionari i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, Tomas Hammarberg, e ka vlerësuar gjendjen në dy kampet rome në veri të Mitrovicës si katastrofë humanitare.



Kosova ka raste serioze të shkeljes së të drejtave të njeriut, ka vlerësuar Tomas Hammarberg, komisar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës.

Deri te këto konstatime, Hammarberg erdhi në përmbyllje të vizitës katërditore në Kosovë, me ç’rast ai ka takuar udhëheqësit kosovarë, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme për të drejtat e njeriut.

Ai e ka cilësuar si katastrofë humanitare gjendjen e të drejtave të njeriut në dy kampet e refugjatëve romë në veri të Kosovës, ndërkaq si raste serioze të shkeljes së të drejtave të njeriut e ka cilësuar edhe neglizhencën në trajtimin e çështjes së rreth 2 mijë personave të pagjetur të luftës.

Kosova ka ligje të mira, por ato duhet të zbatohen që të kenë efekte, tha Hammarberg.

Kurse, si rastin më të rëndë, ai e përmendi atë të refugjatëve romë në veri të Mitrovicës, të cilët po ballafaqohen me rrezikun që shkakton sasia e tepruar e plumbit në gjak, që vjen si pasojë e zonës së kontaminuar, ku janë ngritur dy kampe për refugjatët romë për vite të tëra.

Kampi në veri të Mitrovicës
Jam i bindur se këtu po ballafaqohemi me një katastrofë humanitare të natyrës serioze dhe mendoj se është skandaloze që edhe pas pesë vjetësh, që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka konstatuar rrezikun që këta njerëz i janë ekspozuar rrezikut nga sasia e tepruar e plumbit, autoritetet nuk kanë bërë asgjë për këta banorë”.

Sipas tij, këta refugjatë mund të jenë viktimë e përcaktimit se kush është përgjegjës që të ndërmarrë veprime, Prishtina, UNMIK-u apo Beogradi.

Por, pavarësisht se kush mund të jetë përgjegjës, Hammarberg u ka bërë thirrje të gjitha palëve që t’i largojnë këta njerëz nga ky rrezik që po i kanos ata dhe t’i dërgojnë në institucionet shëndetësore për trajtim mjekësor.

Në vazhdim, zyrtari për të Drejtat e Njeriut nga Këshilli i Evropës u ka bërë thirrje jo vetëm autoriteteve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare, që të angazhohen në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës. Ai rikujtoi se ende ka mbi 100 mbetje mortore në Prishtinë, të cilat nuk janë identifikuar.

“Një çështje tjetër që është zvarritur shumë dhe që e ngërthen në vete edhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare, është fati i personave të pagjetur”, theksoi zyrtari i Këshillit të Evropës.

Ai tha se duhet shfrytëzuar çdo mundësi që shpie deri te informacionet lidhur me këta persona, familjet e të cilëve po jetojnë në vuajtje për një dekadë të tërë.

Një problem më vete ai paraqiti edhe kërkesën e disa qeverive evropiane që t’i kthejnë refugjatët kosovarë.

Në këtë moment kur në Kosovë ka rreth 50 për qind të popullatës së papunë, kjo do të implikonte edhe cenimin e të drejtave të njeriut, tha ai, duke u rekomanduar këtyre vendeve që njëherë për njëherë të mos i kthejnë refugjatët.

Hammarberg u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të përfundojnë më në fund me zgjedhjen e Avokatit të Popullit, si institucion shumë i rëndësishëm në fushën e të drejtave të njeriut.

Po ashtu, ai tha se korrupsioni është dukuri që ndikon shumë në aspektet e respektimit të të drejtave dhe dinjitetit të secilit individ në shoqërinë kosovare.
Mendoj se duhet të bëhet më shumë në parandalimin e korrupsionit... Duhet të luftohet kjo dukuri në organet ekzekutive, në administratë dhe gjykata...

“Mendoj se duhet të bëhet më shumë në parandalimin e korrupsionit, si dukuri e cila në shoqëri ka implikime në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut. Sidomos, duhet të luftohet kjo dukuri në organet ekzekutive, në administratë dhe gjykata”, tha Hammerberg.

Komisionari i Këshillit të Evropës tha se do ta përpilojë një raport të gjerë në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ai nuk ka dashur të krahasojë gjendjen e të drejtave të njeriut, sidomos të pakicave, para dhe pas shpalljes së pavarësisë, duke theksuar se preokupim i tij mbeten të drejtat individuale të çdo njeriu në Kosovë dhe jo vetëm të komuniteteve.

Por, sidoqoftë, një pjesë e raportit, sipas tij, do t’u kushtohet edhe kushteve, në të cilat jetojnë pakicat në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG