Ndërlidhjet

Opozita kërkon zgjedhje komunale në tetor


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Përfaqësues të partive opozitare në Prishtinë kanë kërkuar që zgjedhjet e ardhshme komunale të caktohen për muajin tetor, për shkak se nëntori shihet nga ta si muaj kur mund të mbajë mot i lig dhe si i tillë të ndikojë në procesin e votimeve.


Opozita në Kosovë i kërkon presidentit Fatmir Sejdiu që t’i nisë përgatitjet për caktimin e datës së zgjedhjeve në nivelin lokal.

Liderë dhe përfaqësues opozitarë thonë se nuk pajtohen me pozitën që zgjedhjet të mbahen në nëntor, për shkak se atë muaj mund të mbajë moti i lig dhe kërkojnë që zgjedhjet të mbahen në tetor.

Por, nga Zyra e presidentit, edhe sot është konfirmuar se muaji nëntor shihet si kohë optimale kur do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve komunale.

Sidoqoftë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ftoi presidentin Sejdiu që t’i fillojë përgatitjet dhe të caktojë datën e zgjedhjeve.

Ramush Haradinaj
“Mendoj se duhet pasur kujdes në çështjen e motit. E dimë se nëntori mund të befasojë - kishim rastin me fqinjin tonë, Maqedoninë. Ata u penguan nga bora dhe do të ishte mirë që mos të vonohemi për zgjedhje; domethënë, edhe më herët do të ishte një kohë e përshtatshme, për të cilat ka një dakordim politik dhe parashihet të mbahen këtë vjeshtë”,
tha Haradinaj.

Këto komente, Haradinaj i bëri pas një takimi që zhvilloi me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Werner Almhofer.

Ai kërkoi nga ambasadori Almhofer, që OSBE-ja të ketë një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve, për të penguar, siç tha Haradinaj, tendencat e keqpërdorimit dhe të rolit të institucioneve, duke përfshirë edhe Komisionin Qendror Zgjedhor dhe politizimin e tij.

Mirëpo, ambasadori Almhofer tha se nuk e dinte ende rolin e OSBE-së në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Tani në Kosovën e pavarur, OSBE-ja ka ruajtur praninë e saj, por disa vende anëtare nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe kjo mund të paraqitet si pengesë për rolin monitorues të kësaj organizate në zgjedhjet e ardhshme.
Nuk e dimë ende rolin e saktë të OSBE-së në zgjedhje...

“Nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje. Kemi punuar në këtë drejtim për disa vite dhe do të vazhdojmë të punojmë me KQZ-në në trajnime e asistime. Por, nuk e dimë ende rolin e saktë të OSBE-së në zgjedhje”, tha Almhofer.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, planifikon që në një afat optimal t’i ftojë partitë politike në konsultime, në lidhje me datën e zgjedhjeve.
Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se zgjedhjet do të organizohen nga institucionet e shtetit të Kosovës dhe atë, sipas parashikimeve, diku në muajin nëntor të këtij viti.
Presidenti Sejdiu do t’i mbajë konsultimet e nevojshme me të gjitha subjektet politike përbrenda afatit të paraparë ligjor për shpalljen e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet sigurisht që për herë të parë do të organizohen nga vetë vendorët, institucionet e Kosovës. Roli vëzhgues edhe i OSBE-së, edhe i mekanizmave tjerë ndërkombëtarë, është i mirëpritur. Presidenti Sejdiu do t’i mbajë konsultimet e nevojshme me të gjitha subjektet politike përbrenda afatit të paraparë ligjor për shpalljen e zgjedhjeve”, theksoi Beqiri.

Shqetësimeve të opozitës që zgjedhjet duhet të mbahen në pjesën e parë dhe jo të fundit të vjeshtës, u është bashkuar edhe partia politike Ora. Kryetarja e kësaj partie, Teuta Sahatçija, thotë se pret një përgjigje pozitive nga institucionet lidhur me kërkesën e partive që nuk bëjnë pjesë në qeverinë aktuale.

Teuta Sahatçija
“Ne presim që sivjet të organizohen këto zgjedhje. Duke pasur parasysh që në nëntor mund të jetë koha e keqe, mund të jetë ftohtë, mund të ketë reshje, mund të ketë mungesë të rrymës, mendoj se ndoshta do të ishte mirë që zgjedhjet të organizohen në tetor e jo në nëntor”,
tha Sahatçija.



Zgjedhjet e ardhshme komunale pritet të jenë të parat në Kosovën e pavarur, përderisa zgjedhjet parlamentare, përkundër kërkesës së opozitës që ato të mbahen sivjet, nga institucionet më të larta janë paralajmëruar se do të mbahen në vitin 2011.
XS
SM
MD
LG