Ndërlidhjet

Problemet në raportet BE-Kosovë


Kosova nuk mund të ketë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian në kuptimin klasik, marrë parasysh mungesën e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të këtij mekanizimi, vlerësojnë ekspertët kosovarë të së drejtës evropiane.


Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe ekspertë për çështje të integrimeve evropiane në Prishtinë pohojnë se mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, po vështirëson relacionet Kosovë-BE, si dhe mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të Kosovës në këtë mekanizëm.

Sidoqoftë, ata shprehin bindjen se rruga e Kosovës, sikurse e të gjithë Ballkanit Perëndimor, është në BE, pavarësisht problemeve të natyrave të ndryshme që mund të dalin.

Kryeshefi i Agjencisë për Koordinim, Zhvillim dhe Integrime Evropiane në kuadër të Qeverisë së Kosovës, Edon Cana, thotë se edhe për shkak të mosnjohjes së Kosovës prej 5 nga gjithsejtë 27 vendet anëtare të BE-së, Kosova po has në probleme në disa sfera.

“Është e vërtetë që mosnjohja nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian e vështirëson pozitën e Kosovës në relacion me Bashkimin Evropian, por ne jemi të bindur që me përmbushjen e kritereve teknike, ne do të jemi në një pozitë shumë më të favorshme”.


“Besojmë që perspektiva e qartë politike e Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian është theksuar që në konferencën në Thessaloniki e deri më sot”, u shpreh Cana.

Cana e quan të padiskutueshëm integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian - çështje kjo e cila, sipas tij, do të varet kryesisht nga aspekti kohor.

“Ballkani Perëndimor nuk ka alternativë. Ne mendojmë se së shpejti të gjitha shtetet e tjera, përfshirë dhe Kosovën, do të jenë në gjendje që ta nënshkruajnë apo të ratifikojnë marrëveshjen e stabilizim-asociimit”, konsideron ai.

Në lidhje me këtë çështje, ndërkohë, Komisionari Evropian për Zgjerim, Olli Rehn, ditë më parë, tha se Kosovën duhet ndihmuar në proceset evropiane, pavarësisht se jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropiane e kanë njohur shtetin e Kosovës. Rehn theksoi se BE-ja duhet të ketë dhe raporte kontraktuale me Kosovën.

Kjo gjë, sipas ekspertit të së drejtës evropiane, Bardhyl Hasanpapaj, nuk do të jetë e mundshme në kuptimin klasik, pikërisht për shkak të mungesës së plotë të njohjes së Kosovës nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, Hasanpapaj shprehu bindjen se BE-ja do të gjejë modalitete në këtë drejtim.

“Bashkimi Evropian është një organizatë që është e njohur për invencionet e saj dhe me siguri se po mendon të gjejë rrugë të tjera për të tejkaluar këtë pengesë, e cila është shumë serioze. Nga e drejta ndërkombëtare klasike buron dhe vetë Bashkimi Evropian, i cili vepron në kuadër të së drejtës ndërkombëtare”.

“Si e tillë, kjo e drejtë e bën të pamundur, pa pëlqimin e 5 shteteve që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, lidhjen e ndonjë marrëdhënieje klasike kontraktuale me Kosovën”, tha ai, duke shtuar se përpjekjet e Bashkimit Evropian për vënien e raporteve kontraktuale me Kosovën kanë për qëllim kanalizimin e mjeteve financiare në vend përmes konsensusit.

Me menaxhimin e këtyre mjeteve pastaj, siç tha Hasanpapaj, do të merrej Komisioni Evropian.

Ndryshe, çështja e integrimeve evropiane në Kosovë mbetet akoma temë e vazhdueshme debatesh. Disa thonë se Kosova është ende larg në rrugën e saj evropiane, të tjerët, ndërkaq, pohojnë se ritmi me të cilin po ecën Kosova, është i pranueshëm.
XS
SM
MD
LG