Ndërlidhjet

Ende pa datë për regjistrim të popullsisë


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave nuk do të fillojë në këtë muaj, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët nga zyrtarë të Ministrisë së Shërbimeve Publike.


Ministria e Shërbimeve Publike i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike dhe është e gatshme për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Por, megjithatë, ende nuk dihet një kohë e përafërt për realizimin e këtij projekti. Kështu thotë Rifat Blaku, zëvendësministër i Shërbimeve Publike, duke shtuar se për realizmin e këtij projekti, pritet një vendim politik.

“Procesi i regjistrimit po del që ka edhe dimensionin politik, ndonëse ne gjithmonë kemi theksuar, konform ligjeve ndërkombëtare për regjistrimin, se të dhënat e regjistrimit kanë karakter ekskluzivisht statistikor dhe për qëllime statistikore. Kemi bërë krejt punën brenda vitit të fundit për depolitizimin e procesit, por tashti pritet një vendim politik që të caktohet data”, thotë Blaku.

Me gjithë përgatitjet e deritashme, autoritetet ndërkombëtare që janë të kyçura në këtë proces, po frikohen që komuniteti serb do të pengojë regjistrimin në vendet e banuara me shumicë serbe, thotë Blaku, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit Republikan për regjistrimin e popullsisë.

“Ne kemi dhënë prova që në bazë të regjistrimit të tretë testues një pjesë e madhe do të dalin, kurse mospjesëmarrja e një pjesë të vogël të tyre, ose të ndonjë komuniteti tjetër, nuk do të paraqesë ndonjë pengesë substanciale, meqenëse edhe në vendet tjera, edhe në shtetet tjera, nuk dalin qind për qind. 5-6 për qind plus - minus nuk e dëmton dhe nuk e bën regjistrimin e papranueshëm”,
thekson Blaku.

Por, përfaqësues të opozitës e quajnë të paarsyeshme shtyrjen e procesit të regjistrimit. Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se Qeveria nuk është serioze karshi projekteve me rëndësi kombëtare.

“Është një neglizhencë e vazhdueshme e Qeverisë në projektet e mëdha kombëtare. Regjistrimi i popullsisë është projekt i madh dhe për ne është e paarsyeshme që deri më tani nuk ka pasur ndonjë angazhim më serioz për regjistrimin e popullsisë, sepse ky proces është i lidhur me të gjitha elementet, të cilat e përcjellin zhvillimin e një shoqërie”, u shpreh Isufi.

Ndërkaq, Lulëzim Zeneli, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, lidhur me këtë, thotë:

“Shtyrja e këtij procesi të regjistrimit, pa dhënë ndonjë sqarim, tregon më së miri për sjelljen joshtetërore që po plasojnë në vazhdimësi krerët e institucioneve tona. Pra, institucionet tona duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe mos të sillen si institucione të përkohshme vetëqeverisëse”, tha Zeneli.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, pohon se shumë shpejt do të caktohet data për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë.

“Ne besojmë se shumë shpejt do të caktohet një datë në këtë drejtim, duke u bazuar edhe në provizionet e Pakos së Ahtisaarit, ku normalisht që ne kemi disa konsultime me Zyrën Civile Ndërkombëtare, kështu që sa po të arrihet një pajtim për periudhën më të saktë, më adekuate, ne do të dalim me një vendim të tillë”,
tha Krasniqi.

Deri më tani janë mbajtur tri regjistrime testuese. Por, sipas ligjit aktual për regjistrimin e popullsisë, datën për regjistrim e përcakton Kuvendi i Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare. Regjistrimi i fundit i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave në Kosovë është bërë para 27 vjetësh.
XS
SM
MD
LG