Ndërlidhjet

Kushtetutë moderne, por jo krejt e zbatueshme


Seanca solemne e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 prill 2008.
Seanca solemne e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 9 prill 2008.

Kushtetuta i ka mundësuar Kosovës të jetësojë zbatimin e statusit të saj si një shtet i pavarur, u tha sot në kremtimin e njëvjetorit të miratimit të aktit më të lartë juridik në Kosovë.


Kosova ka një Kushtetutë moderne, e cila e rendit atë në familjen e shteteve të lira dhe demokratike, u tha sot në shënimin e njëvjetorit të miratimit të aktit më të lartë juridik të Kosovës.

Ndonëse u theksuan sfida të zbatimit të saj në gjithë territorin e Kosovës, liderët vendorë thanë se kjo Kushtetutë është baza e funksionimit të institucioneve, por edhe e misionit ndërkombëtar.

Gjatë një seance solemne në Kuvendin e Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kushtetuta e Kosovës është në harmoni të plotë me standardet legjislative evropiane, duke nënvizuar se ky akt juridik ka mundësuar edhe formimin e institucioneve tjera shtetërore të Kosovës.

“Duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, janë krijuar dhe po fuqizohen dita-ditës shtyllat e qëndrueshmërisë dhe të sigurisë së vendit tonë, Forca e Sigurisë së Kosovës, Agjencia e Inteligjencës së Kosovës dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë. Gjithashtu, janë hapur dhjetë misione diplomatike në botë, si dhe janë dekretuar tetë misione të reja diplomatike dhe nëntë misione konsullore. Kështu, hap pas hapi, do të krijohet edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Sejdiu.

Edhe pas një viti të miratimit të saj, zbatimi i Kushtetutës së Kosovës sfidohet në mënyra të ndryshme, në veçanti në pjesën veriore të Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se zbatimi i Kushtetutës është jetik për sistemin unik të Kosovës.
Sot, një vit pas miratimit të Kushtetutës, vazhdojmë ta kemi sfidë zbatimin e saj në të gjitha nenet dhe në të gjithë territorin e Republikës.

“Sot, një vit pas miratimit të Kushtetutës, vazhdojmë ta kemi sfidë zbatimin e saj në të gjitha nenet dhe në të gjithë territorin e Republikës. Në këtë përvjetor të parë të Kushtetutës, u bëj thirrje institucioneve përgjegjëse dhe gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim, të respektojnë e të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, sepse kjo është mënyra e vetme për ndërtimin e shoqërisë sonë demokratike”, theksoi Krasniqi.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se Kushtetuta po zbatohet në gjithë Kosovën dhe, sipas tij, ky akt siguron paprekshmërinë e territorit dhe sovranitetit të Kosovës.

“Ky sovranitet dhe integriteti territorial i Republikës sonë është i pacenueshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti që shpreh në mënyrën më të mirë përkatësinë e vendit tonë në familjen e shteteve të lira dhe demokratike”, pohoi Thaçi.

Ndërkohë, zëvendësshefi i ICO-së, Burton Flatcher, tha se zbatimi në tërësi i Kushtetutës mund të marrë kohë, por kjo, sipas tij, është e kuptueshme për një shtet të ri. Ai tha se serbët duhet ta kuptojnë se ky akt u referohet edhe atyre.

“Kjo Kushtetutë parasheh një mbrojtje të rëndësishme për pakicat. Por, natyrisht që zbatimi është gjithmonë sfidë. Miratimi i ligjeve e Kushtetutës është diçka tjetër me zbatimin. Kjo është një sfidë e përditshme që merr kohë dhe nuk mund të bëhet brenda një dite”, thotë Flatcher.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës kritikojnë institucionet për mungesë angazhimi në zbatimin e kushtetutshmërisë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, thotë se nuk pajtohet me fjalimet e udhëheqësve të institucioneve në lidhje me të arriturat në zbatimin e Kushtetutës.

“Festa si festë ose shënimi është në rregull. Ndërsa, nga përmbajtja e asaj që u tha sot nga tre folësit, shumë pak Kosova ka bërë për një vit të funksionimit të saj si Kushtetutë. Elementet kryesore të Kushtetutës nuk janë respektuar në mbrojtjen e sovranitetit, në mbrojtjen e integritetit dhe në funksionimin e shtetit mbi bazën e Kushtetutës”,
tha Daci.

Po ashtu, edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se institucionet jo që nuk e kanë zbatuar Kushtetutën në gjithë territorin, por në disa raste edhe e kanë shkelur vetë kushtetutshmërinë.

“Vetë fakti që Kushtetuta sot nuk zbatohet në gjithë territorin e Kosovës, është përgjegjësi e institucioneve që s’kanë mundur të arrijnë ta shtrijnë këtë kushtetutshmëri. Konsiderojmë që është obligim tash e tutje që të ndërmarrin hapa më të mëdhenj, në mënyrë që të kemi shtrirje të Kushtetutës në gjithë territorin, por po ashtu edhe zbatim nga ana e institucioneve”,
thekson Isufi.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit të kaluar dhe kishte hyrë në fuqi më 15 qershor. Si bazë e saj ishte marrë plani i presidentit Ahtisaari për statusin e Kosovës.

Një vit pas miratimit, zbatimi i saj mbetet sfidë për pjesën veriore të Kosovës, ku institucionet vendore nuk po arrijnë të shtrijnë pushtetin e plotë, për shkak të funksionimit të strukturave paralele serbe, të mbështetura nga Beogradi.
XS
SM
MD
LG