Ndërlidhjet

logo-print

Deponohet deklarata në GJND


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Përfaqësuesi i Kosovës në procesin e GJND-së, Michael Wood, i ka dorëzuar kësaj instance dokumentin me argumentet për pavarësinë e Kosovës. Zyrtarët kosovarë presin interpretim pozitiv nga ky institucion.


Kosova ka deponuar sot tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë dokumentin e vet, ku përmblidhen faktet dhe argumentet për pavarësinë e saj.

Dokumenti bazë prej 200 faqesh dhe aneksi prej 300 faqeve të tjera është dorëzuar tek Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë rreth orës 11:00 nga përfaqësuesi i Kosovës në këtë proces, britaniku Michael Wood.

Kjo është konfirmuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni. Ai tha se për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të jepte asnjë detaj rreth përmbajtjes së deklaratës. Por, u shpreh i bindur se argumentet janë në anën e Kosovës dhe se procesi do të përmbyllet në favor të Kosovës.

“Kosova ka bërë një deklaratë shumë dinamike, koncize, një deklaratë që nuk e lë indiferent edhe vëzhguesin dhe lexuesin më indiferent. Kjo i krijon një avantazh të madh deklaratës së Republikës së Kosovës dhe kemi bindjen që është një deklaratë e mirë dhe përplot argumente - argumente të pakontestueshme, pse Kosova ka shpallur pavarësinë dhe pse Kosova është shtet dhe do të jetë shtet”, tha Hyseni.

Ministri Hyseni tha se procesi në Hagë do të rezultojë brenda një viti me një mendim këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës. Si i tillë, ai tha se nuk do të ketë efekte afatgjate për Kosovën dhe asnjë efekt sa i përket statusit të saj.

Por, ndikimet, sipas Hysenit, do të jenë politike në kuptimin e dinamikës së njohjeve të Kosovës, pasi që disa vende do të marrin vendim për njohjen e Kosovës vetëm pasi që procesi në GJND të marrë fund.

“A do të ketë ndikim në procesin e njohjeve? Do të ketë patjetër. S’është hera e parë që e them publikisht se te një numër i vendeve ky proces në Gjykatë ka bërë që ato të mos marrin vendim për njohje. Fatbardhësisht, për Kosovën numri i këtyre vendeve është shumë i vogël dhe nuk ka asnjë arsye që të mos thuhet kjo”,
thekson Hyseni.

Ndërsa Prishtina dhe Beogradi i kanë deponuar argumentet e tyre për dhe kundër pavarësisë së Kosovës, gjithashtu edhe vendet anëtare të OKB-së e kanë pasur të njëjtën mundësi që të pozicionohen rreth asaj se ishte apo nuk ishte shpallja e pavarësisë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.

Ministri Skënder Hyseni tha se aktualisht ai posedon informacione se ka më shumë vende që kanë deponuar deklarata në favor të Kosovës, sesa vende që janë rreshtuar kah Serbia.

“Numri i vendeve që kanë deponuar, kushtimisht po them, në të mirë të Kosovës, është shumë më i madh, sesa numri i vendeve që kanë deponuar në të kundërtën. Mos të nxitojmë të flasim në vend të Gjykatës, sepse ka plot... më lejoni të them se janë të gjitha vendet e Quint-it (që kanë deponuar për), pjesa dërrmuese e vendeve të BE-së; diku ishte se Italia nuk ka bërë deklaratë, por jo, edhe Italia ka bërë deklaratë si edhe shumë vende tjera”, tha Hyseni.

Procesi i interpretimit të pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është iniciuar nga Serbia dhe miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Pas deponimit të argumenteve nga Kosova dhe Serbia, deri më 17 korrik, të dyja palët kanë afat që të kundërshtojnë argumentet mes vete tek Gjykata.

Më pas, Gjykata vendos nëse do të thërrasë edhe seancë dëgjimore. Kurse, interpretimi përfundimtar rreth asaj se ishte apo nuk ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, sipas autoriteteve në Prishtinë, pritet të merret diku brenda një viti, apo edhe më gjatë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG