Ndërlidhjet

Kreu i OKB i "zhgënjyer" nga bojkoti i konferencës


Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, tha se i vjen keq që Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore kanë vendosur ta bojkotojnë konferencën mbi racizmin, që sot u hap në Gjenevë.

Ban i tha konferencës se bota duhet të mblidhet kundër jotolerancës që është në rritje si pasojë e krizës ekonomike.

"Vjen një kohë kur duhet ta riafirmojmë besimin tonë në të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe vlerën e të gjithë neve, një kohë kur duhet të vlerësohen virtytet e tolerancës dhe respekti për të ndryshmen, një kohë kur e kaluara që na ndan, të lihet pas dhe shikimi të hidhet nga e ardhmja që na bashkon", tha Ban Ki-Moon.

Të shtunën, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do ta bojkotojnë takimin një javor, për shkak të shqetësimeve se vendet islamike do të fokusohen në dënimin e Izraelit.

Australia, Kanadaja, Gjermania, Izraeli, Holanda dhe Zelanda e Re gjithashtu nuk marrin pjesë.

Konferenca e Gjenevës është vazhdim i samitit në Afrikën e Jugut të vitit 2001. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e braktisën atë konferencë, për shkak se shtetet arabe u përpoqën ta definojnë cionizmin si racist.

Në konferencë merr pjesë dhe presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinejad.

Për shkak të pjesëmarrjes së Ahmadinejad në konferencën në Gjenevë, Izraeli e ka tërhequr ambasadorin e vet nga Zvicra.
XS
SM
MD
LG