Ndërlidhjet

Decentralizimi vetëm sipas Planit Ahtisaari


Decentralizimi në Kosovë do të zhvillohet sipas Planit të Ahtisaarit dhe ligjeve të Kosovës - u kanë konfirmuar përfaqësuesve të serbëve lokalë shefi i ICO-së, Pieter Feith, dhe ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.


Në anën tjetër, përfaqësues të partive politike serbe dhe organizatave joqeveritare nga Graçanica kanë kërkuar pas këtij takimi me përfaqësuesin civil ndërkombëtar dhe ministrin Ferati, që të bëhen ndryshime në Planin e Ahtisaarit, në dispozitat ku flitet për decentralizimin.

Një kërkesë e tillë është refuzuar nga Feith dhe Ferati, të cilët thanë se mund të ketë fleksibilitet, por jo edhe ndryshim të këtij plani, tashmë dokument bazë i statusit dhe Kushtetutës së Kosovës.

Pieter Feith tha se takimi me serbët nuk ka të bëjë me rinegocimin e Planit të Ahtisaarit, por me informimin e tyre për procesin e decentralizimit dhe formimin e komunave të reja.

“Ka ende mungesë besimi. Por, mendoj se brenda serbëve ka vullnet që të shikojnë kah e ardhmja, e ardhmja në Kosovë dhe në Bashkimin Evropian”,
tha Feith.

Ai tha se shpresonte që para vitit të ri do të ketë zgjedhje dhe do t’i shihte të formuara komunat e reja si rezultat i decentralizimit.

“Gjithmonë ka vend për fleksibilitet nëse bëhet fjalë për detaje në lidhje me formimin e komunave të reja. Të gjithë jemi të hapur që të bisedojmë. Por, kjo nuk nënkupton hapjen e negociatave që tashmë janë mbyllur nga presidenti Ahtisaari”, tha Pieter Feith.

Ndërkohë, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, tha se decentralizimi është në të mirën e komuniteteve, sidomos atij serb. Kërkesat e serbëve për ndryshime në Planin e Ahtisaarit, ai i cilësoi të papranueshme.

“Të gjithë ata që kërkojnë përjashtime nga Pakoja e presidentit Ahtisaari janë qëllimkëqij, ngase kjo pako duhet të implementohet në tërësi dhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës, dhe është një projekt, për nga kualiteti, shumë i mjaftueshëm, që do të sigurojë komuna të fuqishme dhe realizimin e interesit të të gjithë qytetarëve”,
tha Ferati.

Në anën tjetër, Rangjel Nojkiq, një përfaqësues politik i serbëve që bojkotojnë institucionet e Kosovës, tha se pjesa më e madhe e këtij komuniteti mbështet Beogradin, sipas të cilit, decentralizimi nuk mund të zhvillohet sipas Planit të Ahtisaarit.
Plani i Ahtisaarit nuk ofron decentralizim përmbajtjesor dhe këtë qëndrim ne ia kemi prezantuar edhe presidentit Ahtisaari qysh në fazën e negociatave.

“Plani i Ahtisaarit nuk ofron decentralizim përmbajtjesor dhe këtë qëndrim ne ia kemi prezantuar edhe presidentit Ahtisaari qysh në fazën e negociatave”, tha Nojkiq.

Kërkesat e serbëve janë specifike dhe ato nuk mund të ndërlidhen me interesat e komuniteteve tjera në Kosovë, tha Nojkiq.

Ndryshe nga Nojkiq, Bojan Stojanoviq, shef i Grupit Parlamentar të Partisë së Pavarur Liberale, që merr pjesë në punën e Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, tha se është në interesin e serbëve që të pranojnë decentralizimin.

Me Planin e Ahtisaarit parashihet formimi i pesë komunave të reja me shumicë serbe. Një nga parakushtet për formimin dhe instalimin e organeve komunale në këto komuna, mbetet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale, të parapara për vjeshtën e këtij viti.

Autoritetet e Prishtinës, si edhe prania ndërkombëtare në Kosovë, i kanë intensifikuar takimet me përfaqësuesit e serbëve, sidomos ata të pjesës qendrore të Kosovës, që të marrin pjesë në këto procese.

Takimi i sotëm u tha se ishte një prej takimeve që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të sigurimit të pjesëmarrjes aktive serbe në proceset politike.
XS
SM
MD
LG