Ndërlidhjet

Tensione në Mitrovicë


Pamje në Mitrovicë
Pamje në Mitrovicë

Rreth 100 protestues serbë, të hënën, u shpërndanë me forcë nga organet policore të EULEX-it dhe ato të Kosovës, tek lagjja “Kroi i Vitakut”, në veri të Mitrovicës, pasi që refuzuan t’u binden urdhrave të policisë. Protestuesit kërkonin ndërprerjen e punimeve të shtëpive të shqiptarëve.


Banorët serbë të pjesës veriore të Mitrovicës edhe sot kanë protestuar dhe janë përpjekur t’i ndalin punimet e filluara për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve të zhvendosur tek lagjja Kroi i Vitakut.

Forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it, të përkrahura edhe nga KFOR-i, kanë siguruar vazhdimin e punimeve në këtë lagje në veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, thotë se pas mosbindjes së serbëve që t’i zbatojnë urdhrat e policisë, është dashur që të përdoret gazi lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit serbë.

Rreth orës 10:30, diku afërsisht 100 qytetarë serbë, sipas Hotit, janë tubuar në përpjekje të pengimit të punimeve të shtëpive të shqiptarëve tek lagjja Kroi i Vitakut. Për shkak të mosbindjes së tyre, Hoti thotë se intervenimi ka qenë i domosdoshëm.
Pasi që nuk i kanë përfillur urdhrat policore, forcat speciale të Policisë së EULEX-it është dashur dhe kanë qenë të detyruara të përdorin gazin lotsjellës për t’i zmbrapsur protestuesit dhe një gjë e tillë ka ndodhur.

“Kanë tentuar që me forcë të vijnë në lokacionin ku janë duke u kryer punimet e procesit të rindërtimit të banorëve shqiptarë. Në përkrahje të Policisë së EULEX-it, kanë zmbrapsur protestuesit, në mënyrë që ata të mos vijnë e të shkaktojnë ndonjë incident edhe më madhor. Pasi që të njëjtit nuk i kanë përfillur urdhrat policore, forcat speciale të Policisë së EULEX-it është dashur dhe kanë qenë të detyruara të përdorin gazin lotsjellës për t’i zmbrapsur protestuesit dhe një gjë e tillë ka ndodhur”, thotë Hoti.

E gjithë situata është përcjellë nga afër edhe nga pjesëtarët e KFOR-it, thotë Hoti. Zmbrapsja e protestuesve ka rezultuar me një situatë të qetë dhe të palënduar, thotë zyrtari i Policisë së Kosovës.

Mirëpo, ai konfirmon se në atë pjesë janë shënuar edhe të shtëna me armë zjarri, por të cilat nuk kishin si pasojë të plagosur apo viktima në njerëz.

“Janë regjistruar disa të shtëna me armë zjarri, të cilat kanë ardhur kryesisht nga drejtimi i veriut të Mitrovicës, mirëpo nga lokacione apo persona ende të paidentifikuar. Është me rëndësi që nuk ka të lënduar nga armët e zjarrit, ndërsa policia është tërësisht duke monitoruar situatën me një vigjilencë të shtuar, me përkrahjen e forcave tjera të sigurisë, kryesisht në lagjen Kroi i Vitakut, por edhe në veri të Mitrovicës”, thekson Hoti.

Ndonëse nuk është konfirmuar ende se prej nga kanë ardhur këto të shtëna, Hoti beson se ato kanë qenë të drejtuara drejt forcave që po ruajnë vendin e punimeve në këtë pjesë të Mitrovicës.

Në anën tjetër, serbët e kësaj ane thonë se mbeten të vendosur që të mos lejojnë ndërtimin e shtëpive të fqinjëve të tyre shqiptarë.

Sinisha Laziq, përfaqësues i banorëve serbë, thotë se EULEX-i dhe KFOR-i sot kanë përdorur forcë të tepruar ndaj protestuesve.

“Nuk e kam të qartë se përse duhet të përdoret një forcë kaq e madhe. Ky është një rast tipik që duan të krijojnë një Kosovë një-etnike dhe serbët e paktë që kanë mbetur në veri, t’i dëbojnë. Por, ne mbetemi të vendosur që të qëndrojmë në shtëpitë dhe pronat tona”, thotë Sinisha Laziq.

Banorët serbë nuk e fshehin se janë kundër kthimit të fqinjëve të tyre. Dragan Iliq, një banor serb, thotë se Qeveria e Serbisë është dashur t’i blejë këto shtëpi dhe të mos i lejojë shqiptarët të kthehen.
Ka një marrëveshje që ata të mos kthehen më dhe që këto shtëpi duhet të blihen...

“Ka një marrëveshje që ata të mos kthehen më dhe që këto shtëpi duhet të blihen. Çfarë ka ndodhur tash, pse nuk i blenë këto shtëpi, unë nuk e di”, thotë ky banor, duke e fajësuar Qeverinë serbe pse nuk ka ndarë mjete që t’i blejë pronat e shqiptarëve për të mos lejuar që ata të kthehen.

Ndërsa serbët paralajmërojnë vazhdimin e skenarit të njëjtë edhe ditëve të ardhshme, me qëllim që t’i pengojnë punimet e shtëpive të shqiptarëve, autoritetet politike të Kosovës janë shprehur të zotuara, në anën tjetër, se protestat nuk do t’i ndalin këto punime.

Banorët shqiptarë të kësaj ane, qysh nga koha e konfliktit, janë detyruar t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, të cilat qenë shkatërruar nga forcat serbe, dhe të zhvendosen në jug. Tani, ata duan të kthehen në pronat e tyre, por paraprakisht shtëpitë e tyre kanë nevojë për një renovim të përgjithshëm, proces ky që po zhvillohet nën përcjelljen dhe sigurinë e forcave të shumta të rendit.
XS
SM
MD
LG