Ndërlidhjet

Mungesa e ligjeve vështirëson luftën kundër korrupsionit


Përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) kritikojnë institucionet e vendit për mungesën e infrastrukturës ligjore për ta luftuar korrupsionin. Në këtë drejtim, sipas tyre, institucionet e Kosovës po tregohen neglizhente.

Merita Mustafa, menaxhere e programit për transparenca dhe anti-korrupsion në KDI, thotë se për të luftuar dukurinë e korrupsionit, duhet që sa më parë të miratohen ligjet.

“Infrastruktura ligjore është hapi i parë dhe me i rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Qeveria, në mënyrë që të kemi një bazë ligjore së pari për ta luftuar këtë dukuri. Pastaj ëshë edhe implementimi i ligjeve, por mendoj se ajo e para nga duhet të nisemi, është legjislacioni, i cili e lufton korrupsionin”, tha zonja Mustafa.

Zyrtarë të Institutit Demokratik të Kosovës, përkatësisht të Qendrës për Avokim dhe Këshilla Ligjore, e cila është edhe partnere me “Transparency International”, vlerësojnë se deri më tani lufta kundër korrupsionit ka qenë më shumë deklarative.

Zonja Mustafa thotë se një shqetësim mjaft serioz është mungesa e vullnetit për ta ndërtuar infrastrukturën e duhur ligjore që lufton korrupsionin.

“Së pari, nga ana e Qeverisë mungon vullneti politik për të hartuar ligje. Ndërsa, te Agjencia Kundër Korrupsionit besoj që duhet të merren rekomandimet, të cilat janë bërë nga Komisioni Evropian, sepse kjo agjenci ka ende nevojë të fuqizohet, të krijohet pavarësia e saj e plotë, si dhe me ligj të caktohen kompetencat e qarta të agjencisë dhe të mos ndërhyjë askush në punën e saj”, theksoi Mustafa.

Disa nga ligjet që konsiderohen si të domosdoshme janë ai për Financimin e Partive Politike dhe për Konfiskimin e Pasurisë. Që të dy mungojnë.

Qeveria e Kosovës, javën e kaluar, ka aprovuar strategjinë dhe projektligjin kundër korrupsionit. Mirëpo, zonja Mustafa konsideron se strategjia anti-korrupsion është miratuar pa u marrë parasysh rekomandimet e Këshillit Evropian dhe të shoqërisë civile.

Po ashtu, sipas zonjës Mustafa, Qeveria ka miratuar Ligjin për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë, por në ligj mungon elementi thelbësor i transparencës - mosbërja publike e pasurisë së zyrtarëve, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se nga mungesa e ligjeve, lufta kundër korrupsionit është e zbehtë.

“E vështirëson. Rezultatet mund të jenë më të dukshme me aprovimin e këtyre tri ligjeve, sepse dy ligje, them kushtimisht, janë aktivitete parandaluese, siç është deklarimi i pasurisë dhe parandalimi i konfliktit të interesit. Kurse, them kushtimisht, kjo pjesë represive do të caktohet me Ligjin Kundër Korrupsionit”, tha Preteni.

Megjithatë, Preteni shprehet optimist se në gjysmën e dytë të vitit 2009, të gjitha ligjet do të jenë të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe, siç thotë ai, lufta kundër dukurive negative do të jetë më e lehtë.

“Shpresojmë që Kosova, në fillim të qershorit ose një muaj më vonë, maksimalisht në pjesën e dytë të vitit 2009, do të jetë e kompletuar me strategji, me një dokument madhor, dokument politikash me planin e veprimit dhe me këto 3 ligje”, u shpreh Preteni.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë pohuar se vetëm një bashkëpunim i koordinuar si duhet në mes të të gjitha institucioneve dhe shoqërisë kosovare, mund të sjellë rezultate në luftimin e dukurive negative.
XS
SM
MD
LG