Ndërlidhjet

“Decentralizimi kushton 30 milionë euro”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Gazeta “Kosova Sot” shkruan në lidhje me procesin e decentralizimit, koston financiare dhe sfidat e këtij procesi. “Decentralizimi na kushton 30 milionë euro” është titulli i faqes së parë së kësaj gazete. Këto mjete thuhet se do të sigurohen nga institucionet e Kosovës dhe donatorët ndërkombëtarë.

“Ky fond destinohet për realizimin e projekteve administrative dhe çështjeve teknike, por problem mbeten serbët”, shkruan gazeta.

Sidoqoftë, aty citohet edhe zëdhënësi i ICO-së në Prishtinë, Andy McGaffey, i cili ka pohuar se pavarësisht problemeve me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës, Beogradi nuk do të paraqesë ndonjë sfidë në këtë proces.

“Procesi u destinohet njerëzve të Kosovës e në veçanti serbëve nën udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës”, i ka thënë gazetës McGaffey.

Ndërsa parashihen sfida të pjesëmarrjes aktive të serbëve në këtë proces, sidomos në pjesën veriore, në artikull hedhet poshtë mundësia që decentralizimi të kushtëzojë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të parapara për fundin e këtij viti.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i ka thënë gazetës se decentralizmi nuk do t’i pengojë zgjedhjet.

Në artikull thuhet se pjesëmarrja aktive e serbëve do të sillte rezultate edhe për Mitrovicën dhe pjesën veriore. Me pjesëmarrjen serbe në decentralizimin, do të mund të eliminoheshin strukturat paralele në veri të Kosovës, nënvizon gazeta.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar në adresimin e shumë çështjeve të rëndësishme nga kompetencat e veta, shkruan gazeta “Lajm”. Institucioni më i lartë ligjvënës në Kosovë, sipas “Lajmit”, mbetet peng i politikës ditore.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit, e anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional, pastaj e Bordit të ri të RTK-së, e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo edhe dështimi i miratimit të Deklaratës për dënimin e komunizmit - janë vetëm një pjesë e vogël e obligimeve ligjore, të cilat Kuvendi i Kosovës ka dështuar t’i realizojë, shkruan “Lajm”.

Mungesa e konsensusit politik midis grupeve parlamentare në zgjidhjen e bartësve të institucioneve dhe ndërhyrjet e përfaqësuesve ndërkombëtarë për tërheqjen nga iniciativat legjislative, e kanë zbehur imazhin e Kuvendit, thuhet në “Lajm”.

Në përgjithësi, vijon artikulli, lënia pezull e çështjeve është bërë praktikë e punës së Kuvendit të Kosovës.

Në gazetën “Infropress” botohen rezultatet e një hulumtimi të Institutit Demokratik Kombëtar, në lidhje me partitë politike në Kosovë. Sipas gazetës, Partia Demokratike e Kosovës udhëheq me 44 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës është e dyta me 19.8 për qind, pastaj vjen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 13.5 për qind.

Lista pasohet nga Aleanca Kosova e Re me 11 për qind dhe në fund është Lidhja Demokratike e Dardanisë me 4.8 për qind. Sondazhi nxjerr si rezultat se 6.9 për qind të votave shkojnë te partitë që aktualisht nuk përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG