Ndërlidhjet

Demolli: Ndryshimet reduktojnë lëshimet


Haki Demolli
Haki Demolli

Procesi i fundit zgjedhor është përcjellë me lëshime, që do të reduktohen me ndryshimin e Ligjit për zgjedhje, thotë për Radion Evropa e Lirë Haki Demolli, kryesues i komisionit për reformën e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demolli, ju jeni kryesues i komisionit për reformën e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Çka do të ndryshohet konkretisht?

HAKI DEMOLLI
Ky është vetëm fillimi i themelimit të komisionit dhe fillimi i punës së tij, sepse, siç e dini, ai është themeluar në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa me punën mendojmë të fillojmë këtë javë.

Në fillimin tonë do të kemi parasysh logjistikën, respektivisht stafin përkrahës të komisionit, e po ashtu edhe lokacionet eventuale që do të na ndahen në kuadër të Kuvendit.

Ne kemi bërë një plan, ku parashohim një sërë takimesh apo kontaktesh me subjekte të ndryshme, të cilat kanë interes për zgjedhjet në Kosovë. Sa u përket ndryshimeve, ndoshta mund të flitet diçka më vonë.

Tani për tani, ne mund të flasim vetëm për çështjet konkrete, të cilat janë treguar si të ndjeshme, respektivisht problematike, gjatë zgjedhjeve të fundit në vitin 2010. Se çfarë dhe si do të ndryshohet, është një punë që do të na presë.

Ndër çështjet më të ndjeshme që janë theksuar nga shumë subjekte politike, është Kosova si një zonë e vetme zgjedhore. Është parë nga praktika e deritashme që në Kuvendin e Kosovës nuk janë të përfaqësuara disa rajone konkrete të Kosovës.

Aktualisht kemi, për shembull, mospërfaqësimin e Komunës së Dardanës, Vitisë, Kastriotit e ndoshta edhe ndonjë komunë tjetër më të vogël. Në anën tjetër, kemi vërejtur se disa komuna janë të stërngarkuara, apo kanë një numër shumë të madh të deputetëve të tyre në Kuvend.

Pra, kjo ka qenë kërkesë e disa subjekteve politike. Të shohim nëse me shtimin e numrit të zonave, do të jepet mundësia që të përfaqësohen njëtrajtësisht rajonet e Kosovës.

Përveç kësaj çështjeje, mendoj se është përmendur mjaft edhe fakti i listave, ku votuesi ka të drejtë të votojë pesë kandidatë, çfarë në raste të caktuara është paraqitur si një lloj mundësie për keqpërdorime.

Ka edhe çështje të tjera sa u përket vetë komisionarëve, udhëheqësve të qendrave të votimit, votimit me kusht, votimit me postë, e po ashtu dhe një çështje që për mua do të jetë aktuale – mundësia e votimit elektronik.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë dhënë disa afate të caktuara ligjore për përgatitjen e ndryshimeve në Ligjin për zgjedhjet. A mendoni se do të arrihen afatet kohore?

HAKI DEMOLLI
Duke pasur parasysh strukturën e vetë komisionit, natyrën dhe objektin e punës që na pret, mendoj se janë afate optimale apo të arsyeshme, sepse, sipas konventës, por edhe aktit të themelimit të komisionit, komisioni ynë duhet në afatin prej 8-12 muajsh të dorëzojë projektin mbi ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi zgjedhjet në Kosovë. Mendoj se është një afat optimal.

RADIO EVROPA E LIRË
Krahas reformave zgjedhore pritet të bëhen edhe ndryshime në Kushtetutë. A mendoni se duhet të këtë koordinim edhe me komisionin për ndryshimin e Kushtetutës, sidomos për mënyrën e zgjedhjes së presidentit/es?

HAKI DEMOLLI

Mendoj se duhet të ketë koordinim dhe bashkëpunim. Është një fat i mirë që në krye të komisionit për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës është profesori i nderuar, Arsim Bajrami, me të cilin kemi një bashkëpunim të mirë, ndonëse jemi nga dy subjekte të ndryshme politike – pozitë dhe opozitë.


Besoj se do të kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm, sepse, tek e fundit, disa ndryshime, disa amendamentime që do të bëhen në Kushtetutën e Kosovës, do të reflektohen edhe në Ligjin mbi zgjedhjet.

Ndoshta pikërisht kjo ka qenë arsyeja që komisioni për amenadamentimin e Kushtetutës së Kosovës do të punojë në periudhën 6-9 mujore, kurse komisioni ynë do t’i ketë edhe tre muaj shtesë, në mënyrë që në atë periudhën shtesë të shohim se çfarë është aprovuar dhe ndryshuar nga ai komision dhe ndryshimet e tilla të përcillen edhe në komisionin tonë apo në Ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Njohësit e proceseve zgjedhore thonë se për të pasur sukses reforma zgjedhore, në komision duhet të përfshihen edhe partitë e tjera politike. Ju, si mendoni?

HAKI DEMOLLI
Sa e di unë, një numër i madh i partive politike janë të përfaqësuara në komision, sepse aty janë përfaqësues të LDK-së, PDK-së, AAK-së, Vetëvendosjes dhe të grupeve minoritare. Edhe përfaqësuesi i AKR-së, nëse nuk gaboj është aty, apo dikush nga Koalicioni Kosova e Re. Kështu që, thuajse të gjitha grupet parlamentare janë të përfaqësuara në komision.

Nëse involvohet dikush që është jashtë Parlamentit, ai do të jetë më se i mirëseardhur, qoftë me mendime, këshilla, sugjerime apo çfarëdo që mund t’i ofrojë komisionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i fundit zgjedhor u përcoll me shumë probleme. Cilat janë problemet që ju mendoni se mund të evitohen me këto ndryshime?

HAKI DEMOLLI

Është e vërtetë që procesi i fundit zgjedhor është përcjellë me një varg lëshimesh, me një varg të metash, duke filluar nga e ashtuquajtura vjedhje e votave, pastaj votimi që është bërë në vend të tjetrit, listat që kanë qenë të mbushura me persona që nuk janë në mesin e të gjallëve etj.


Mendoj se me ndryshimet që do të bëhen, do të reduktohet numri i lëshimeve dhe i keqpërdorimeve që do të bëhen në zgjedhjet e Kosovës.
XS
SM
MD
LG