Ndërlidhjet

FT: Biznesi i Turqisë në Ballkan


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, dhe homologu i tij turk, Abdullah Gyl - foto arkiv

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, dhe homologu i tij turk, Abdullah Gyl - foto arkiv

"Financial Times"

Kur presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, u takua me homologët e tij nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, synimi i tij i hapur ishte që të kalojë përmbi tensionet etnike dhe të ndihmojë në ndërtimin e mirëbesimit ndërmjet fqinjëve ballkanikë.

Por, interesat e biznesit turk ecin paralelisht me ndikimin e jashtëm politik në rritje.

Ashtu si investitorët austriakë që e shohin Ballkanin si zonë të ndikimit të natyrshëm, edhe kundërshtarët e tyre historikë, turqit, ëndërrojnë për rindërtimin e zonës tregtare të ish-osmanëve.

“Njerëzit në rajon nuk i mirëpritnin turqit për shkak të historisë. Por, përderisa bie interesimi tek investitorët e Perëndimit, turqit do të vazhdojnë t’i mbledhin copëzat”, thotë Kristian Mikosh, avokat i kompanive nga Vjena.

Reklamat e fundit e përshkruajnë blerjen e kompanisë Invitel nga Telekomi Turk. Fillimisht Invitel ishte kompani austriake dhe pastaj hungareze, me lidhje të telekomunikimeve fikse në mbarë Evropën.

Të gjitha tri kompanitë turke të telefonisë celulare, Turk Telekom, Turkcell dhe Calik, kanë shkelur në Shqipëri dhe synojnë zgjerimin në Ballkan.

Bankat dhe kompanitë turke kanë hyrë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë veriperëndimore, në tregjet kryesisht myslimane, ku përfshihet edhe pakica turkfolëse. Këto toka jugore të Ballkanit ishin osmane deri 99 vjet më parë, pak para fillimit të luftës botërore.

Por, derisa investimi kryesor i Austrisë kanë qenë bankat, Turqia e vë dorën përmes projekteve ndërtimore të mëdha dhe tregtisë së vjetër të importit dhe eksportit. Disa faktorë që e bënë ekonominë e Turqisë t’i rezistojë krizës globale, gjithashtu janë aplikuar në Ballkan.

Bechtel-Enka, konzorcium amerikano-turk, po e shtyn autostradën nëpër malet veriore të Shqipërisë në veri drejt Kosovës.

Nga ana tjetër, planet për infrastrukturën e Serbisë, pavarësisht kontestit të mosnjohjes së Kosovës, bëjnë thirrje që korridori prej atje të vazhdojë në Evropën qendrore. Bechtel-Enka, me njerëzit dhe makineritë që ka në terren, mund të jetë konkurrues i fortë që të fitojë kontratën përsëri.

Lëvdimet që Ankaraja ia bën presidentit serb, Boris Tadiq, si paqebërës në rajon, mund të jenë ndihmesë në këtë drejtim. Pas samitit të parë trepalësh në Stamboll, në prillin e kaluar, Qeveria e Serbisë e miratoi rezolutën kundërthënëse, e cila e dënon si gjenocid masakrën në Srebrenicë në vitin 1995.

Qëndrimet e Bashkimit Evropian lidhur me zgjerimin e kanë bërë rolin ndërmjetësues të Ankarasë edhe më jetik, thotë Vehab Oxhak, ambasador i Turqisë në Sarajevë. Turqia gjithashtu sheh një vakum tregtar, meqë investimet e reja nga BE-ja janë të pakta prej vitit 2008.

Bosnjë e Hercegovina, e cila u kaloi austriakëve në vitin 1878, pret shtyrje të pashmangshme nga biznesi turk.

Millorad Dodik, udhëheqës i serbëve të Bosnjës, paralajmëron se do të vijë fundamentalizmi islamik, sidomos pas disfatës sekulare të Turqisë në referendumin kushtetues në shtator.

Për popullsinë e krishterë, siç janë serbët, sundimi pothuaj pesëshekullor i osmanëve ka lënë hidhërime, por edhe afërsi.

“Investimet turke thjesht kanë të bëjnë me biznesin”, thotë ambasadori Oxhak. (v.p.)
XS
SM
MD
LG