Ndërlidhjet

OKB: Këshilli i Sigurimit dështoi të pajtohet për Sirinë


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, mbrëmë vonë, ka dështuar të arrijë pajtueshmëri për deklaratën me të cilën dënohet goditja e dhunshme e protestuesve anti-qeveri nga ana e forcave të sigurisë së Sirisë, me ç’rast janë vrarë qindra vetë.

Përpjekjet e udhëhequra nga shtetet perëndimore për deklaratë, dështuan krejtësisht, për shkak të kundërshtimit nga Rusia dhe Kina.

Zëvendës ambasadori rus në OKB, Aleksander Pankin, i tha mbrëmë vonë Këshillit të Sigurimit, se Moska nuk beson se goditja siriane ndaj demonstruesve opozitarë paraqet kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.

Ai ka tërhequr vërejtjen se ndërhyrja e jashtme në krizë, mund të çoj në luftë civile në Siri.

Debati në Këshillin e Sigurimit për Sirinë u bë pasi zyrtarët e Rusisë dhe Kinës, që kanë të drejtë vetoje, kanë shprehur kritika për intervenimin e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit, për mbrojtjen e civilëve në Libi, duke sugjeruar se ndërhyrja ka për synim ndryshimin e regjimit.

Britania, Franca, Gjermania dhe Portugalia, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, u kanë prirë përpjekjeve për arritjen e një deklarate të Këshillit të Sigurimit për Sirinë.

Shefi politik i OKB-së, Lynn Pascoe, tha se dëshmitë sugjerojnë se ndërmjet 350 dhe 400 njeerëz janë vrarë nga forcat e sigurisë së Sirisë prej mesit të muajit mars.
XS
SM
MD
LG