Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit nuk pajtohet për Sirinë


Takimi i Këshillit të Sigurimit, Nju Jork, 27 prill 2011.
Takimi i Këshillit të Sigurimit, Nju Jork, 27 prill 2011.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, mbrëmë vonë, ka dështuar të arrijë pajtueshmëri për deklaratën me të cilën do të dënohej goditja e dhunshme e protestuesve antiqeveritarë nga ana e forcave të sigurisë së Sirisë, ku janë vrarë qindra vetë.

Përpjekjet e udhëhequra nga shtetet perëndimore për deklaratë dështuan krejtësisht, për shkak të kundërshtimit nga Rusia dhe Kina.

Zëvendësambasadori rus në OKB, Aleksander Pankin, i tha Këshillit të Sigurimit se Moska nuk beson se goditja siriane ndaj demonstruesve opozitarë paraqet kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.

Ai tërhoqi vërejtjen se ndërhyrja e jashtme në krizë mund të çojë në luftë civile në Siri.

Debati në Këshillin e Sigurimit për Sirinë u bë pasi zyrtarët e Rusisë dhe Kinës, që kanë të drejtë vetoje, kanë shprehur kritika për intervenimin e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit për mbrojtjen e civilëve në Libi, duke sugjeruar se ndërhyrja ka për synim ndryshimin e regjimit.

Britania, Franca, Gjermania dhe Portugalia, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, u kanë prirë përpjekjeve për arritjen e një deklarate të Këshillit të Sigurimit për Sirinë.

Shefi politik i OKB-së, Lynn Pascoe, tha se dëshmitë sugjerojnë se 350 - 400 njerëz janë vrarë nga forcat e sigurisë së Sirisë prej mesit të muajit mars. (f.b.)
XS
SM
MD
LG