Ndërlidhjet

Klinton: Nuk na mundni dot



Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton tha se lufta kundër terrorizmit nuk përfundon me vrasjen e kreut të rrjetit Al Kaida, Osama bin Laden.

“Porosia jonë për talibanët mbetet e njëjtë, por sot mund të ketë më shumë jehonë. Nuk na mundni dot, por mund të zgjidhni të braktisni Al Kaidën dhe të merrni pjesë në procesin politik paqësor”, tha Klinton.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vdekja e bin Ladenit është sukses në luftën kundër terrorizmit.

“Bin Laden ishte simbol i terrorizmit ndërkombëtar që nuk respektonte jetën, vetëm vriste dhe shkatërronte. Ai pretendonte se vepron në emër të Islamit, por përqeshte besimin e tij dhe çdo fe tjetër”, tha Merkel.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se vdekja e bin Ladenit ishte “sukses i rëndësishëm”, por paralajmëroi se lufta kundër terrorizmit do të vazhdojë.

Arabia Saudite, vendlindja e bin Ladenit, tha se vdekja e tij ishte “një hap drejt eliminimit të terrorizmit”.

Zëdhënësi i Tehrik-e-Tahrir, apo Lëvizjes së Talibanëve në Pakistan, u kërcënua se grupi do të ndërmarrë sulme kundër udhëheqësve të Pakistanit, kundër armatës pakistaneze dhe Shteteve të Bashkuara.

Grupi islamist palestinez Hamas e dënoi vrasjen e bin Ladenit, të cilin e quajti “luftëtar i shenjtë arab”.

Ministria e Jashtme e Iranit tha se vdekja e bin Ladenit u ka hequr “çdo justifikim” Shteteve të Bashkuara që t’i stacionojnë forcat në Lindjen e Mesme.
XS
SM
MD
LG