Ndërlidhjet

“2010-a me reforma në arsimin kosovar”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me Malin e Zi dhe Maqedoninë – është një temë në të cilën është fokusuar e përditshmja “Zëri”.

“Zëri” ka vënë në dukje se vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, në nivel ambasadash në Prishtinë, në Shkup dhe në Podgoricë, ka rëndësi të veçantë për zhvillimet në këtë pjesë të Ballkanit.

Duke vënë në pah se njohja e Kosovës nga dy vendet fqinje ishte pritur mirë prej shteteve perëndimore, gazeta thekson se që nga njohja e Kosovës nga Shkupi dhe Podgorica zyrtare nuk janë ndërmarrë hapat e pritur dhe gjithsesi të nevojshëm të kompletimit të të gjitha procedurave të kërkuara në këtë rast, të cilat, sipas “Zërit”, do të nënkuptonin edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel të ambasadave në tri kryeqytetet përkatëse.

Përndryshe, gjendja aktuale në këtë segment shumë të rëndësishëm diplomatik të Kosovës, realisht është e panjohur për opinionin kosovar, sepse nuk ka pasur sqarime të duhura nga vetë Qeveria e Kosovës, ndërsa Shkupi dhe Podgorica zyrtare kanë hezituar ta trajtojnë publikisht këtë temë, që parimisht është e ndjeshme në marrëdhëniet midis dy shteteve, shkruan midis tjerash e përditshmja “Zëri”.

Sipas të përditshmes “Kosova sot”, decentralizimi është në prag të dështimit nëse minoritetet refuzojnë procesin, siç ka ndodhur deri tani.

Në këtë kontekst, gazeta thekson mllefin e banorëve serbë në Komunën e Kamenicës ndaj KEK-ut, të cilët treguan qartë se nuk duan të kenë punë me institucionet dhe kompanitë e Kosovës, pavarësisht se mund të shfrytëzojnë shërbimet dhe të mirat e tyre.

Duke vënë në pah privilegjet ndaj komunitetit serb, e përditshmja “Kosova sot” thekson se tolerimi i tepruar i serbëve ka dhënë gjithmonë rezultate negative. Gazeta thekson se të gjitha sjelljet e serbëve lokalë çojnë drejt krijimit të korridorit mono-etnik, i cili me gjasë do të jetë një trup i huaj në Republikën e Kosovës.

Gazeta po ashtu thekson se të gjithë publikisht e denoncojnë për këtë Qeverinë e Serbisë, por nuk merren masa konkrete, veçmas në Bashkimin Evropian, i cili mund ta shtyjë integrimin e Serbisë në këtë Union dhe ta kushtëzojë Beogradin me liberalizimin e vizave.

Në intervistën dhënë të së përditshmes “Express”, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka theksuar se viti 2010 do të sjellë risi në arsimin kosovar.

Hoxhaj ka paralajmëruar reforma që do të përfshijnë pushimin veror të shkollave, i cili tash e tutje do të jetë dy muaj, ndërsa provimi pranues në fakultete, sipas Hoxhajt, do t’i takojë të kaluarës, sepse, parakusht për regjistrim në fakultet do të jetë vetëm kalimi i testit të maturës.

Ndërsa, sa i përket Universitetit të Prishtinës, ministri Hoxhaj i ka thënë gazetës “Express” se ky institucion nuk do të ndahet, por do të ketë një universitet të dytë.
XS
SM
MD
LG