Ndërlidhjet

Rusia, mikpritëse me triumf apo skandal?


Moskë
Moskë

Rusia, e cila këtë fundjavë do të jetë mikpritëse e finales së festivalit të 54-të me radhë Eurovizion, ka investuar me miliona dollarë në këtë ngjarje, që këtë edicion të Eurovizionit e bën më të shtrenjtin në historinë e tij. Por, gjasat që ky edicion të jetë edhe më i diskutueshmi nuk janë të vogla, nëse merret parasysh vendimi për ndalimin e një parade të homoseksualëve - e paralajmëruar të mbahet disa orë para nisjes së natës finale të festivalit.


Një garues vishet si Elvisi, një tjetër këndon për të qenit rom dhe një tjetër paraqitet me një grup prej tre të rinjve të grimuar, të cilët veten e quajnë “djemtë anti-krizë”. Ky është një vlerësim mesatar i festivalit të sivjetmë të Eurovizionit.

Edhe pse Elvisi belg dhe romi çek janë eliminuar tashmë, 25 garuesit e mbetur, që përfaqësojnë shtetet si Turqia, Azerbajxhani, Shqipëria, Moldavia, Franca dhe Britania e Madhe, pritet të sjellin kostumet pompoze dhe shijet e ndryshme të muzikës për audiencën e këtij festivali.

Derisa një pjesë e madhe e adhuruesve të Eurovizionit zbaviten gjatë ecurisë së kësaj gare, njerëzit në Rusi - si mikpritëse debutuese e këtij festivali, e marrin këtë çështje më seriozisht.

Madje, kryeministri rus, Vladimir Putin, ka qëndruar tashmë në stadiumin ku do të mbahet festivali, i cili është paralajmëruar intensivisht edhe nga shenjat në rrugë dhe televizionet e ndryshme.

Në këtë kontekst, kritiku rus i rock-ut, Artemy Troitsky, thotë se kushdo që shikon televizionin e Rusisë, ka përshtypjen se ky është një ndër zhvillimet më të mëdha në botë.

“Për televizionin tonë, Eurovizioni është bërë gati si kampionat evropian i pop-muzikës. Fitoren e Dima Bilës, vitin e kaluar, në Eurovizion, ata e krahasojnë me fitoren e ekipit futbollistik Zenit nga Shën Petersburgu në Kupën e UEFA-s, ose me ngadhënjimin e Rusisë në Kampionatin botëror të hokejit. Këto ngadhënjime sportive vërtet ishin beteja serioze të niveleve më të larta, ndërsa Eurovizioni është tallje”, thotë Troitsky.

Eurovizioni
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00


Pavarësisht nga kjo, finalja e Eurovizionit pritet të jetë më spektakularja në historinë e këtij festivali dhe ka zëra se presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, do të shfaqet në vendin ku do të paraqiten finalistët.

Mirëpo, analisti politik, Boris Kagarlitsky, mendon se vëmendja dhe të hollat që i janë kushtuar këtij festivali në Moskë, dëshmojnë pasigurinë post-imperiale të shtetit.

“Kjo është një mënyrë për të prodhuar një ide kombëtare, një dinjitet kombëtar. Është një mënyrë se si Rusia do të dëshmojë se ka akoma fuqi të madhe”, thotë ai.

Pavarësisht fondeve të majme që janë shpenzuar, Rusia rrezikon të mbahet në mend jo vetëm nga festivali, por nga skandalet, të cilat e rrethojnë këtë ngjarje. Kështu, anëtarë të komunitetit të homoseksualëve kanë paralajmëruar të parakalojnë në Moskë vetëm disa orë para mbajtjes së natës finale të Eurovizionit - gjë që është kundërshtuar nga autoritetet e kryeqytetit.

Kryetari i Moskës, Yury Luzhkov, i ka cilësuar si satanike parakalimet e homoseksualëve, gjë që është vërejtur edhe në parakalimet e viteve të shkuara, ku homoseksualët ishin ngacmuar dhe rrahur.

Por, Eduard Murzin, njëri ndër organizatorët e parakalimit, shprehet i pakënaqur me vendimin e Moskës.

“Rusia po përpiqet të tregojë se është një shtet evropian me një mendim dhe shoqëri evropiane, por në realitet nuk është e tillë”, thekson Murzin.

Eurovizioni, ndërkaq, nuk ka komentuar ndalimin e parakalimit nga autoritetet e qytetit.
XS
SM
MD
LG