Ndërlidhjet

Politika dhe Gjykata Supreme

  • RFE /RL

Gjykata Supreme në Uashington

Gjykata Supreme në Uashington

Në 220 vjetët e ekzistimit të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, vetëm 4 gjykatës të saj nuk kanë qenë burra të bardhë: dy afro-amerikanë dhe dy gra. Por, të dyja këto shifra mund edhe të rriten. Më 25 maj, presidenti Barak Obama ka shpallur nominimin e tij për të plotësuar vendin bosh në gjykatë – një gjykatëse shumë të respektuar federale, e cila është edhe femër, edhe pjesëtare e një minoriteti etnik.

Ajo është 54 vjeçarja Sonia Sotomajor, një hispaniko-amerikane, të cilën Obama tha se e zgjodhi për “intelektin e saj të rreptë dhe zotësinë e ligjit”.

Zgjedhja e Obamës është vlerësuar nga shumë dhe kritikuar nga disa. Një nga pyetjet më të shumta që është bërë, është nëse Obama, vetë pjesëtar i një minoriteti, i ka dhënë shumë vlerë kombësisë dhe gjinisë në zgjedhjen e tij për gjykatën?!

“Jo”, thotë Robert Spicer, profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Kortlandë. Spicer thotë se disa vëzhgues mund të thonë se Obama po tenton të plotësojë normën, por për gjykatën, sipas tij, është e rëndësishme të pasqyrojë popullatën e ndryshme të vendit.

“Sot ka shumë njerëz të kualifikuar për të shërbyer në Gjykatën Supreme, të cilët u takojnë kategorive të ndryshme. Ka shumë femra juriste, mjaft të respektuara; ka shumë latinë që janë në sistemin federal gjyqësor apo që, përndryshe, konsiderohen të përgatitur për të shërbyer në Gjykatën Supreme. Ka njerëz në hapa të tjerë politikë – qeveritarë dhe të tjerë – që kanë qëlluar të jenë në një kategori tjetër nga ‘meshkujt e bardhë’”,
thotë Spicer.

* * * * * * * * * *

Spicer thotë se prania e zonjës Sotomajor ndoshta nuk do të bëjë shumë ndryshime në gjykatë. Ai shton se edhe ajo, edhe Dejvid Suter, gjykatësi që do ta zëvendësojë zonja Sotomajor nëse konfirmohet nga Senati, janë politikisht liberalë.

Ndërkaq, Dejvid Boaz, nënpresident ekzekutiv i Institutit Kato, qendër kjo private politiko-hulumtuese në Uashington, pajtohet se zonja Sotomajor ka gjasa të mos e ndryshojë shumë dinamikën e gjykatës, por ai thotë se nuk është i sigurt në përgatitjet e saj.

Boaz vë në dukje se detyra kryesore e gjykatësit të Gjykatës Supreme është të ndjekë Kushtetutën dhe ligjin. Por, Boaz thotë se, me sa ka kuptuar, zonja Sotomajor mund të jetë briliante, por, sipas tij, ajo është e prirë t’i paraqesë gjykimet bazuar jo në ligj, por në sensin e saj individual të drejtësisë.

Dhe, përderisa Boaz pranon se vërtet gjithçka e bërë nga një politikan është politike, ai mendon se emërimi i zonjës Sotomajor po shkon përtej, thjesht për të siguruar se gjykata pasqyron disi shumëllojshmërinë etnike të Shteteve të Bashkuara.

“Unë mendoj se ky është një emërim politik. Latinët në masë të madhe votojnë demokratët, por jo në atë masë, për shembull, sa afro-amerikanët. Dhe, unë mendoj se Partia Demokratike do të dëshironte të ketë një udhëheqje më të fortë në komunitetin latin. Kështu, ata besojnë se emërimi i gjykatësit të parë latin apo latine në Gjykatën Supreme, do të ndihmojë të ngurtësojë përkrahjen e votuesve latinë për Partinë Demokratike”, thotë Boaz.

* * * * * * * * * *

Përderisa është e vërtetë se hispanikët janë të prirë t’i përkrahin demokratët, shumë nga ta janë republikanë të vendosur, sepse, si të krishterë, mbështesin pikëpamjet konservative të Partisë Republikane në çështjet sociale, si aborti dhe homoseksualiteti.

Në fakt, hispanikët përbëjnë një bllok të madh votuesish në Teksas, shtetin ku djali i Bushit, ish-presidenti Xhorxh Bush, njëherë kishte shërbyer si guvernator. Bushi i ri ishte krenar për mbështetjen që gëzonte në mesin e hispanikëve në Teksas dhe ai kishte fituar një sasi të ndershme të votave spanjolle gjatë kandidimit të tij të parë për president në vitin 2000.

A po shpreson Obama, me emërimin e zonjës Sotomajor, të fitojë përkrahje të mjaftueshme nga hispanikët, për ta bërë kështu Teksasin vendin ku mund të fitojë nëse kandidon për t’u rizgjedhur në 2012-ën?

Spicer beson kështu. Ai thotë se kur Obama kandidoi për president në 2008-ën, ky i fundit kishte tërhequr më shumë vota të hispanikëve në Teksas se kandidatët e mëparshëm demokratë.

“Padyshim që mund të jetë një simbol i përpjekjeve të Partisë Demokratike për t’u shtrirë tek votuesit latinë, gjë që është shumë domethënëse në një shtet si Teksasi”, thotë Spicer.

Ai shton se “mund të jetë faktor i vogël, por i shquar, për të kontribuar në zotësinë e demokratëve për të bërë një thirrje më të fortë te komunitetet etnike në Teksas, dhe kështu ndoshta përfundon me ri-shfaqjen e Partisë Demokratike si konkurruese në një shtet si Teksasi”, thotë Spicer.

Boaz pajtohet dhe shtron problemin e Partisë Republikane, që ka më pak ndikim gjeografik, për shkak të ideologjisë së saj të fortë mbi çështjet sociale dhe të sigurisë. Është me rëndësi për republikanët të zgjerojnë bazën e tyre ideologjike, thotë Boaz.

Në fund të fundit, shton ai, SHBA është një vend i larmishëm, në çdo mënyrë, edhe më shumë sesa që është mësuar të jetë.

“Unë mendoj se ajo që ata (republikanët) kanë për të dhënë, është përkushtimi i tyre për qeveri më të vogël, ekonomi më të fortë dhe sundim të ligjit”, thotë Boaz.

“Kështu, unë mendoj se do të shohim shumë vendime që gjyqtarja Sotomajor i ka marrë e që nuk përshtaten me sundimin e ligjit, dhe republikanët do t’i kundërshtojnë ato lloj vendimesh, duke ngritur dhe pyetje serioze. Unë mendoj se shumica e senatorëve republikanë do të bëjnë pyetje të ashpra rreth këtij emërimi”.
XS
SM
MD
LG