Ndërlidhjet

Maleski: Për Beogradin, Shkupi flijoi raportin me Prishtinën


Denko Maleski

Denko Maleski

"Marrëdhëniet Kosovë - Maqedoni nuk përparojnë me shpejtësinë që presin aleatët në Evropë dhe Amerikë", thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë, Denko Maleski, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Shkup.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Maleski, si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës?

DENKO MALESKI
Sigurisht, mund të thuhet se marrëdhëniet pak kanë ngecur, mirëpo arsyet janë tejet objektive. Secili nga këto dy shtete të reja i ka problemet e veta të brendshme, të cilat duhet t’i zgjidhë.

Ato kanë edhe një problem të përbashkët, i cili nga diskutimet që po i dëgjojmë këto ditë në Shkup, nuk është i zgjidhur. Fjala është për çështjen e demarkacionit të kufirit, për të cilin nuk po flitet shumë.

Me një fjalë, ato marrëdhënie nuk po përparojnë me dinamikën që do të duhej, apo shpejtësinë të cilën e presin aleatët në Evropë dhe në Amerikë.

Tash, politika e Maqedonisë ndodhet në një baraspeshë delikate ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo edhe nuk është aq e thjeshtë, nisur nga animozitetet tona historike, ku serbët kanë qenë aleatët tanë kundër shqiptarëve.

Gjithë kjo duhet të tejkalohet dhe të ndryshojë, por nuk shkon gjithçka aq lehtë dhe shpejt.

Sidoqoftë, nga pikëpamja praktike, duhet të përmbyllet çështja e demarkacionit të kufirit, sepse çdo shtet i ri që hyn në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjë që Maqedonia e bëri në vitin 1991, u legjitimua ashtu që në skenën ndërkombëtare deklaronte: Ne jemi shtet me kufij të rregulluar me fqinjët tanë dhe nuk kemi kurrfarë problemi.

Tash del se ky problem nuk është zgjidhur deri në fund, prandaj duhet të bëhet ai hap nga pala kosovare. Ndërkaq, nga pala maqedonase duhet të vazhdojë dhe të finalizohet ky proces, prej njohjes deri te vendosja e marrëdhënieve diplomatike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët çështjen me demarkacionin e kufirit, mirëpo presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi se e anulon vizitën në Maqedoni, për shkak se nuk ishte e organizuar në nivelin e presidentit të shtetit...

DENKO MALESKI
Po, kjo është krejtësisht e qartë. E para, unë personalisht mendoj se ishte gabim që të ftohen presidentët e vendeve fqinje në inaugurimin. Mendoj se kjo ishte një punë e panevojshme, sidomos nëse këtu nuk mund të vijnë të gjithë.

Mirëpo, ndodhi kështu sepse politika serbe është e tillë sa nuk do të merrnin pjesë nëse kishte përfaqësues nga Kosova, të cilën ata nuk e njohin si të shkëputur nga territori i tyre.

Shtrohet pyetja se a duhej të bëhej gjithë kjo? Me këtë rast u flijua marrëdhënia me Kosovën, me marrëveshje se do të kompensohej në rastin e parë të ardhshëm, i cili në letrën zyrtare ishte përmendur si vizitë zyrtare, kurse pastaj ishte ulur në nivelin e një vizite pune.

Kjo logjikisht nxiti reagimin nga ana e Qeverisë së Kosovës, si dhe reagimin e partive shqiptare në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maleski, disa muaj pas njohjes së Kosovës, ende nuk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës...

DENKO MALESKI
Po, është e saktë. Sipas meje, durimi i partive shqiptare në Maqedoni është nga fundi dhe ky është ai presion i brendshëm, i cili do t’i shtyjë autoritetet maqedonase që të ecin më tej dhe ta përfundojnë këtë proces.

Është normale që kur të njohësh një shtet, të vendosësh edhe marrëdhënie diplomatike me të. Por, tash druaj se kjo lojë e zvarritjes dhe e uljes së nivelit ndoshta është e lidhur me faktin se ekziston çështja e papërfunduar e kufirit me Kosovën, për të cilën opinioni di shumë pak.

Në opinion kishim përshtypjen se me shënimin e kufirit dhe vendosjen e gurëve kufitarë, ka mbaruar gjithë puna, por tash papritur flitet se kjo nuk ka përfunduar.

Prandaj, mendoj se të dyja palët duhet urgjentisht t’i qasen përfundimit të këtij procesi dhe vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike.

Sidoqoftë, Maqedonisë, Kosovës dhe perspektivës evropiane të Ballkanit i nevojiten marrëdhënie të mira, marrëdhënie të plota diplomatike dhe zhvillim për integrimin e Ballkanit drejt Bashkimit Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG