Ndërlidhjet

“Përurohet tuneli i bashkimit”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Sali Berisha e mbajti fjalën, radhën e ka Hashim Thaçi. Shqipëria dhe Kosova “shembën” pengesën e madhe bjeshkore ndërmjet Kosovës e Shqipërisë dhe përfundimisht, një fundjavë e mirë mund të kalohet duke shkuar në Durrës për tri orë nga Prishtina. Nga një pllakat i madh, me mbishkrimin “Përgjithmonë”, flamujt e lidhur të Shqipërisë dhe Kosovës ishin vënë mbi dy hyrjet e tunelit gjashtëkilometërsh. Qindra shqiptarë të të gjitha viseve që herët kanë filluar festën, ndërkohë që ndiqeshin nga dhjetëra kanale televizive. Rreth orës 12, nga duart e Sali Berishës është komanduar shpuesi që theu murin simbolik në mes të tunelit, për t’i bashkuar të dy anët. Hasim Thaçi, kryeministër i Kosovës, dhe i tërë delegacioni i Kosovës, në anën tjetër të murit, u panë me Berishën dhe përcjellësit e tij. Vetëm pak minuta më pas, të dy delegacionet shqiptare u gjetën në përqafime festive...

LAJM
Muri i improvizuar në mes të tunelit të Kalimashit është rrëzuar solemnisht të dielën në orën 12:10, nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi. Kryeministri Berisha është nisur drejt tunelit 5.5 kilometra nga na e Thirrës, ndërsa kryeministri Thaçi është nisur nga ana e Kalimashit. Ata u takuan në mes të tunelit dhe më pas përshkuan këmbë 100-metërshin e fundit drejt hyrjeve të tunelit nga zona e Kukësit, e që edhe zyrtarisht shënoi hapjen e tij... I emocionuar dhe i ngazëllyer, kryeministri Berisha, hapjen e tunelit e ka cilësuar si një ëndërr gjithëshqiptare, e cila, sipas tij, tashmë është bërë realitet. “Sot ne përjetuam këtu realizimin e njërës prej ëndrrave më të bukura, përjetuam shembjen jo të një muri, por të një mali, përjetuam shembjen jo të një muri, por të pamundësisë. Sot, ne inauguruam së bashku me kryeministrin Thaçi tunelin e Kalimashit, një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Evropë dhe më gjerë”, i tha Berisha masës së tubuar... Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, hapjen e tunelit që lidh kombin e cilësoi si ditë të madhe për Kosovën dhe Shqipërinë...

KOHA DITORE
Rritja e tensioneve ndëretnike në Maqedoni dhe tërheqja e mundshme e njohjes nga Maqedonia janë temat më të reja që janë ngritur pas ftohjes në parim të marrëdhënieve bilaterale në mes Maqedonisë dhe Kosovës. për të parën ka paralajmëruar në një prononcim ekskluziv për gazetën “Koha ditore”, drejtori për “Demokracitë e reja”, në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare në Uashington, Janus Bugajski, ndërsa për të dytën gazeta maqedonase por-qeveritare “Veçer”. “Fatkeqësisht, vendimi nga Qeveria e Maqedonisë për të mos i dhënë presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, nderimet shtetërore në vizitën e planifikuar në Shkup, do të mund t’i keqësojë marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Nëse kjo është zgjedhur si mënyrë për të urtuar Beogradin në çmim të Kosovës, kjo do të mund të çojë në kolapsin e koalicionit aktual qeverisës VMRO-DPMNE – Bashkimi për Integrim Demokratike”, ka thënë Bugajski...

INFOPRESS
Zyrtarë të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që janë marrë me procesin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese dhe emërimit të gjyqtarëve të saj, kanë “hequr dilemat” rreth asaj se kush do ta kryesojë këtë gjykatë, vendorët apo ndërkombëtarët. Ata kanë thënë se është definitive se kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës do të jetë vendor. Gjithsesi ata nuk kanë mohuar se më herët ka pasur tendenca që Gjykatën ta kryesojë një ndërkombëtar, por kanë theksuar se kjo gjë është eliminuar. Në fakt, tendenca duket se ka edhe tash që kryetari të jetë ndërkombëtar. Burime të gazetës shumë të afërta me këtë proces kanë thënë se ka përpjekje që në krye të Gjykatës Kushtetuese të qitet një ndërkombëtar, me arsyetimin se Kosova e ka për herë të parë një institucion të tillë dhe nuk ka shumë përvojë. Burimi i gazetës ka thënë se megjithatë ende nuk ka asgjë definitive rreth kësaj. Do të jetë Zyra Civile Ndërkombëtare ajo që do të emërojë tre gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nga gjithsej nëntë sa do të ketë në tërësi. Kryetari i Gjykatës pritet të zgjidhet në një votim nga këta nëntë gjyqtarë...

KOSOVA SOT
Dhjetë vjet më parë, rreth një milion shqiptarë ua mësynin kthesave të Malësisë së Kukësit, rrapishtave të Kalimashit, e zbrisnin në viset e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, të lodhur, por të shpëtuar nga mynxyra. Rruga që të shpie nga Tirana në Kukës gjithnjë ka qenë e mundimshme, e gjatë sa s’ka më. Mbi gjysmë shekulli, veriu i shtetit shqiptar duhej ta vuante trasenë e hapur nga mijëra vullnetarë të kohës së komunizmit. Kujtimet e asaj periudhe më së miri u mishëruan në bankerët, që tash janë mbuluar nga dheu e shkurret. Tonelata betoni shkuan për “sistemin mbrojtës” më absurd në botë. Në vend që të investohej në afrimin e shqiptarëve, pushteti hodhi miliarda për t’i zgjatur jetën absurdit. Shqipëria e viteve ’90, e sapodalë nga regjimi më i egër komunist në bllokun lindor, kishte prioritete të tjera dhe rruga që të nxirrte në Kosovë, dukej jashtë mundësive financiare të shtetit. Në fakt, s’ishte krejtësisht ashtu. Miliardat që u humbën në skemat piramidale treguan të kundërtën...

EXPRESS
Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandr Konuzin, ka thënë të dielën se “është duke vazhduar” tentimi që territori serb të shkëputet me forcë. Konuzin ka insistuar se kjo është ilegale, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara. “Në të kaluarën ka pasur një politikë sistematike për të ndarë Kosovën nga Serbia”, ka thënë Konuzin. “Sikurse më 1939, Çekosllovakisë i ishte marrë një pjesë e territorit të saj. Të njëjtat shtete që kishin marrë pjesë në atë aranzhim, po marrin pjesë në shkëputjen e një pjese të territorit të Serbisë”, është shprehur ambasadori rus. Më 1939, më 29 shtator, fuqitë e mëdha evropiane, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania kishin nënshkruar një marrëveshje që lejonte aneksimin e Sudetenland, të banuar me shumicë gjermane, nga Gjermania fqinje. Sado që në rastin e Kosovës nuk ka pasur aneksim të territorit, por shpallje të pavarësisë nga shumica e popullatës, si dhe Serbia ka qenë e pranishme në bisedime përkundër se Çekosllovakia atëherë as nuk ishte ftuar, ambasadori rus sheh paralele mes dy rasteve...

ZËRI
Procesi i intervistimit të kandidatëve për ambasadorë të Republikës së Kosovës ka hyrë në fazën e vet finale. Paneli gjashtëanëtarësh për intervistimin e kandidatëve për ambasadorë, pasi i ka intervistuar kandidatët e tjerë, pritet që sot t’i intervistojë edhe 10 të ngarkuarit me punë dhe kështu të përfundojë faza e intervistimit. Intervistimi i të ngarkuarve me punë është konfirmuar dje nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët kanë thënë se, pas përfundimit të intervistimit të të ngarkuarve me punë, pritet që ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, të përpilojë listën e ngushtë, me së paku tre kandidatë për secilën ambasadë dhe këtë listë t’ia dërgojë Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, i cili jep rekomandimet e veta dhe, në fund, dekretimin e ambasadorëve e bën presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu...

BOTA SOT
Diplomati i mirënjohur amerikan, Uilliam Ualker, i shquar për karrierën e tij të gjatë në Ballkan dhe i njohur veçanërisht për shqiptarët, për kontributin e tij në çështjen e Kosovës, vlerëson se Shqipëria nën drejtimin e kryeministrit Berisha ka pësuar ndryshime rrënjësore dhe epokale. Përmes një interviste televizive, Ualker ka vlerësuar se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një arritje monumentale e qeverisë shqiptare dhe kjo jep më shumë shanse për heqjen e vizave me vendet e BE-së dhe anëtarësimin në familjen evropiane në një të ardhme të afërt. Ai është shprehur se NATO është një arritje shumë e madhe për qeverinë shqiptare dhe tashmë Shqipëria është një partnere e denjë e Evropës dhe vendeve më të fuqishme në botë. Të njëjtin vlerësim ai e ka shprehur edhe për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat...
XS
SM
MD
LG