Ndërlidhjet

Serbët mbi bisedimet me Prishtinën zyrtare


Në procesin e decentralizimit, institucionet e Kosovës nuk mund të anashkalohen dhe me to duhet të bisedohet. Kështu thotë Rangjel Nojkiq, lider i serbëve që jetojnë në Kosovën qendrore, i cili thekson se bisedimet e tilla do të duhej të bëheshin me garancën e bashkësisë ndërkombëtare.

“Mendoj se është çmenduri që Prishtina, si faktor, të përjashtohet nga ky rrëfim, çfarë praktikisht është procesi i decentralizimit, dhe të mos bisedohet me institucionet. Natyrisht që në këtë duhet të kyçet edhe bashkësia ndërkombëtare, sepse ajo është garantuese e realizimit dhe zbatimit të decentralizmit“, thotë Nojkiq.

Ndryshe, Milan Ivanoviq, lider i serbëve të veriut të Kosovës, konsideron se nuk mund të bëhet fjalë për çfarëdo procesi të decentralizimit, të cilin do ta organizonin, siç i quajti ai, institucionet e kundërligjshme të Kosovës.

“Decentralizimi në kuadër të pavarësisë së Kosovës, e shpallur njëanshëm dhe jashtëligjshëm, e papranuar nga Serbia dhe pa pjesëmarrjen e serbëve dhe e papranuar nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare, gjithsesi që nuk mund të jetë i pranueshëm për serbët“, shprehet Ivanoviq.

Sipas tij, serbët i kanë përfaqësuesit e tyre legjitimë, të zgjedhur më 11 maj të vitit të kaluar në zgjedhjet e Serbisë, dhe se zgjidhje e vetme është mundësia e pranimit të realitetit të krijuar.

“Serbët, përmes institucioneve të veta, duhet t’i realizojnë të drejtat e tyre, pa presion dhe dhunë institucionale dhe pa përkrahjen e këtij presioni nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, që të përfitohen serbët që ta përkrahin këtë shtet të pavarur. Gjithçka tjetër, përveç vendosjes dhe mbajtjes së kësaj gjendjeje faktike, me siguri se do të çojë drejt destabilitetit dhe një procesi të konflikteve të gjata“, tha Ivanoviq.

Ndërkaq, Rangjel Nojkiq thekson se në grupet punuese për përgatitjen e themelimit të komunave të reja, të parapara me Planin e Ahtisarit, duhet të kyçen jo vetëm përfaqësuesit e serbëve që marrin pjesë në institucionet e Kosovës , por edhe përfaqësuesit e Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Ai thotë se për të qenë i pranueshëm për serbët procesi i decentralizimit, duhet të sigurohet mbrojtje institucionale, e cila, sipas tij, mungon.

“Para së gjithash, duhet të definohet në mënyrë të qartë dhe të drejtë mbrojtja institucionale. Ajo, ashtu siç është tash në Planin e Marti Ahtisarit, ka qenë edhe në periudhën paraprake, në kornizën ligjore dhe rregulloren e punës së Kuvendit dhe ajo nuk ka dhënë rezultate. Do të thotë, duhet të ndryshohet ky definicion, në mënyrë që mbrojtja institucionale e bashkësisë të varet nga bashkësia, e cila mbron interesat e veta, e jo nga bashkësitë tjera“, tha Nojkiq.

Sidoqoftë, Ministria e Pushtetit Lokal e Qeverisë së Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare kanë filluar aktivitetet për përgatitjet konkrete për realizimin e procesit të decentralizimit.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë thënë se lidhur me procesin nuk do të bisedojnë me përfaqësuesit e Beogradit dhe se partnerë të tyre janë serbët e Kosovës. Qëndrimi i tillë gëzon përkrahjen edhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG