Ndërlidhjet

logo-print

Bankat në Kosovë pa anëtarë të pavarur


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Shumica e bankave, të cilat funksionojnë në Kosovë, në bordet e tyre nuk kanë të emëruar anëtarë të pavarur, gjë që, sipas ekspertëve për çështje ekonomike dhe organeve ekonomike, është në kundërshtim me rregullat evropiane.


Prania e anëtarëve të pavarur në bordet e bankave, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, siguron funksionim të shëndoshë dhe të qëndrueshëm të bankave. Kjo, sipas tyre, gjithashtu mundëson zhvillim stabil dhe të qëndrueshëm socio-ekonomik të Kosovës.

Nënkryetari i Institutit “Riinvest”, Muhamet Sadiku, thekson së në bazë të një hulumtimi të bërë, ka dalë se asnjë nga gjashtë bankat e anketuara, nga tetë sa janë në Kosovë, nuk kanë anëtarë të pavarur në bordet e tyre, edhe pse kanë anëtarë joekzekutivë në borde.

“Në përgjithësi, sistemi bankar ka nevojë të zhvillojë konceptin e qeverisjes korporative, në kuptim të krijimit të lidhjeve më të forta në mes të menaxhmentit në njërën anë dhe aksionarëve në anën tjetër”, thotë zoti Sadiku.

Ai thotë se të gjitha bankat e kanë krijuar skemën e bordeve të tyre, por, siç shton, është evidente që në përbërjen e bordeve mungojnë anëtarët që nuk janë pjesë përbërëse e menaxhmentit të bankave.

“Përderisa këto borde mbesin të tilla, atëherë nuk plotësohen parimet e qeverisjes korporative, të cilat i promovon OECD (Parimet e organizatës për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim për qeverisje korporative)”, thotë zoti Sadiku.

Megjithatë, derisa organet ekonomike dhe ekspertët për çështje ekonomike hedhin mjaft kritika tek bankat që funksionojnë në Kosovë, në veçanti në këtë rast për mosekzistimin e anëtarëve të pavarur, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, thotë se të gjitha bankat i përmbahen rregullativës ligjore, e cila është në fuqi sa i përket funksionimit të qeverisjes korporative në banka.

“Bankat mund të gjejnë forma të ndryshme, se si mund të prezantohen interesat e depozituesve të tyre në banka, në mënyrë që të ndihet më fuqishëm zëri i atyre që sot depozitojnë mjete në banka. Kjo është formë e aktivitetit të punës, të cilat banka sigurisht tani, në njëfarë mase, e ndjejnë, por në të ardhmen do të jenë më të fuqishme”, pohon zoti Rexhepi.

Profesionalizimi dhe paanshmëria, sipas hulumtimit të Institutit “Riinvest”, mundësojnë që bordet të jenë në gjendje të gjykojnë objektivisht dhe profesionalisht, që ndikon edhe në suksesin dhe sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjate të biznesit të firmës.

Në lidhje me këtë, legjislacioni në fuqi në Kosovë kërkon që bordet e bankave të kenë së paku dy anëtarë joekzekutivë, por respektimi i kësaj kërkese ligjore, sipas “Riinvestit”, nuk siguron gjykim objektiv nga anëtarët joekzekutivë të bordit, meqë këta, edhe pse të pavarur nga menaxhmenti, mund të jenë nën ndikimin e paarsyeshëm të pronarëve, aksionarëve të korporatës.

Në anën tjetër, eksperti për çështje ekonomike, Bedri Selmanaj, konsideron se këtu bëhet fjalë për disa të meta, të cilat paraqiten në funksionimin e sistemit bankar, por është edhe mungesa e ligjeve dhe zbrazëtirat ligjore që e rregullojnë këtë çështje.

“Pavarësia e sistemit bankar është shumë e domosdoshme dhe është standard evropian. Se kur do të ndodhë kjo dhe cilat janë pasojat e kësaj, sigurisht që periudha e ardhshme do të tregojë, pasi që nuk është mirë që bankat të mos kenë kuadrot, të cilat janë të pavarura nga ndikimet e ndryshme”, thotë profesor Selmanaj.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG