Ndërlidhjet

Akreditimi i sistemit privat të arsimit


Ministria e Arsimit
Ministria e Arsimit

Nga mesi i muajit të ardhshëm pritet akreditimi i institucioneve private të arsimit të lartë, të cilat i përmbushin kriteret. Kështu thotë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, duke pohuar se procesi i akreditimit është në fazën finale.

Ministri Hoxhaj thotë se akreditimi do t’u mundësojë institucioneve private që të jenë të krahasueshme me universitetet tjera në Evropë.

“Ne besojmë se dy javët e para të korrikut mund të jenë data, të cilat mund të përcillen me bërjen e rezultateve publike, për atë se cilat nga institucionet mund të akreditohen dhe cilat jo”, tha ministri Hoxhaj.

Në bazë të Ligjit për Arsimin e Lartë është themeluar Agjencia Kosovare për Akreditim, e cila vlerëson cilësinë e arsimit të lartë në të gjitha institucionet private dhe ato publike në vend, ndërkaq Ministria e Arsimit merr vendim për akreditim dhe licencim.

Basri Muja është ekspert për vlerësim dhe akreditim në Agjencinë Kosovare për Akreditim. Ai thotë se ekipet e ekspertëve tashmë kanë përfunduar inspektimin e institucioneve private të arsimit të lartë, që kanë aplikuar për akreditim.

Në fund të këtij muaji, sipas tij, pritet të mbahet mbledhja e Bordit të Agjencisë, ku do të shqyrtohet raporti i ekspertëve ndërkombëtarë, e më pas do t’i dorëzohet Ministrisë së Arsimit, që të vendosë për akreditim apo jo të institucioneve private të arsimit të lartë.

“Tani jemi në fazën e dërgimit të raporteve të ekspertëve, një pjesë të raporteve finale të ekspertëve. Më 23 dhe 24 qershor do të mblidhet Bordi i Agjencisë së Akreditimit, i cili do t’i shqyrtojë raportet e ekspertëve”, tha Muja.

Por, ekspertë për çështje të arsimit pohojnë se korriku duhet të jetë muaji i fundit që ministria të vendosë për akreditimin e universiteteve.

Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se autoritetet kompetente duhet të kenë parasysh afatin e regjistrimit të studentëve, në mënyrë që universitetet të mos humbin edhe këtë vit akademik, sikur që kanë humbur vitin e kaluar.

“Do të ishte mirë që procesi të përfundojë para se të fillojë sezoni i regjistrimeve. Por, edhe nëse kryhet deri në fund të muajit qershor, respektivisht deri nga mesi i korrikut, besoj se nuk do të jetë vonë”, deklaroi Pupovci.

Ndryshe, tridhjetenjë universitete private kanë aplikuar vitin e kaluar për akreditim, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur të akreditohet. Kështu që në bazë të rekomandimeve të Këshillit Britanik, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që asnjë bartës i arsimit të lartë në Kosovë, që nuk i ka plotësuar kushtet për akreditim, të mos pranojë studentë të rinj për vitin akademik 2008-2009.

Megjithatë, ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, shpreson që në këtë vit, institucionet e arsimit të lartë t’i kenë plotësuar kriteret e kërkuara.

“Universitetet private ta kenë bërë punën e tyre, të kenë plotësuar një pjesë të standardeve dhe kritereve ndërkombëtare, të cilat janë në fushën e akreditimit - nëse kjo ka ndodhur, agjencia për akreditim do të jetë e vullnetshme për t’i akredituar këto institucione”, u shpreh ministri Hoxhaj.

Sidoqoftë, në Agjencinë Kosovare për Akreditim këtë vit kanë aplikuar 14 institucione private, por sa prej tyre do të akreditohen, ende nuk dihet.
XS
SM
MD
LG