Ndërlidhjet

UNMIK-u pa funksione


UNMIK-u nuk ka më asnjë funksion në Kosovë, vlerësojnë zyrtarë kosovarë. Por, sipas tyre, pozicionet e ngurta të Rusisë dhe të disa vendeve tjera ndaj pavarësisë së Kosovës, po e mbajnë në fuqi Rezolutën 1244, e me të edhe UNMIK-un.


Administrata e UNMIK-ut ka mandat juridik që i garantohet me Rezolutën 1244, por ‘de fakto’ në Kosovë funksionet e kësaj administrate janë inekzistente, vlerësojnë përfaqësuesit politikë në Prishtinë.

Duke i komentuar zhvillimet dhe debatin e fundit në Këshillin e Sigurimit për Kosovën, zyrtarët kosovarë vlerësojnë se qëndrimet e ngurta të Rusisë dhe disa vendeve tjera, pamundësojnë largimin definitiv të UNMIK-ut.

Por, në kohën kur Kosova funksionon si shtet i pavarur dhe kur UNMIK-u ia ka dorëzuar EULEX-it autorizimet që kishte, besohet se administrata e Kombeve të Bashkuara ka mbetur pa funksione.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se ka shtete që ende mbajnë qëndrime të ngurta ndaj pavarësisë së Kosovës dhe se ky pozicion i tyre po e mban UNMIK-un dhe Rezolutën 1244 në fuqi.

Hajredin Kuçi
“Ne të gjithë e dimë që UNMIK-u është mision në përfundim e sipër. Ka dhënë kontributin e vet, por tani, ashtu si e vëreni edhe ju, në kuptimin faktik nuk ka ndonjë angazhim në Kosovë, por besojmë që në të ardhmen e afërt duhet të bëhet ndonjë ndryshim në kuptimin që edhe legalisht të mos funksionojë në Kosovë”.

“Nuk është problemi se a duhet të kemi bashkëpunim me UNMIK-un apo jo; problemi është që ai mision tanimë është i përfunduar dhe tranzicioni që duhet të jetë, është i respektuar nga ne, por sa më shpejt që e bën, aq më mirë”,
thotë Kuçi.

Ndërkohë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se UNMIK-u duhet të mbyllë mandatin me vlerësimin se ishte mision i suksesshëm, por tash duhet të largohet nga Kosova.

Sidoqoftë, Haziri e pranon se largimi i kësaj administrate, pavarësisht kërkesës së kosovarëve, kërkon miratimin legal nga Këshilli i Sigurimit.
Misioni i UNMIK-ut ‘de fakto’ po vdes në Kosovë, kurse ‘de jure’ do të marrë pak kohë derisa të mbyllet përfundimisht...

“Ne besojmë thellë që po njihet mandati kushtetues i misioneve ndërkombëtare, EULEX-it dhe ICO-së. Kjo është periudhë në tranzicion, që krijon mundësi realisht, që ne t’i ushtrojmë detyrat tona kushtetuese, të veprojmë si shtet, të punojmë si shtet, t’i zbatojmë të gjitha ligjet që i derivon Kushtetuta. Dhe, misioni i UNMIK-ut ‘de fakto’ po vdes në Kosovë, kurse ‘de jure’ do të marrë pak kohë derisa të mbyllet përfundimisht”, thekson Haziri.

Edhe partitë opozitare vlerësojnë se UNMIK-u duhet të reflektojë karshi realitetit të ri në Kosovë dhe të jetë sa më pak i pranishëm deri në largimin definitiv. Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se nuk duhet pranuar asnjë rol të UNMIK-ut, përfshirë edhe përfaqësimin e Kosovës në tryeza apo konferenca rajonale.

Ibrahim Gashi
“Mendoj që Kosova duhet të insistojë, e bashkë me të edhe komuniteti ndërkombëtar që e ka njohur Kosovën, që këtë realitet dhe këtë njohje ta shpërndajë gjithandej. Dhe, Kosova, tash e tutje, është më mirë të përfaqësohet vetë ose të mos përfaqësohet fare nga UNMIK-u, sepse kjo do të krijonte konfuzionin se a është apo jo Kosova shtet i pavarur. Kosova nuk ka arsye më në asnjë instancë ndërkombëtare të përfaqësohet përmes UNMIK-ut”,
thotë Gashi.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se krijimi i rrethanave që UNMIK-u të jetë i panevojshëm, varet edhe nga performanca e institucioneve të Kosovës.

Sipas tij, zhvillimi i Kosovës do të pamundësonte çfarëdo mandati të UNMIK-ut. Por, siç qëndrojnë tash punët, Gjini thotë se faji bie mbi vetë kosovarët pse të tjerët ende e shohin UNMIK-un faktor në Kosovë.
Duhet t’i krijojmë kushtet që të jemi të nevojshëm apo të domosdoshëm në tryezat rajonale dhe që institucionet tjera ndërkombëtare të mos e shohin absolutisht të nevojshme që të jetë aty UNMIK-u...

“Sikur Kosova të ishte prodhuesi më i madh i energjisë në rajon, nuk ka tryezë rajonale, e cila nuk do të ishte e interesuar që ta ketë Kosovën aty. Duhet t’i krijojmë kushtet që të jemi të nevojshëm apo të domosdoshëm në tryezat rajonale dhe që institucionet tjera ndërkombëtare të mos e shohin absolutisht të nevojshme që të jetë aty UNMIK-u”.

“Këto kushte nuk jemi duke i krijuar. Nuk kemi përmirësim të gjendjes ekonomike, as përmirësim të sundimit të ligjit, as përmirësim të situatës në arsim, as përmirësim të luftës kundër korrupsionit, as përmirësim të infrastrukturës e as përmirësim të gjendjes energjetike”,
vlerëson Gjini.

Sidoqoftë, UNMIK-u mbetet në proces të rikonfigurimit dhe reduktimit të stafit. Funksionet e vetme që i kërkon UNMIK-u në këtë fazë kanë të bëjnë me dialogun Prishtinë – Beograd, për fusha të caktuara që lidhen me çështjet e të pagjeturve të luftës, trashëgiminë kulturore e fusha të tjera.

Por, institucionet e Kosovës janë deklaruar se nuk ka nevojë për një mandat tjetër të UNMIK-ut dhe e kanë ftuar këtë administratë ta përmbyllë mandatin, kërkesë kjo që është shprehur edhe në fjalimin e ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, para Këshillit të Sigurimit.
XS
SM
MD
LG