Ndërlidhjet

Mbi 2 mijë armë të konfiskuara gjatë një viti


Autoritetet kosovare i konsiderojnë shqetësuese shifrat e publikuara nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, për numrin e armëve pa leje në duart e qytetarëve. Ata thonë se me miratimin e Ligjit për armët, gjërat do përmirësohen.



Armët pa leje në duart e qytetarëve të Kosovës, që, sipas organizatave të ndryshme ndërkombëtare, llogaritet të jenë rreth 300 mijë, paraqesin rrezik serioz për qytetarët.

Kështu u tha sot, gjatë takimit të parë të grupit punues për hartimin e strategjisë për grumbullimin e armëve pa leje.

Hartimi i kësaj strategjie, sipas zyrtarëve qeveritarë, ka për qëllim gjetjen e formave më të mira për zvogëlimin e numrit të armëve. Kjo strategji, sipas tyre, pritet të përfundojë brenda 2 muajsh. Ndërkohë, në përpilimin e saj do të punojnë autoritetet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se autoritetet janë të vetëdijshme që hartimi i strategjisë është vetëm fillimi i punës. Ai beson se me ndihmën e kësaj strategjie dhe më pas me miratimin e Ligjit për armët, do të shënohen përparime.

Zenun Pajaziti
“Është spekuluar shumë për numrin e armëve. Nuk dua të flas me shifra që ne nuk kemi arritur t’i kemi zyrtare. Mund të them se mesatarisht 2 mijë armë konfiskohen në vit nga Policia e Kosovës. Konsiderohet se nën kontroll janë rreth 70 mijë armë, duke pasur parasysh edhe legalizimin e 35 mijë (armëve) dhe të tjerave që në forma të ndryshme janë konfiskuar pas luftës”,
thotë ministri Pajaziti.

Ai konsideron se të gjitha këto shifra do të bëhen më reale pas hartimit të kësaj strategjie, e cila thuhet se do të mund të ketë efekte pozitive në përmirësimin e kësaj çështjeje.

Megjithatë, ministri Pajaziti konsideron se tani qytetarët nuk kanë as edhe një motiv për mbajtjen e armëve në shtëpitë e tyre.

Ndërsa, Astrit Istrefi, koordinator i organizatës "Safer World", që në bashkëpunim me Forumin për Iniciativë Qytetare, ka publikuar raportin për siguri dhe përdorimin e armëve të vogla dhe të lehta në Kosovë, thotë se numri i përafërt i armëve ilegale është rreth 300 mijë.

Sipas këtij hulumtimi, zoti Istrefi thekson se numri më i madh i armëve pa leje është në qytetin e Mitrovicës.

“Rreziku çdoherë bazohet në disa indikatorë. Dhe, indikatorët janë rastet e incidenteve. Nga hulumtimet tona del se armët mund të përdoren në periudha të ngritjes së tensioneve. Ky është një indikator që duhet të merret në hartimin e strategjisë”, thotë zoti Istrefi.

Për disa qytetarë, ulja e numrit të armëve që mbahen nga qytetarët, është sfidë për Kosovën.

Pamje në Prishtinë
Astrit Lushtaku shprehet:

“Përdorimi i armëve është mjaft shqetësues, pasi që shumë të rinj, në mënyrë shumë të paligjshme, i mbajnë ato. Përdorimi i armëve është bërë traditë në Kosovë. Ato përdoren në shumë ahengje e që në fakt nuk është fare e nevojshme
”, shprehet Lushtaku.

Ndërsa, Njazi Biqku, thotë:

Tani kur ne jemi shtet, mbajtjen e tyre nga ana e qytetarëve nuk e shoh aspak të arsyeshme. Është e palogjikshme. Tani kemi policinë, e cila kujdeset për sigurinë tonë”, thotë ky qytetar.

Sidoqoftë, deri më tani, Qeveria, në bashkëpunim me KFOR-in dhe mekanizmat tjerë të sigurisë në Kosovë, ka ndërmarrë shumë iniciativa, të cilat kanë pasur për qëllim dorëzimin e armëve ilegale nga ana e qytetarëve.
XS
SM
MD
LG