Ndërlidhjet

Serbët intensifikojnë bllokadën në veri


Mitrovicë
Mitrovicë

Rreth 100 serbë kanë bllokuar rrugën magjistrale Mitrovicë-Rashkë, për të penguar rivendosjen e pikave doganore në veri nga ana e misionit të EULEX-it. Ndryshe nga ditët e mëhershme, bllokadat nuk do të zgjasin një orë, por tërë ditën.


Që nga mëngjesi, rreth 100 serbë të pjesës veriore të Kosovës kanë bllokuar rrugën në vendkalimin kufitar, te porta 1, në Leposaviq, me qëllim që të pengojnë punën e doganierëve të EULEX-it.

Serbët kundërshtojnë t’u paguajnë tatim Doganave të Kosovës. Njëri nga protestuesit, Dragisha Milloviq, që është edhe kryetar i pushtetit paralel lokal në Zveçan, thotë se serbët nuk do të paguajnë për shtetin e Kosovës.
...ne duam t’i paguajmë tatimet, por jo shtetit të papranueshëm të Kosovës. Duam t’i paguajmë shtetit tonë, shtetit të Serbisë...


“Qytetarët e Zveçanit u bashkohen qytetarëve të Leposaviqit dhe Zubin Potokut dhe ajo që është me rëndësi, është që të konfirmojmë se ne duam t’i paguajmë tatimet, por jo shtetit të papranueshëm të Kosovës. Duam t’i paguajmë shtetit tonë, shtetit të Serbisë. Kjo bllokadë nuk është kundër policisë, kundër KFOR-it, por thjesht kundër doganave. Kjo duhet bërë e qartë për të gjithë”,
u shpreh Milloviq.

Bllokada, ndryshe nga ditët e mëhershme, nuk zgjat një orë, por tërë ditën. Ajo pritet të jetë e përditshme.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se protestuesit po lejojnë qarkullimin e automjeteve civile dhe të institucioneve tjera, përveç atyre të EULEX-it.

“Të tubuarit shprehen se ky bllokim ka për qëllim ndalimin e qarkullimit të automjeteve zyrtare të EULEX-it. Këta tash sa ditë protestojnë kundër rivendosjes së pikave doganore nga komponenti i EULEX-it. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë në vend të ngjarjes dhe po bisedojnë me të tubuarit, ndërsa të njëjtit konfirmojnë se do të vazhdojnë bllokadat e tilla gjatë ditëve ne vijim gjithashtu”,
theksoi Hoti.

EULEX-i ka dënuar këto zhvillime në pjesën veriore të Kosovës. Ndërkohë, zyrtarë të këtij misioni thonë se pavarësisht barrikadave të vendosura në rrugë nga ana e serbëve lokalë, doganierët e EULEX-it ia kanë dalë që të punojnë vazhdimisht në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, i tha Radios Evropa e Lirë se misioni evropian është në kërkim të gjetjes së një zgjidhjeje.

“Aktualisht po kërkojmë zgjidhje paqësore. Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, por mendojmë se është e papranueshme që të vihen bllokada në rrugë. Shumica nga protestuesit janë të dezinformuar. Ditët e kaluara ua kemi paraqitur atyre faktet, se EULEX nuk i mbledh të hyrat në ato porta. Është mision teknik. Për të mbledhur të hyrat në të ardhmen, na duhet një vendim politik”,
u shpreh Lamfalusi.

Serbët nuk pranojnë që të hyrat nga doganat të shkojnë në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës. Që nga shpallja e pavarësisë, s’kanë reshtur përpjekjet për pengimin e vendosjes së doganave në veri.

Kristof Lamfalusi mendon se kjo çështje zgjidhet përmes ndonjë vendimi politik, të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit.
Na duhet një vendim politik mes Beogradit e Prishtinës, ndërkohë që duhet vendosur se në cilin nivel duhet të jetë vendimmarrës...

“Na duhet një vendim politik mes Beogradit e Prishtinës, ndërkohë që duhet vendosur se në cilin nivel duhet të jetë vendimmarrës. Na duhet vendim politik për secilën çështje në Kosovë. Është e rëndësishme për Kosovën, për Beogradin, për Podgoricën, për Shkupin. Nuk mund të luftohet kontrabanda vetëm nga një shtet, por duhet të bëhet në nivel rajonal, e kjo kërkon bashkëpunim”, tha Lamfalusi.

Ndërkohë, zyrtarët e misionit evropian thonë se vendosja e barrikadave në rrugët magjistrale paraqet shkelje të rendit dhe ligjit. Por, deri më tani, as Policia e Kosovës e as ajo e EULEX-it nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë për të ndaluar këtë bllokim rrugësh.

“Ne ende shpresojmë për zgjidhje paqësore, do të shohim më vonë nëse ka nevojë për veprime tjera”, tha Lamfalusi.
XS
SM
MD
LG