Ndërlidhjet

Kthimi i policëve përçan serbët


Policë serbë që ishin të suspenduar...

Policë serbë që ishin të suspenduar...

Edhe kthimi i policëve serbë në vendet e tyre të punës ka shkaktuar ndasi mes politikanëve serbë të Kosovës. Përderisa liderët serbë të veriut kërkojnë nga këta policë të distancohen nga institucionet e Kosovës, politikanët në jug e përshëndesin kthimin e tyre, duke e vlerësuar si të duhur.


Kthimi i 310 policëve serbë në vendet e tyre të punës është vlerësuar si veprim i duhur nga liderët serbë, që jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës. Por, kështu nuk mendojnë politikanët e veriut, të cilët ndjehen të tradhtuar nga policët, që pas 16 muajve vendosën t’u rikthehen uniformave të policisë.

Marko Jakshiq, nënkryetar i organit paralel të quajtur Kuvendi i komunave dhe vendbanimeve serbe të Kosovës, shfaq drojën se mos serbët e kthyer kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
Do të ishte keq nëse këta policë që janë kthyer në vendet e punës, kanë pranuar pavarësinë...

“Do të ishte keq nëse këta policë që janë kthyer në vendet e punës, kanë pranuar pavarësinë, sepse pa marrë parasysh se si tingëllon kjo, ata duhet t’i ndihmojnë serbët, popullin serb".

"Por, nëse kjo ndihmë është e kushtëzuar me pranimin e pavarësisë, atëherë shtrohet pyetja se çfarë ndihme është në të vërtetë kjo, sepse për serbët nuk ka jetë në Kosovën e pavarur”,
shprehet Jakshiq, i cili kërkon të dijë se nën cilat kushte janë kthyer serbët në vendet e lëna bosh menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Nuk i di saktë kushtet nën të cilat serbët janë kthyer në vendet e punës. Nuk e dimë nëse këta policë duhet të veshin uniformën e shtetit të vetëshpallur të Kosovës. Është përmendur një komandë unike - a nënkupton kjo se Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për punën e tyre? Me çfarë ligjesh do të punojnë ata? Në publik, asgjë nga këto nuk është qartësuar”, thotë Jakshiq.

Në anën tjetër, kreu i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq, kërkon nga serbët që të distancohen nga institucionet e Kosovës.
Të distancohen nga institucionet shqiptare, si institucione të një shteti që serbët nuk e njohin...
“Serbët që janë kthyer në SHPK në jug të lumit Ibër, nuk duhet të jenë nën komandën qendrore të institucioneve të shqiptarëve të Kosovës, por duhet të ofrojnë siguri në mjediset serbe, t’i përgjigjen popullit serb, përfaqësuesve legjitimë të zgjedhur serbë dhe të bashkëpunojnë me UNMIK-un dhe EULEX-in, nëse EULEX-i u përmbahet kushteve".

"Nën këto kushte, ky kthim mund të jetë pozitiv. Pra, të distancohen nga institucionet shqiptare, si institucione të një shteti që serbët nuk e njohin”,
konsideron Ivanoviq.

Por, reagim krejt tjetër për kthimin e policëve serbë ka Rangjel Nojkiq, politikan serb i Graçanicës. Ai e vlerëson si hap të mençur kthimin e policëve, të cilëve, po qe se nuk do të ktheheshin pasditen e djeshme, do t’iu shkëputej kontrata e punës.
Është lajm i mirë. Mendoj se në këtë mënyrë do të përmirësohet gabimi i bërë. Mendoj se në këtë formë do të relaksohen raportet...

“Është lajm i mirë. Mendoj se në këtë mënyrë do të përmirësohet gabimi i bërë. Mendoj se në këtë formë do të relaksohen raportet. Madje, më duhet t’i falënderoj pjesëtarët e SHPK-së që në ditën e Vidovdanit kanë kryer me shumë profesionalizëm punën e tyre, pa marrë parasysh se në atë përbërje nuk ka pasur numër të mjaftueshëm të përfaqësuesve (policëve) serbë”, thotë Nojkiq.

Mbi 300 policë serbë kanë pasur statusin e të suspenduarit me pagesë për më shumë se një vit. Të nxitur nga Beogradi zyrtar, ata patën braktisur vendet e tyre të punës, për shkak se nuk dëshironin t’i bindeshin zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës.

Serbët kanë kërkuar që të zbatohej plani gjashtëpikësh i Ban Ki Munit, i cili për policinë parashihte krijimin e dy zinxhirëve komandues.

Sidoqoftë, Ministria e Punëve të Brendshme siguron se nuk ka pasur asnjë kusht për kthimin e djeshëm të 310 policëve serbë. Ata premtojnë se edhe më tej do të mbetet vetëm një komandë unike për të gjithë policët gjithandej Kosovës.
XS
SM
MD
LG