Ndërlidhjet

Rigjykohet "Grupi i Llapit"


Gjykata e Qarkut në Prishtinë
Gjykata e Qarkut në Prishtinë

Nën udhëheqjen e gjyqtarëve të EULEX-it, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka rifilluar procesi gjyqësor ndaj 3 ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të njohur si “Grupi i Llapit”. Prokurori i EULEX-it ka lexuar tri pikat e përmbledhura të aktakuzës, por avokatët mbrojtës i kanë mohuar akuzat.


Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe Nazif Mehmeti, tre ish-ushtarë të UÇK-së, të njohur si “Grupi i Llapit”, sot janë paraqitur në procesin gjyqësor, të udhëhequr nga një trup gjykues i EULEX-it.

Të akuzuarit po gjykohen për krime lufte, për të cilat janë dënuar para gjashtë vjetësh. Ky vendim qe hedhur poshtë nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Lënda ndaj këtij procesi gjyqësor në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë është rikthyer për rishqyrtim me vendim të gjyqtarëve të EULEX-it.

Pala mbrojtëse e të akuzuarve ka hedhur poshtë disa pika të aktakuzës së prokurorisë dhe gjatë seancës së parë ka vlerësuar se kjo aktakuzë është e paqëndrueshme. Mexhid Syla është avokat i ish-eprorit të lartë të UÇK-së, Latif Gashi.

“Paraqitëm kundërshtimet tona lidhur me aktakuzën që është objekt i shqyrtimit, me bindje dhe me fakte se kemi të bëjmë me një aktakuzë juridikisht të paqëndrueshme, sepse këta zotërinj akuzohen për vepra penale, të cilat duhet të trajtohen si të gjykuara një herë; akuzohen për vepra penale, për të cilat Gjykate Supreme ka thënë se nuk ka vepër penale dhe për këto arsye ne mendojmë se nuk mund të procedohet sipas kësaj aktakuze”, deklaroi Syla.

Bëhet e ditur se gjatë leximit të aktakuzës, prokurori ndërkombëtar i EULEX-it ka përmendur tri pikat e përmbledhura të aktakuzës, të cilat kanë të bëjnë me trajtim jonjerëzor gjatë paraburgimit, rrahje dhe torturë ndaj të burgosurve dhe vrasje.

Ndryshimi brenda kësaj aktakuze është bërë vetëm ndaj Latif Gashit, i cili është liruar nga pika e tretë, që përfshin akuzën për vrasjen, thotë avokati Syla.

“Prokurori paraqiti një ndryshim lidhur me një pikë të aktakuzës, por nuk hoqi dorë në tërësi. Ndërsa, trupi gjykues mori vendim që t’i shqyrtojë pretendimet e avokatëve mbrojtës dhe nesër të na njoftojë me vendimin e tij - a do të procedohet sipas kësaj aktakuze apo jo".

"Pika e aktakuzës që e ka hekur prokurori, ka të bëjë me piken C, ku është përfshirë edhe Latif Gashi, kinse për vrasje të civilëve”,
tha Syla.

Ndërsa, Aziz Rexha, avokati i Rrustem Mustafës, tashmë deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë se procesi i sotëm gjyqësor ka pasur për qëllim të kuptohen saktë akuzat dhe kundër-akuzat. Por, sipas tij, argumentet janë në favor të të akuzuarve.

“Pretendimet tona ishin të orientuara në faktin se veprimet e të mbrojturve tanë, e konkretisht të të mbrojturit tim, zotit Rustem Mustafa, nuk përbëjnë elemente të veprave penale, për të cilat ai tani akuzohet me akuzën e re. Këtë - për arsye se ai fillimisht është liruar për një pjesë të veprimeve të veta me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë, e pastaj edhe me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së dytë".

"Konsiderojmë se këto lirime kështu kanë fituar të drejtën e forcës materiale, ashtu që në rigjykim nuk mund të bëhet fjalë për të njëjtat vepra penale, për të cilat më parë është liruar”,
tha Rexha.

Avokati Mexhid Syla ka shprehur bindjen e tij se të akuzuarit në fund do të dalin të pafajshëm.

“Si avokat mbrojtës, duke pasur parasysh aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut, duke pasur parasysh aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe njohuritë që i kam me lëndën, unë jam i bindur në pafajësinë e tyre”, u shpreh Syla.

Në këtë rigjykim si rast ishte planifikuar të trajtohet edhe akuza ndaj Naim Kadriut, por ai më herët ka ndërruar jetë në një aksident trafiku.

Ndërkohë, një ditë para se të fillojë ky gjykim, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar, duke e konsideruar këtë si akt politik, e që bazohet në deklaratat e rrejshme të dëshmitarëve.

Ata kanë kërkuar përfundimin e gjykimit të ish-eprorëve të UÇK-së, pasi, sipas tyre, procedura gjyqësore ndaj Grupi të Llapit ka qenë politike dhe e montuar nga UNMIK-u.
XS
SM
MD
LG