Ndërlidhjet

Vdekja e të riut iranian


Sohrab Aarabi ishte qëlluar më 15 qershor.
Sohrab Aarabi ishte qëlluar më 15 qershor.
Një muaj pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale në Iran, të cilat u pasuan me protesta të dhunshme, Sohrab Arabi, 19-vjeçar, identifikohet si viktima e fundit e këtyre përleshjeve.




Raportet zyrtare pohojnë për 20 njerëz të vrarë në protestat e pas-zgjedhjeve. Por, përderisa shumë pjesëmarrës në protesta figurojnë të zhdukur ose gjenden në burgje, aktivistët për të drejtat e njeriut besojnë se numri i viktimave mund të jetë më i lartë.

Sohrabi qe zhdukur në protestat e 15 qershorit në Teheran. Familja e tij nuk kishte ditur se çfarë kishte ndodhur me të, përderisa zyrtarët e kishin kontaktuar, më 11 korrik, për ta njoftuar për vdekjen e djalit.

Një i afërm i Sohrabit i ka thënë Radio Fardas se familja e këtij të fundit është dashur të identifikojë trupin. “Ata e kanë parë në mesin e 50-60 fotografive të trupave. Sohrabin e ka identifikuar i vëllai”.

Mjekët ligjorë kishin konstatuar vdekjen e Sohrabit nga plumbi në zemër.

Njerëzit që kishin njohur atë, e përshkruajnë si një djalë të ndjeshëm, me shumë ëndrra dhe shpresa. Ëndërr e tij kishin qenë dhe studimet në universitet.

Sohrabi njëkohësisht kishte shpresuar për ndryshime të vendit të tij. Ai kishte votuar për herë të parë në zgjedhjet e 12 qershorit dhe kishte marrë pjesë në protesta pas shpalljes së rezultateve.

Më 15 qershor, Sohrabi, bashkë me të ëmën, kishin marrë pjesë në protestat e organizuara në Teheran, por ata kishin humbur njëri-tjetrin në turmë. Nëna ishte kthyer në shtëpi për të pritur Sohrabin, por ai nuk ishte kthyer kurrë.

Që atëherë, familja ka kontaktuar vazhdimisht autoritetet, në përpjekje për të mësuar diçka për vendndodhjen e djalit. Nëna dhe të afërm të tjerë të tij çdo ditë qëndronin para burgut Evin në Teheran, ku mbaheshin protestuesit.

* * * * * * * * * *

Njoftimi me vonesë i familjes nga ana e autoriteteve ka nxitur dyshime për rrethanat e vdekjes së Sohrabit.

Fushata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Iran, përmes një deklarate, ka thënë se është e paqartë nëse ai fillimisht është plagosur dhe më vonë ka ndërruar jetë në spital, apo nëse ka vdekur në rrugë më 15 qershor. Kjo fushatë ka bërë thirrje për investigime të pavarura dhe për dhënie të llogarisë së plotë mbi vdekjen e Sohrabit.

Ky rast ka ngritur shqetësime edhe për fatin e njerëzve të tjerë, që janë në mesin e të zhdukurve, apo për të burgosurit që po mbahen e që kanë kontakte të vogla ose fare me familjen.

Një grup për të drejtat e njeriut në Iran ka bërë të ditur se më se 4 mijë njerëz janë arrestuar në përleshjet e pas-zgjedhjeve, shumica prej të cilëve mbeten në burg. Ndërkaq, grupi i Reporterëve pa Kufij pohon se 41 gazetarë janë në mesin e të arrestuarve.

Grupet për të drejta gjithashtu paralajmërojnë se të arrestuarit janë nën presion për të bërë deklarata të rreme.

Madje, ish-të burgosurit politikë thonë se seancat e të marrit në pyetje shpeshherë janë të shoqëruara dhe me rrahje të ashpra.

Një ish - i burgosur, që u lirua javën e kaluar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se burgu famëkeq i Evinit është i stërmbushur me njerëz të arrestuar gjatë përleshjeve të fundit në Iran. Ai po ashtu ka treguar për gjendjen e mjerë shëndetësore të të burgosurve.

Edhe avokati për të drejtat e njeriut ka pohuar se është i njoftuar për rrahje dhe tortura të rënda në Evin.

Disa familje të të arrestuarve u kanë dërguar letra të hapura zyrtarëve të drejtësisë dhe të tjerëve, ku kanë shprehur shqetësimet për më të dashurit e tyre.

(Në këtë video shihet nëna e Sohrabit duke ua treguar fotografinë e djalit të saj të arrestuarve që lirohen nga burgu).


XS
SM
MD
LG