Ndërlidhjet

Sakashvili: Nuk ka shqetësim për invadim të ri nga Rusia


Mikael Sakashvili
Mikael Sakashvili

Presidenti i Gjeorgjisë, Mikael Sakashvili, më herët kishte paraqitur shqetësim për mundësinë e invadimit të dytë të Rusisë. Por, tash, ai thotë se nuk ka shqetësim se mund të fillojë një luftë e re. Ndryshimi i tonit të tij u bë vetëm një javë pas udhëtimit të presidentit amerikan, Barak Obama, në Moskë.


Anija luftarake amerikane ka arritur në portin e Batumit, për stërvitjen e përbashkët që do të zhvillohet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Gjeorgjisë, afër rajonit separatist të Abkhazisë.

Një ditë më herët, presidentit rus, Dimitri Medvedev, i është bërë mikpritje heroike gjatë vizitës së tij të parë si shef i Kremlinit në pjesën tjetër të shkëputur nga Gjerogjia, në Osetinë Jugore.

Medeved premtoi më shumë financime dhe ndihmë ushtarake për këtë territor, i cili e ka shpallur pavarësinë nga Tbilisi, pas invadimit të Moskës në Gjeorgji, vitin e kaluar.

Prej andej, Medvedev udhëtoi në Soçi, me ç’rast njoftoi se testi i nisjes së raketave balistike, i kryer nga një nëndetëse ruse, ka përfunduar me sukses.

Dmitri Medvedev
“Një raketë strategjike është lëshuar nga një nëndetëse ruse. Lëshimi ishte i suksesshëm, predha e goditi objektivin”,
tha Medvedev.

Presidenti rus, mes tjerash, ka thënë se Tbilisi bart përgjegjësinë e plotë për luftën e verës së kaluar në Osetinë Jugore, ndërsa parashikoi se një ditë vetë populli gjeorgjian do t’i japë dënim të rëndë regjimit të Sakashvilit.

Por, zëdhënësi i Stejt Departamentit amerikan, Jan Kelli, ka ripërsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për Gjeorgjinë.

“Fakti i vizitës së bërë Osetisë Jugore nga presidenti rus Medvedev, vë në pah dallimet fundamentale që kanë dy vendet për këtë çështje. Ju e keni parë presidentin Obama në vazhdimësi duke përsëritur mbështetjen për integritetin territorial të Gjeorgjisë”, tha Kelli.

Presidenti i Gjeorgjisë, Mikael Sakashvili, i cili me muaj deklaronte se invadimi nga ana e Rusisë ishte i pashmangshëm, gjatë një takimi që kishte me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ka thënë se kërcënimi për luftë me Moskën papritmas është zvogëluar.

“Të gjitha planet e tyre agresive për të ardhmen e afërt kanë dështuar. Lufta, të cilën ata e kanë imagjinuar, lufta që ata e kishin në plan dhe në ëndrrat e tyre, nuk do të ndodhë. Plani ushtarak për pushtimin e Gjeorgjisë nuk do të jetë i mundshëm të zbatohet në realitetin e ri gjeopolitik”, ka deklaruar Sakashvili.

Për realitetin e ri gjeopolitik, zyrtarët gjeorgjianë flasin veçanërisht pas vizitës së presidentit amerikan, Barak Obama, javën e kaluar në Moskë, dhe në prag të vizitës së nënpresidentit Xho Bajden, që do t’i bëjë Gjeorgjisë, javën e ardhshme.

Në lidhje me këtë vizitë, zëdhënësi i Stejt Departamentit, Jan Kelli, tha:

“Ne vazhdojmë të kërkojmë nga Rusia që të respektojë integritetin territorial të Gjeorgjisë, të lehtësojë stabilitetin në rajon, të marrë pjesë në procesin e Gjenevës, si dhe t’i zbatojë pikat e marrëveshjes për armëpushim, që është arritur më 12 gusht. Ne, po ashtu, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që të vazhdojnë të respektojnë integritetin territorial të Gjeorgjisë”, tha, mes tjerash, Kelli.

Lorenc Shets, udhëheqësi i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Tbilisi, thotë se ka pasur ndryshim të dukshëm në tonin e zyrtarëve gjeorgjianë, që nga vizita e presidentit Obama në Moskë.

Takimi Obama - Medvedev
“Nuk ka dyshim se porosia kryesore është dhënë në Moskë. Ishte porosi e fuqishme, pasi, papritmas, autoritetet në Gjeorgji u shprehën absolutisht të sigurt se këtu nuk do të ketë luftë këtë verë”,
tha Shets.

Pavel Felgenhauer, analist ushtarak në gazetën “Novaja Gazeta”, ka paralajmëruar me muaj se Moska ishte duke u përgatitur për një tjetër ndërhyrje ushtarake këtë verë.

Felgenhauer thotë se është i vetëdijshëm që presidenti Obama paralajmëroi Rusinë gjatë samitit në Moskë, por nuk shpreh bindjen se ky paralajmërim mund ta pengojë Kremlinin.

“Rusia ishte paralajmëruar se kjo ishte e papranueshme, por se çfarë do të thotë kjo, është çështje tjetër. Unë nuk jam i sigurt se sa i fuqishëm ka qenë paralajmërimi amerikan dhe sa seriozisht është pranuar nga Moska. Por, kjo ishte e vetmja mundësi. Ky samit ishte rasti i fundit për të shmangur luftën këtë verë”, u shpreh Felgenhauer.

Luftë apo jo? Asnjë porosi e Obamës nuk ishte e mjaftueshme për ta penguar Medvedevin qe të vizitojë Osetinë Jugore.

Ndërkohë, arritja e anijes në portin e Batumit është pritur me verë dhe muzikë. Komandanti Mark Oberli tha se stërvitjet detare të përbashkëta do të vazhdojnë, për të demonstruar angazhimin e përbashkët detar të Amerikës dhe Gjeorgjisë, si dhe për të ruajtur sigurinë.
XS
SM
MD
LG