Ndërlidhjet

Pjesëmarrja në zgjedhje kushtëzon decentralizimin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Serbët e Kosovës mund të marrin pushtetin nëpër komunat, ku përbëjnë shumicën, vetëm nëse dalin në zgjedhjet e 15 nëntorit, thonë deputetët kosovarë. Serbët kanë kërkuar së pari decentralizim, e më pas zgjedhje.




Pa pjesëmarrje në zgjedhje nuk mund të ketë decentralizim dhe as komuna të reja me shumicë serbe, thonë deputetët kosovarë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës rikujtojnë se pjesëmarrja në zgjedhje është e domosdoshme që të merret pushteti apo administrimi në një komunë të caktuar. Procesi i decentralizimit parasheh krijimin e pesë plus një komunave të reja me shumicë serbe.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, thotë se edhe në rastin e decentralizimit dhe komunave të reja, do të respektohen Kushtetuta dhe ligji dhe nuk do të ketë përjashtime.

Jakup Krasniqi
Serbët duhet të marrin pjesë për të treguar se janë pjesë e një komune ose pjesë e decentralizimit. Institucionet e Kosovës kanë bërë një ofertë serioze për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjitha komunitetet. Dhe, thuhet një fjalë e popullit, me zor mund të merret diçka, por me zor nuk mund t’i jepet askujt asgjë”, tha Krasniqi.


Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili gjatë mandatit të qeverisë së kaluar pati udhëhequr me përgatitjen e procesit të decentralizimit, thotë se i gjithë procesi nuk guxon të ndërlidhet vetëm me serbët, pasi që për këtë komunitet ndërlidhen vetëm dy çështje.

E para, sipas tij, ka të bëjë me rritjen e përgjegjësive për komunat në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë dhe, e dyta, me krijimin e komunave të reja me shumicë serbe.

Sfidat më të mëdha në këtë proces, Haziri i sheh në veriun e Kosovës, ku ai pret që institucionet të jenë të durueshme dhe të punojnë që gradualisht komuniteti serb ta kuptojë se integrimi është zgjidhja më e mirë.

Lutfi Haziri
“Në pjesën veriore, jo vetëm decentralizimi, por të gjitha proceset tjera janë të sfiduara, edhe vetë institucionet e Kosovës. Natyrisht që decentralizimi, si mjet që mund të afrojë komunitetin serb, është më atraktiv, por nuk guxojmë, në asnjë mënyrë, të lejojmë që të kushtëzohemi me këtë proces”.

“Duhet të punohet shumë, me durim, me plan, dhe serbët duhet ta kenë si derë të vogël për të hyrë në procesin e integrimit të madh në institucione”,
theksoi Haziri.

Decentralizimi është një prej obligimeve që Kosova ka marrë me miratimin e Pakos së Ahtisarit. Por, Kushtetuta dhe ligji do të duhej të ishin mbi Pakon e Ahtisarit, thotë, në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci.

Ai shprehet kundër negocimit me strukturat paralele dhe kërkon nga qeveria që decentralizimi të zhvillohet vetëm mbi bazat e Kushtetutës, pa u lëshuar në negociata të tjera.

Nexhat Daci
Negocimi me strukturat paralele një njërën anë dhe në anën tjetër e kundërshtoni decentralizimin, tregon që ne nuk kemi qeverisje në Kosovë. Nuk kemi qeveri dhe as president. Dhe, kjo do të na hakmerret gjithmonë dhe po na hakmerret”.

“Prandaj, decentralizim, por sipas normave ligjore e kushtetuese, dhe jashtë asaj LDD nuk do të mbështesë asnjë veprim”,
deklaroi Daci.

Një qëndrim të prerë se nuk mund të ketë decentralizim dhe as komuna të reja pa pjesëmarrje në zgjedhje, shpreh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Naim Maloku, deputet i kësaj partie, thotë se krijimi i komunave të reja pa pjesëmarrje në zgjedhje, do të nënkuptonte dorëzim të pushtetit tek strukturat paralele.

Naim Maloku
Pa pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, nuk është mirë që Kosova të shkojë në decentralizim, pasi që pastaj të gjitha ato komuna të reja do të kalonin nën udhëheqje dhe menaxhim të strukturave paralele, të cilat nuk do të pranonin pushtetin legjitim të Kosovës, që do të dalë nga zgjedhjet e 15 nëntorit”, tha Maloku.

Decentralizimi si proces është aktual në Kosovë për disa vite me radhë. Me këtë proces është menduar të zgjidhen edhe shumë çështje që preokupojnë komunitetin serb, sidomos integrimin në sistemin legal të Kosovës.

Por, deri tash, pjesëmarrja serbe ka munguar ose nuk ka qenë e mjaftueshme, ndërkohë që kjo pjesëmarrje shihet si e domosdoshme për ecjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja.

Kohëve të fundit, disa përfaqësues serbë e kanë thënë të kundërtën me partitë politike të shumicës. Sipas tyre, së pari duhet të ketë decentralizim dhe më pas mbajtje të zgjedhjeve të lira.
XS
SM
MD
LG