Ndërlidhjet

Sfidat në sektorin e sigurisë


Mitrovicë
Mitrovicë

Autoritetet kosovare, e në veçanti mekanizmat e sigurisë, duhet të përgatisin personelin e tyre dhe legjislativin në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizimit, thonë ekspertët për çështje të sigurisë. Sipas tyre, Kosova ende ka nevojë për asistencë të mekanizmave ndërkombëtarë të sigurisë.


Sfidat më të mëdha të autoriteteve kosovare në fushën e sigurisë mbesin ngritja e kapaciteteve njerëzore, profesionalizmi i tyre, si dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, konsiderojnë analistë të çështjeve të sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, një kritikë më të ashpër e adreson tek gjykatat dhe prokuroritë. Ai konsideron se që 10 vjet janë bërë gabime të vazhdueshme në sistemin e gjyqësisë.

“Ne e patëm misionin më voluminoz, misionin e UNMIK-ut, prej të cilit përfituam pak. Jo që ndërkombëtarët nuk kanë dashur të ofrojnë, por falë pak dhe inercionit të institucioneve tona dhe të përfaqësuesve tonë”.

“Kaluan 10 vjet dhe polica akoma nuk është në atë nivel që është dashur të jetë apo që ne dëshirojmë ta kemi. Së paku, nuk mund të jetë pandan i simotrave të veta në rajon dhe Evropë, për shkak të joprofesionalizmit, ngritjes së kapaciteteve dhe përfshirjes së tyre në krim të organizuar dhe korrupsion”,
thotë zoti Musliu.

I pyetur se si mund të dalë Kosova nga të gjitha këto, analisti Musliu konsideron se duhet një seriozitet më i madh dhe punë më efektive e institucioneve.

Sipas tij, autoritetet vendore duhet t’i përshpejtojnë të gjitha proceset për tejkalimin e këtyre sfidave, pasi që edhe Bashkësia Evropiane do të bëjë trysni më të madhe, për shkak të aplikimit të Kosovës në BE.

“Çka duhet të bëjmë? Duhet t’i përshpejtojmë punët. Bukvalisht, të punojmë 24 orë në ditë, 30 ditë në muaj dhe 365 ditë në vit në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, në profesionalizmin e tyre, në bashkimin e urave, si dhe një bashkëpunim me institucionet internacionale, si Interpoli, Europoli, policitë e ndryshme të botës etj”, thotë zoti Musliu.

Ndërkohë, analisti tjetër i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, pohon se tejkalimi i sfidave serioze të sigurisë në Kosovë bëhet me një punë më serioze dhe më të madhe të institucioneve, gjë që, sipas tij, nuk është duke ndodhur.

“Në përgjithësi është dashur të bëhet rishikimi i gjendjes së sigurisë pas pavarësisë së Kosovës dhe bashkëpunimi në mes institucioneve të Kosovës dhe misionit të EULEX-it, si dhe të bëhet strategjia e sigurisë së Kosovës, e cila tani është në hartim e sipër, dhe konstituimi i organeve shtetërore të Kosovës”, theksoi Ibishi.

Sidoqoftë, rreziqet potenciale të gjendjes së sigurisë në Kosovë, sipas tij, mund të jenë për shkak të mosdefinimit të disa çështjeve që kanë të bëjnë me vendet e rajonit.

“Nuk ka ndonjë rrezik potencial nga ato çfarë mund të pritet prej ndonjë rreziku të përgjithshëm ndërshtetëror, përveç atyre kërcënimeve që vijnë prej grupeve ekstreme. Mirëpo, rreziqet janë për shkak të mosdefinimit të vijës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës, ku ndodhin incidente”, tha zoti Ibishi.

Ndryshe, reformat në sektorin e sigurisë është paralajmëruar se do të jenë ndër prioritetet e autoriteteve vendore e ndërkombëtare në Kosovë.
XS
SM
MD
LG