Ndërlidhjet

logo-print

Mustafa: Nëse Kosova copëtohet, ne duam bashkim


Ragmi Mustafa

Ragmi Mustafa

“Nëse një pjesë e territorit të Kosovës copëtohet me mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare, situata në Luginën e Preshevës, sipas platformës së 14 janarit 2006, do të kërkojë që të bëhet pjesë integrale e Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, çështja e Luginës së Preshevës është aktualizuar ditëve të fundit. Kongresisti amerikan, Dana Rohrabaker, ka hedhur idenë e këmbimit të një pjese të territorit të Kosovës me Luginën e Preshevës. Si e vlerësoni ju këtë ide?

RAGMI MUSTAFA
Mendoj se një deklaratë e tillë duhet të shqyrtohet drejt dhe duhet të vetëdijesojë përfundimisht Qeverinë në Beograd, madje dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate, e cila ia vlen të mendohet.

Në këtë drejtim, kujtoj se kjo zgjidhje mund të krijojë parakushte të njohjes së dyanshme të dy shteteve fqinje – Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Nëse është një kontribut në njohjen e dy shteteve fqinje, në zgjidhjen e problemit afatgjatë dhe krijimin e kushteve për të parandaluar çfarëdo konflikti për një mijë vjetët e ardhshëm, mendoj se është shumë pozitive.

Ndërkohë, kujtoj se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë dhënë këtë gjykim, këtë mendim që nga 1 dhe 2 marsi i vitit 1992, në referendumin e shprehur të lirë të qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, Bujanoc dhe Medvegjë. Që atëherë janë deklaruar për një autonomi territoriale, politike e kulturore, me të drejtë bashkëngjitjeje me Kosovën.

Dhe, në ndërkohë, nëse vjen deri te ndarja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës, e mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, atëherë situata në Luginën e Preshevës, sipas platformës së 14 janarit 2006, do të kërkojë që të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës.

Kujtoj që janë në vazhdën e të gjitha qëndrimeve të mëhershme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës qysh në vitin 1992, por edhe në vitin 2006, ndërkohë që siguron një paqe dhe stabilitet shumë afatgjatë për të ardhmen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni pasur ndonjë kontakt me liderët kosovarë këto ditë për të debatuar këtë çështje?

RAGMI MUSTAFA
Në këtë drejtim, për momentin, nuk ka pasur ndonjë kontakt as zyrtar, por as në formë tjetër, qoftë me ndonjë autoritet të politikës në Republikën e Kosovës, apo edhe të politikës zyrtare në Qeverinë e Republikës së Kosovës ose Parlamentin kosovar.

Mendoj se është koha që këto të shqyrtohen drejt, por t’u bëhet një ftesë prej autoriteteve zyrtare të Republikës së Kosovës liderëve politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, për të trajtuar këtë temë dhe për të mos gabuar në hapat që në të ardhmen duhet të ndërmerren.

Unë kujtoj se për momentin ndoshta nuk është shumë e gatshme Qeveria e Republikës së Kosovës për të debatuar mbi këtë, por, megjithatë, nuk duhet të mbesim të vonuar në kohë.

Problemet, të cilat dalin në skenën politike, sidomos të iniciuara nga SHBA-të, duhet të shqyrtohen në kohë dhe në këtë drejtim të merren qëndrime të sinkronizuara ndërmjet politikës shqiptare në Luginë të Preshevës, madje dhe të politikës zyrtare në Republikën e Kosovës, ashtu siç bëjnë dhe serbët e Kosovës me Qeverinë e tyre në Beograd.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, ditë më parë, Beogradi ka hedhur poshtë kërkesën e subjekteve politike shqiptare për formimin e rajonit të Luginës së Preshevës. Si e komentoni ju këtë lëvizje të Beogradit zyrtar?

RAGMI MUSTAFA

Unë kujtoj se lëvizjet e Beogradit zyrtar, jo të tanishmet, por edhe historikisht në të kaluarën, gjithmonë kanë qenë në kundërshtim me kërkesat e shqiptarëve.

Ata janë edhe më tej në kundërshtim me kërkesat dhe vendimet ose verdiktet zyrtare të politikës në Kosovë, kur tanimë Kosova, nga 17 shkurti 2008, ka shpallur pavarësinë e saj, kur tani Kosova është e njohur nga dhjetëra shtete të botës si shtet i pavarur dhe i mëvetësuar, e Serbia edhe më tutje e konsideron atë se është pjesë integrale e Serbisë ose djep i Serbisë.

Mos të flasim për shqiptarët e Luginës së Preshevës – në mënyrë të pamëshirshme u kundërshtohen të gjitha kërkesat.

Mendoj se nuk ka një vetëdijesim apo ndryshim të politikës së Beogradit ndaj shqiptarëve, edhe më tej fatkeqësisht. Prandaj, është e domosdoshme që të gjenden zgjidhje adekuate edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të ndihmuar nga komuniteti ndërkombëtar ekskluzivisht – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet me demokraci të avancuar në Evropë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni deklaruar se nëse Prishtina dhe Beogradi do të merreshin vesh, shqiptarët dhe serbët nuk do ta kundërshtonin një gjë të tillë. A mund ta shpjegoni më hollësisht këtë pohim? Për çfarë duhet të merren vesh Prishtina dhe Beogradi sipas jush?

RAGMI MUSTAFA
Unë mendoj se e para që duhet të merren vesh Prishtina dhe Beogradi, është për të njohur njëra tjetrën në pjesën integrale të tyre.

Absolutisht, duhet të vetëdijesohet Beogradi se Kosova është shtet i pavarur, shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe në këtë drejtim Kosova gjithashtu është e gatshme që të njohë dhe Serbinë si shtet të sajin fqinj dhe e interesuar për të vendosur marrëdhënie diplomatike dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.

Politika zyrtare e Republikës së Kosovës në vazhdimësi është angazhuar për të vendosur marrëdhënie dhe kontakte paqësore, miqësore, edhe me Serbinë, duke i lënë anash të gjitha ato defekte dhe hendikepe që i kanë pasur historikisht shqiptarët e Kosovës me Beogradin, përderisa Beogradi kishte forcat e tij të instaluara në Republikën e Kosovës dhe të gjitha ato probleme, masakra, vrasje të lihen njëherë e përgjithmonë dhe të shikohet përpara drejt Evropës së bashkuar.

Në momentin kur Beogradi është i gatshëm të njohë Republikën e Kosovës dhe natyrisht Qeveria e Kosovës njeh Republikën e Serbisë, atëherë në këtë kontekst mund të bëjnë marrëveshje qoftë edhe të këmbimit të territoreve, marrëveshje paqësore, absolutisht të bazuar në një tryezë bisedimesh transparente, të lira dhe me mirëkuptim.

Në këtë drejtim, kur Beogradi dhe Prishtina do të merreshin vesh për këmbimin e territoreve, natyrisht se këtë nuk do ta kundërshtonte asnjë shqiptar në Luginën e Preshevës, asnjë shqiptar në Republikën e Kosovës, por edhe serbët në Kosovë apo dhe serbët në Serbi.

Kur dy shtete fqinje merren vesh në lidhje me definimin e territoreve të tyre ose kufijve integralë të tyre, atëherë natyrisht se bashkësia ndërkombëtare do t’i mbështesë dhe nuk do të krijojë kushte që diku tjetër në botë të krijohen probleme, sepse ja Kosovës iu shtua territori i saj, apo iu shtua territori Serbisë.

Unë kujtoj se çdo marrëveshje paqësore ndërmjet dy shteteve fqinje do të jetë e mbështetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Një zgjidhje që nuk do të krijojë parakushte që të kemi reflektime në shtetet tjera, në Ballkanin Perëndimor apo dhe diku tjetër, kudo që ka pretendime territoriale ndërmjet dy shteteve fqinje. Kjo do të ishte një zgjidhje shumë e qëndrueshme dhe një zgjidhje për të cilën natyrisht edhe komuniteti ndërkombëtar do të japë mbështetje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG