Ndërlidhjet

“S’ka kamera në zgjedhje”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Serbët në komunat e tyre në Kosovë nuk duhet të kenë frikë se shteti do të përzihet në menaxhimin e komunës së tyre. Ata do të kenë “shtetin” e tyre “brenda shtetit të Kosovës”, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i cili po përpiqet t’i bindë serbët që të marrin pjesë në procesin e reformimit të pushtetit lokal. Sipas tij, ekipi përgatitor për themelimin e Komunës së re të Graçanicës do të emërohet së shpejti dhe kjo njësi komunale pritet që të ketë një shkallë të lartë të autonomisë, sa i përket administrimit të çështjeve lokale. Këtë autonomi në kuptimin figurativ Ferati e ka përshkruar si “shtet brenda shtetit”, formulim ky i cili është kundërshtuar kategorikisht nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO)...

INFOPRESS
Kërkesa e Aleancës Kosova e Re, e mbështetur edhe nga një pjesë e partive tjera politike, pë rvendosjen e kamerave në zgjedhjet lokale, është hedhur poshtë në mënyrë definitive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Infopress” zëdhënësi i KQZ-së, Fehmi Ajvazi. Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen e radhës, të mbajtur të hënën në Prishtinë, KQZ ka diskutuar kërkesën për vendosjen e kamerave dhe pas një votimi me 5 vota kundër dhe 4 pro, kjo kërkesë nuk ka arritur të kalojë. Vendimi i KQZ-së për të refuzuar kërkesën e AKR-së dhe partive tjera politike për vendosjen e kamerave në ditën e zgjedhjeve lokale, sipas Ajvazit, ka ardhur pas një rezymeje që këshilli për buxhet pranë KQZ-së ka bërë lidhur me koston financiare të vendosjes së kamerave nëpër vendvotime...

KOSOVA SOT
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e djeshme të kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, e ka mbështetur kërkesën e Ministrisë së Jashtme për marrjen e vendimit për blerjen e objekteve të para për ambasada të shtetit të Kosovës në vendet e ndryshme. Vendimi i Qeverisë së Kosovës është marrë që fillimisht të blihen ambasadat në Uashington, Londër, Paris dhe Bruksel. Për këtë destinim, Qeveria e Kosovës ka ndarë paraprakisht për Ministrinë e Jashtme një buxhet prej 25 milionë eurosh për blerjen e objekteve për ambasada, mirëpo aktualisht janë në funksion vetëm 10 milionë euro. kërkesa për blerjen e objekteve për ambasada është arsyetuar nga zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, e cila u ankua se në fondin e Ministrisë së Jashtme nga 25 milionë të premtuara, janë vetëm 10 milionë...

EXPRESS
Ka përfudnuar gjithçka s au përket dhënies me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Të hënën, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar shpalljen e ofertës për dhënien me koncesion të kësaj kompanie. Ministri i Transportit dhe Porst-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka thënë se kohëzgjatja e kontratës me koncesionarin është 20 vjet, i cili duhet të bëjë 85 milionë euro investime. Limaj përmendi edhe disa detyra të tjera për fituesin. “Në bazë të projektit do të ndërtohet terminali i ri me 25 mijë metra katrorë, kulla e re e kontrollit dhe ambienti përcjellës”, ka thënë Limaj në mbledhjen e ekzekutivit...

ZËRI
Zyrtarë të lartë nga Qeveria e Kosovës, si dhe përfaqësues nga opozita, e kanë kundërshtuar ashpër mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë më 16 gusht në Kosovë, gjegjësisht në vendet ku ka popullsi shumicë serbe, si në Graçanicë dhe vende të tjera. Zëdhënësi i ekzekutivit të vendit, Memli Krasniqi, ka thënë se Kosova nuk do t’i pranojë këto zgjedhje, duke shtuar se institucionet e vendit do t’i përdorin të gjitha kompetencat për të mos lejuar mbajtjen e tyre. “Qeveria e Kosovës tashmë është deklaruar sa i përket kësaj çështjeje. Në Kosovë zgjedhjet e vetme legale janë zgjedhjet që i shpall presidenti i Kosovës, ndërsa shakatë dhe pseudospektaklet që tenton t’i bëjë dikush tjetër, janë të dhimbshme dhe qesharake...”, ka thënë ai...

BOTA SOT
Institucionet e Kosovës janë të gatshme dhe të përkushtuara që shteti më i ri të jetë vërtet një model i respektimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj, në këtë rast edhe të komunitetit turk. Këto komente i bëri presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas takimit me delegacionin shtetëror të Turqisë, të kryesuar nga ministri shtetëror për marrëdhënie ndërkombëtare, Faruk Çelik. “Do të kemi para vetes bashkëpunime të rëndësishme ekonomike dhe do të vazhdojmë me këtë bashkëpunim të frytshëm”, është shprehur presidenti Sejdiu. Ai gjithashtu vlerësoi lart ndihmën e madhe që shteti turk i ka dhënë Kosovës në periudhën e pavarësisë dhe tani në këto kohëra të zhvillimit të saj, shtet i pavarur dhe demokratik. Ndërkohë, presidenti Sejdiu çmon lart gjithashtu ushtrimin e vazhdueshëm të influencës së Turqisë në vendet e Konferencës Islamike për njohjen e shtetit të Kosovës...

EPOKA E RE
Si zakonisht, i ngritur në këmbë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka filluar konferencën e tij të radhës për medie. Për dallim prej konferencave të tjera për shtyp, në të cilat tema kryesore ka qenë adresimi i kritikave ndaj qeverisjes së vendit, këtë herë Haradinaj ka folur për partinë e tij. Ai ka treguar se partia e tij, e orientuar të profilizohet si subjekt politik i qendrës së djathtë, nëpërmjet nënshkrimit të memorandumeve me subjektet politike shqiptare të këtij spektri, ka për synim të krijojë një bazë për ndërtimin e bllokut të djathtë në Kosovë dhe rrjedhimisht edhe marrjen e pushtetit. “Synimi im është që kjo të ndodhë në Kosovë, që e djathta ta qeverisë vendin. Besoj se kjo do të ndodhë vitin që vjen, në zgjedhjet parlamentare...”, ka thënë Haradinaj...
XS
SM
MD
LG