Ndërlidhjet

Jeta në Groznin e Kadirovit


Portreti i Kadirovit në Aeroportin e Groznit.
Portreti i Kadirovit në Aeroportin e Groznit.

Pesëmbëdhjetë vjet pasi që Rusia nisi luftën e saj të parë në Çeçeni, çeçenët e pasur lavdërojnë liderin e caktuar nga Moska për rindërtimet dramatike. Por, kritikët e 32-vjeçarit, Ramzan Kadirov, thonë se ai është një bandit autokrat, i cili ka imponuar rend përmes frikësimit.

Në vitin 2007, kryeqyteti çeçen, i shkatërruar nga dy luftëra për pavarësi nga Moska, dukej se ishte rindërtuar tërësisht.

Para ishin zgjedhjet parlamentare, në të cilat Çeçenia e sapobombarduar deri në shkatërrim, do t’i jepte 99 për qind të votave partisë kryesore pro-moskovite, Rusia e Bashkuar.

E vetmja platformë e partisë ishte mbështetja për njeriun që lansoi luftën e dytë, presidentin e atëhershëm, Vlladimir Putin.

Një vit e gjysmë më pas, Grozni pothuajse është transformuar.

Ai mban xhaminë më të madhe në Evropë, të rrethuar me hektarë të tërë kopshtesh. Makina të shtrenjta lëvizin në rrugën kryesore, e quajtur Rruga e Putinit, e cila rrethohet me kafiteri që mbajnë emra francezë apo italianë, restorante sushi dhe një degë të një qendre tregtare të njohur të Moskës.

Ndërtimet e vazhdueshme po e kthejnë Groznin në një mishmash të ndërtesave të rinovuara neoklasike, atyre të lira, blloqeve të banesave në formë disku apo përdhesat - shtëpitë tradicionale çeçene me tulla të kuqe.

Asia Tashtamirova mendon se tash jeta është më e mirë, sesa më parë.

“Pas punës vijmë në vende të tilla që të bisedojmë me miq. Përpara s’kemi mundur, sepse situata ka qenë krejtësisht ndryshe”, thotë Tashtamirova.

Këdo që të pyesësh se kush është përgjegjës për shndërrimin e Groznit në një qytet të ri rus, jep përgjigjen e njëjtë.

“Ramzan Kadirov është njëri nga njerëzit më të nderuar në Rusi. Ai është përgjegjës për sjelljen e rendit këtu. Ai mund ta kontrollojë situatën 100 për qind”, thotë Boris Muzakajev.

Fotografitë e liderit 32 vjeçar trupngjeshur janë të varura gjithandej në Çeçeni, përcjellë me falënderime e mirënjohje. Por, lustra e këtij optimizmi zakonisht është e hollë.

Tashtamirova, pasi që lavdëron Kadirovin, pranon se frika ende e përshkon Çeçeninë.

“Të vetmit njerëz që nuk frikësohen janë ata, të cilët ose nuk dinë asgjë, ose s’dalin kurrë jashtë. Frika është gjithmonë e pranishme”, thotë Tashtamirova.

Të shtënat dhe bombardimet e rebelëve separatistë në Çeçeni janë rritur që kur Moska, në fillim të këtij viti, e shpalli të përfunduar operacionin njëdekadësh kundër terrorizmit.

Por, janë autoritetet çeçene dhe jo militantët, që besohet se qëndrojnë pas grabitjeve dhe vrasjeve, e së fundi edhe pas djegies së shtëpive që u takojnë të afërmve të separatistëve të dyshuar.

Afër xhamisë së re të qytetit, para mikrofonit një njeri lavdëron Kadirovin, por në momentin kur mikrofoni largohet, ai ndryshon tonin.

”Askush nuk do të flasë këtu për politikë. Është mu sikur në kohën e Stalinit”, thotë ai.

Një zyrtar në administratën e Kadirovit thotë se nuk është çudi që popullata është ende e traumatizuar nga lufta.

“Secili këtu, që nga 1994-ta, nuk di gjë tjetër, pos luftës. E vetmja gjë që dëshirojmë kur lëmë shtëpinë në mëngjes, është që të kthehemi në mbrëmje shëndosh dhe gjallë”, thotë ai.

Nga Grozni për të shkuar në kompleksin ku jeton Ramzan Kadirov, duhen 45 minuta. Brenda kompleksit gjendet pjesa për gara kuajsh dhe një liqen i vogël artificial. Ndërsa në hyrje gjenden dy statuja të luanëve.

Brenda kompleksit gjenden luanë të vërtetë në kafaze, pjesë të kopshtit zoologjik të Kadirovit, me shtazë dhe shpendë të rrallë. Thuhet se kompleksi mban një burg, ku vetë Kadirov me duar të tij ka torturuar dhe vrarë.

Kadirov është president për më shumë se dy vjet, por ruan ende mënyrën gazmore të një djaloshi të shkujdesur.

Kadirov insiston se shqetësimi i tij kryesor është mirëqenia e çeçenëve të rëndomtë.

“Unë e jap jetën time për njerëzit e mi”, thotë ai në një rusishte me aksent të rëndë.

Kur filloi luftën e parë çeçene, kishte simpati tjera politike - rebeli i atëhershëm ishte kundër Kremlinit.

Ai thotë se ka marrë armët në duar në moshën 17 vjeçare, sepse presidenti i atëhershëm, Boris Jelcin, refuzonte të negocionte me liderin separatist, Djokar Dudajev, duke preferuar që në vend të negociatave, ta “shkatërronte Rusinë”.

“Populli çeçen ka qenë plotësisht kundër Rusisë, sepse ata na dërguan tanke. Ne qemë detyruar të mbajmë qëndrim kundër Rusisë, sepse me dërgimin e atyre tankeve, na konsideronin si fashistë gjermanë”, thotë Kadirov.

Atëbotë, Kadirovi i ri ishte shef i truprojave të babait të tij, imamit Ahmed Kadirov, lideri separatist që ndërroi anë gjatë luftës së dytë çeçene.

Kremlini më vonë atë e caktoi si president të Çeçenisë. Sot, Ramzan Kadirov lavdëron Putinin për, siç thotë, politikat e mençura, përmes të cilave e mbajti Çeçeninë brenda Federatës Ruse.

Është mirë që Rusia nuk e la të shkëputej Çeçeninë. Po të na jepej pavarësia, do të ishte edhe fundi për popullin tonë. Do të vdisnim të tërë”, thotë Kadirov.

Mbetja në kuadër të Rusisë, sipas Kadirovit, ka qenë e vetmja mënyrë që të ruhet Çeçenia prej shkatërrimit nga ekstremistët e huaj, të cilët pretendonin Çeçeninë si pjesë të kauzës së tyre.

Pas atentatit të babait të Kadirovit në vitin 2004, i biri që ishte shef i sigurimit, e trashëgoi atë. Kadirov e quan Putinin, i cili e vendosi në këtë post, “idol’ të tij.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se Kadirov ka sjellë në masë të madhe stabilitet në Çeçeni, por, përmes një terrori të qetë. Muajin e kaluar, aktivistja Natalia Estemirova ishte kritikja e fundit e tij, që vdiq në një vrasje të pazgjidhur.

Rivalët e Kadirovit janë qëlluar për vdekje në Vjenë, Dubai, Moskë dhe Çeçeni. Por, Kadirov mohon akuzat dhe thotë se nuk ka të bëjë asgjë me vrasjet.

Ai mohon se po inkurajon shndërrimin e tij në një kult.

“Pse më duhen portretet e mia gjithkund? Kam tërë autoritetin që më duhet, pse do t’i bëja reklamë vetes? Vetë njerëzit duan të varin portrete. Për mua sot t’i heqin, nuk më bëhet vonë”, thotë Kadirov.

Disa besojnë se autoriteti i Kadirovit brenda Çeçenisë është aq i madh, sa ai qeveris rajonin në mënyrë të pavarur nga Moska.

Por, ai s’ka mundur të dalë fitues në një nga mosmarrëveshjet më të mëdha me Moskën, mbi të drejtën e nxjerrjes dhe kontrollit të naftës. Kadirov mohon se ka përçarje me Kremlinin.
XS
SM
MD
LG