Ndërlidhjet

(S') shtohen masat e sigurisë


Përderisa ekspertët për çështje të sigurisë konsiderojnë se për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, duhet të ketë rritje të forcave të sigurisë, përfaqësues të Policisë së Kosovës vlerësojnë se nuk ka nevojë për një gjë të tillë.


Situata e sigurisë është e qetë dhe nën kontroll, pohojnë autoritetet e rendit, përderisa zyrtarë të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës konfirmojnë rritjen e masave të sigurisë pas tensioneve të fundit në lagjen Kroi i Vitakut.

Besim Hoti, zëdhënës i policisë, thotë se në rajonin e Mitrovicës po punohet në bazë të planeve të veprimit, të parapara për atë pjesë të vendit.

“Marrë parasysh që javë më herët, kemi pasur të shënuar incident në formën e kundërshtimit të banorëve të komunitetit serb nga lagjja Kroi i Vitakut, për fillimin e ndërtimit të një shtëpie tjetër të banorëve shqiptarë, dhe marrë parasysh këto kundërshtime dhe incidentin e fundit që është paraqitur në atë lagje, masat e sigurisë janë ndërmarrë që në të ardhmen të evitohen incidentet e tilla”, thotë Hoti.

Ndryshe, Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se më 16 gusht do të organizojë zgjedhje në disa lokalitete të banuara me serbë në Kosovë. Përkundër faktit që përfaqësues të institucioneve kosovare kanë deklaruar se nuk do të ndërmarrin asgjë për t’i penguar zgjedhjet serbe, ekspertët e sigurisë aspelojnë për masa shtesë të sigurisë.

Eksperti Ramadan Qehaja pohon se Policia e Kosovës duhet të bëjë patrullime shtesë në vendet ku janë paraparë të mbahen zgjedhjet.

“Gjithsesi duhet që masat e sigurisë të ngrihen, sepse fjala është per territorin e Republikës së Kosovës. Unë mendoj se nuk duhet të lejojmë që të ndodhë diçka e papritur. Unë mendoj që ka elemente që mund të prishin qetësinë dhe rendin aty dhe me qëllim që të bëjnë një destabilizim, ta rëndojnë edhe më tej situatën e sigurisë në Kosovë”,
thotë Qehaja.

Një nga vendet ku është paralajmëruar të mbahen këto zgjedhje, është dhe Komuna e Graçanicës. Atje, zëvendëskomandanti i policisë, Ramë Kryeziu, thotë se nuk ka rritje të forcave të sigurisë. Sipas tij, Policia e Kosovës do t’i kryejë detyrat e zakonshme të saj.

“Jo, sa i përket zgjedhjeve të sturkturave paralele të Serbisë, Polcia e Kosovës do të punojë në orar të rregullt dhe me forca të rregullta, ashtu siç është vepruar edhe në të kaluarën. Ne, ato zgjedhje nuk i pranojmë dhe janë jolegjitime. Për këtë arsye, as nuk i mbikëqyrim, e as nuk i sigurojmë”.

“Nuk do të ketë rritje të forcave të sigurisë. Sikur të ishin zgjedhjet e Kosovës, ne do t’i kishim forcat e shtuara dhe do të ishim në afërsi të atyre vendvotimeve ku votohet për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike. Nesër, në punë do të jetë vetëm ndërrimi i rregullt”,
deklaroi Kryeziu.

Serbia do të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në Graçanicë për Komunën e Prishtinës dhe në Gorazhdec për Komunën e Pejës.

Nga Këshillli i Sigurisë së Kosovës, përkundër disa incidenteve në veri, situata e përgjithshme në vend është vlerësuar e qetë. Po ashtu, është thënë se ka progres në ruajtjen dhe menaxhimin e situatave.
XS
SM
MD
LG